KULTURË

Kosova, në berlinale me filmin “Në mes”

13:42 - 15.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Berlinale ka njoftuar mes të tjerash për pjesëmarrjen e filmit “Në mes” të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë. Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin, e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve, sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes, kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.




Autori i filmit, Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz: “Nuk e di si ta përshkruaj ndjenjën dhe gëzimin për vlerësimin e filmit nga një festival siç është Berlinalja, sidomos kur bëhet fjalë për film debutues. Përzemërisht dua të falënderoj secilin protagonist pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur si dhe ekipin, të cilët u përkushtuan dhe kontribuuan me zemër në formimin e kësaj vepre”, theksoi autori Karahoda. “Në mes” është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovarë” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011. Filmi është prodhim autentik i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoi që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare: “Të jesh pjesë e një projekti kaq kreativ dhe të punosh me një ekip kaq profesional është me të vërtet nder dhe privilegj. Edhe pse filmi në fazën fillestare ishte paraparë në formë eksperimentale, Samiri përmes gjuhës filmike me mjeshtri ka arritur ta pasqyrojë kontekstin antropologjik, shoqëror dhe arkitektural të një fenomeni të përhapur në Kosovë”, theksoi producenti Bilibani.

Filmi është prodhim i “SK Pictures”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe “DokuFest”.

Regjia dhe drejtor i fotografisë: Samir Karahoda, Producent: Eroll Bilibani, Montazhi: Enis Saraçi, Dizajner Zëri: Memli Kelmendi, Xhirues Zëri: Gëzim Rama dhe Dizajnere Grafike: Nita Salihu Hoxha.

Premiera e filmit në Berlinale do të jetë më 12 shkurt!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.