Kryesore

Shpata që iu dhurua Skënderbeut në Krishtlindjen e vitit 1466

15:15 - 15.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Muzeu Historik Kombëtar ka bërë të mundur botimin e revistës shkencore Studime Muzeologjike Nr. 8, e cila është botuar në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Revista “Studime Muzeologjike” është organ i Muzeut Historik Kombëtar. Qëllimi kryesor i kësaj reviste shkencore është të stimulojë debatin rreth vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare. Nëpërmjet revistës “Studime Muzeologjike”, Muzeu Historik Kombëtar nxit dhe inkurajon veprimtarinë kërkimore-shkencore në fushën e muzeologjisë, historisë, antropologjisë, konservimit dhe restaurimit të objekteve muzeore. Prej revistës, shkëpusim një prej studimeve




Dr. Dorian Koçi*

Skënderbeu nuk do të mund të ringjallej i vetëm pa simbolet e tij, që kishin shënjuar historinë dhe shkëlqyer në epokën e vet, ndaj për këtë arsye së bashku me monumentet dhe portretizimet letrare të De Radës dhe Naim Frashërit do të gjejmë dhe përpjekjet e para për të zbuluar flamurin dhe përshkruar armët e tij. Informacionet e para në këtë drejtim i jep Konica në faqet e gazetës së vet “Albania”, ku publikon për herë të parë flamurin e Kastriotëve dhe informacionin për armët e Skënderbeut. Si një studiues skrupuloz, Konica, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX në trupin e njërës prej shpatave shiheshin ende njolla gjaku, çka mund të ishte e vërtetë, por nëse do të marrim parasysh dhe anën tjetër të personalitetit të Konicës, si pishtar i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare mund të ishte dhe një informacion shtesë për të krijuar emocion dhe afeksion ndër shqiptarët, që ende ishin nën zgjedhën otomane. Në fakt te ky tipar i fundit i arsyes se përse Konica mund të ketë shtuar faktin se ende në shpatë kishte njolla gjaku, qëndron dhe një funksion tjetër i armëve të Skënderbeut gjatë Rilindjes Kombëtare, por dhe në vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kështu, në vigjilje të 20-vjetorit të pavarësisë gazeta “Besa” në Tiranë, e krijuar dhe e sponsorizuar nga Mbreti Zog I, do të japë një informacion të detajuar të vendit, mënyrës dhe rrugëve sesi janë gjendur në Vjenë, armët e heroit tonë kombëtar. Duke iu referuar gazetës “Besa” (3 mars 1932) mësojmë këto të dhëna për Armët e Skënderbeut: Koleksionuesi i objekteve të Skënderbeut ishte Arqiduka i Tirolit Ferdinandi (1529-1595), i biri i perandorit austriak Ferdinandi I (1503-1564) dhe vëllai i perandorit Maksimilian II.

Foto nga ekspozita e çelur në janar 2018 “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”
Foto nga ekspozita e çelur në janar 2018 “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”

 

Këshilltar i arqidukës Ferdinand për mbledhjen e këtyre objekteve, ishte sekretari i tij privat Jacob Schrenckh von Notzing (Jakob Shrenk von Nocing). Ai koleksiononte veshje prej hekuri dhe armë të princërve të shquar, si dhe të prijësve të ushtrive, të cilat i ruante në kështjellën e tij në Ambras. Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor të vitit 1578, në të cilën duka i Urbinos Marius Sforca, i shkruante arqidukës Ferdinand, se do t’i dërgonte këtij të fundit armët e Skënderbeut. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit, Ferdinandi, i shkruan dukës së Urbinos Marius Sforces, duke e falënderuar për armët e Skënderbeut si dhe për të tjerat, të cilat mund t’i binin atij në dorë. Këto objekte përmenden për herë të dytë në letrën e dukës von Arescot (duka von Areskot) më 25 korrik 1588, e cila flet mbi armët e tjera të Skënderbeut. Objektet e Skënderbeut nuk ishin shënuar në inventarin e vitit 1585. Ndërsa në inventarin e vitit 1593, f. 69, shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e “Georgen Scanderbegg”. Prej këtyre dy shkresave, si dhe inventarit, konstatohet lehtë se përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut ranë në dorë të arqidukës Ferdinand, ndërmjet viteve 1588 dhe 1593, përmes ndihmës së dukës Marius Sforca të Urbinos dhe të dukës Arescot. Në sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja “George Skanderbeg”. Ajo është ngjyrë e bardhë, me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brinjë. Në një vrimë në majë të përkrenares është vendosur një burgi, e cila paraqet një kokë dhie të fiksuar mirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër është me një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara në ar. Syve të dhisë sipër përkrenares, i mungojnë gurët dhe akoma i duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurët. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi prej 65 dhe në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I. N. P. E. RA. TO. BE. BT. Ky shkrim, që është shumë i vështirë për ta kuptuar se çfarë thotë, deri tani e kanë deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Kjo përkrenare është një unikum, i vetmi dhe i veçanti, që gjendet në muze. Ajo i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Kjo përkrenare në pikëpamjen estetike, është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm, të fortë dhe me vullnet të hekurt. Sado që kjo përkrenare ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian.

Foto nga ekspozita e çelur në janar 2018 “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”
Foto nga ekspozita e çelur në janar 2018 “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”

 

Më poshtë informacioni i gazetës “Besa” vazhdon për shpatat e Heroit Kombëtar. Në Muzeun e Arteve të Vjenës ka dy shpata të Skënderbeut. Njëra shpatë është me dorezë kadifeje, në të cilën shënohet emri i Skënderbeut dhe është e gjatë 88.5 cm dhe e gjerë 5.7 cm, me dy tehe, me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer, që përmban disa shkronja latine, ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë. Pesha e kësaj shpate është 1300 gr. dhe bashkë me këllëfin, është 1900 gr.Shpata tjetër është me dorezë lëkure shagren, ka në anët e jashtme katër arabeska të thella, tri rripa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e gjithë shpatës është 3, 2 kg. Kjo formë me ornamente tregon se ajo është bërë në gjysmën e parë të shekullit XV.

Revista “Albania”, në numrin 8, të vitit I të botimit të saj, ka shkruar për armët e Skënderbeut, që ndodhen në Muzeun Perandorak të Vjenës. Përveç përkrenares dhe shpatës, që përshkruan artikulli, në këtë muze ndodhet edhe një shpatë tjetër, që mendohet se i përkiste Skënderbeut. Kjo shpatë është vendosur në sallën Karli V (salla XXVII), nën numrin 345. Doreza është punim turk. Tehu është i dekoruar me zbukurime dhe mbishkrime. Mbishkrimi nuk është i saktë. Ai ka gabime. Ja ky është teksti: “Libehadour – Oullah Iskenderbeg”, që do të thotë: “Mbrojtësit të perëndisë, Skënderbeut”.
Doreza dhe këllëfi nuk janë të njëkohshme me tehun. Ato janë punuar pas vitit 1466 e janë ndryshuar, pas vdekjes së Skënderbeut.
Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrenchk (Shrenk), e titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, është tabloja XVI, Skënderbeu me përkrenare me Nr. 71 (127), sipas këtij përshkrimi: Në një kornizë me ornamente të shumta, rri në këmbë në profil Skënderbeu, duke kthyer kokën dhe mjekrën e gjatë nga krahu i majtë. Ai është i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure dhe ajo mbërthehet në gjoks nga shirita. Në krahun e djathtë mban lart shpatën e zhveshur Nr. 345 (550), ndërsa poshtë në tokë, afër këmbës, qëndron përkrenarja Nr. 71 (127). Në kokë Skënderbeu mban një beretë. Objektet, që janë pasqyruar në këtë pikturë, i ngjajnë shumë origjinaleve që ndodhen në Muzeun e Artit Historik të Vjenës. Duket qartë se këto dy objekte janë njohur në vitin 1601, si të Skënderbeut.
Historiani Kristo Frashëri saktëson shume vite më vonë se gazeta Besa në librin e vet “Historia e Skënderbeut” dhe cila nga shpatat përdorej në sheshin e betejave dhe cila për akte ceremoniale.

SHPATA E LUFTËS
Sipas Frashërit, ndër dy shpatat, ka mundësi që Skënderbeu në fushën e betejës të mos përdorte atë me trup të drejtë, por pallën me trup të harkuar (siç nënkuptohet nga Dh. Frëngu), për arsye se e para ishte e shkurtër për shtatin e tij të gjatë, kurse me pallën, të cilën e kishte në përdorim ushtria osmane, ai është familjarizuar më tepër se me të parën. Këtyre mund t’u shtohet dhe një arsye tjetër: me të parën luftëtari e kishte më të lehtë ta godiste kundërshtarin horizontalisht, kurse me të dytën kishte përfitim, sidomos kur ishte trupmadh, ta asgjësonte më lehtë armikun me një të rënë të fuqishme vertikalisht. E njëjta gjë mund të thuhet dhe me përkrenaren, e cila nuk duhet të ketë qenë komode në fushën e betejës. Përfundimisht, mund të thuhet se si përkrenarja ashtu edhe shpata me trup të drejtë i kanë shërbyer Skënderbeut. Kjo e dyta të jetë shpata që Papa Pali II i dhuroi Heroit, natën e Krishtlindjeve të vitit 1466.
Nuk ka dyshim se objekti më interesant nga armët e Heroit tonë Kombëtar mbetet përkrenarja me simbolin e saj krejt të veçantë në krye, kokën e dhisë. Sipas Frashërit se çfarë ajo simbolizon mbi përkrenaren e Skënderbeut, është vështirë të shpjegohet me saktësi. Mund të shpjegohet me kultin e dhisë së egër, simbolin e zanave shqiptare, të cilat jetojnë, sipas legjendës, edhe sot në bjeshkët e larta, përfshirë edhe në atë të Gjelagjoshit, mali që qëndron mbi krye të Qidhnës së Dibrës. Mirëpo kulti i dhisë së egër sigurisht që ka një shtrirje më të gjerë në mitologjinë ballkanike, duke datuar që në kultin e Zeusit, ku ai i hedhur nga Olimpi nga e ëma e vet, Gjea për t’i shpëtuar frikës paranojake të atit të vetë Kronit që gëlltiste çdo qenie që lindte, bie në Kretë dhe ushqehet nga një dhi e quajtur Amaltia. Ka shenja që tregojnë se kulti i dhisë së egër është shumë i lashtë.
Është tashmë një dëshmi e njohur nëpërmjet Plutarkut se Pirro i Epirit mbante një kokë dhie të ngjashme në përkrenaren e vet, çka mund të mendohet për një kult të mirëformuar në viset epiriote ilirike. Gjatë gjithë jetës së vet, qysh prej kthimit të tij në viset atërore, Skënderbeu ndihej shumë krenar ndaj trashëgimisë epiriote-maqedonase të territoreve të veta, fakt që dëshmohet dhe në letrën e vet dërguar Princit të Tarantit në 1461 ku nënvizon origjinën epiriotase të popullsisë arbre. Një dëshmi tjetër është vepra e Barletit ku vazhdimisht përforcohet origjina epiriote e trojeve dhe popullsisë arbre. “Njerëzit kur vështronin atë rini luftarake dhe kur shikonin atë lule burrash rreth Skënderbeut, nuk u dukej aq çudi që fuqitë e Muratit ishin thyer prej shqiptarëve. Me të vërtetë ishin kthyer atëherë përsëri shkëlqimi i lashtë i Maqedonisë dhe dukej se kishin ardhur prapë tamam, siç ishin dikur, kohët tanimë të harruara të Aleksandrit dhe të Pirros”. Mesa duket kjo krenari e trashëguar nga antikiteti që u rigjet sërish gjatë Rilindjes Kombëtare dhe u rishfaq më dukshëm në kohën e shtetformimit shqiptar shërbeu për përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve, ku armët e Skënderbeut luajtën një rol të veçantë si objekte krenarie dhe dëshmuese të një formacioni politik të suksesshëm të shqiptarëve në mesjetë. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet që me porosi të qeverisë shqiptare të paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937 nga një mjeshtër i talentuar austriak u ekspozua në Muzeun Historik të Tiranës. Me iniciativën e Dr. Karl Paç si edhe të mjaft intelektualëve të kohës u ngrit një sallë e veçantë, kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ata i kërkuan Ministrisë së Arsimit të caktonte mjetet e duhura financiare për të paguar përgatitjen e kopjeve të objekteve origjinale së Skënderbeut, që gjendeshin në Muzeun e Oborrit Perandorak të Vjenës. Falë parave të mbledhura me këtë rast kopja e shpatës dhe kopja e përkrenares së Skënderbeut u ekspozuan në muze. Ambicia e Dr. Paç nuk përfundoi me kaq. Ai i shkroi Akademisë së Skulpturës të Muzeut të Vjenës për të mundësuar një kopje të bustit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në pavijonin e mesjetës të Muzeut Historik Kombëtar qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtimit osman pasqyrohet me anën e objekteve, fotografive dhe dokumenteve të kohës. Nëpërmjet hartave, gravurave, si edhe mjaft botimeve origjinale vizitorët njihen me Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili simbolizon luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman. Skënderbeu është përfaqësuesi më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, sepse me nismën e tij u realizua Besëlidhja e Lezhës, që është i pari bashkim politik dhe ushtarak i shqiptarëve. Figura e Gjergj Kastriotit ka qenë në qendër të vëmendjes edhe të opinionit publik europian. Atij i është kushtuar literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe. Shembulli i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për mobilizimin e popujve në luftën kundër pushtimit osman.
PERIUDHA E
SKËNDERBEUT NË MHK
Përsa u përket objekteve origjinale Muzeu Historik Kombëtar disponon dy kambana. Një kambanë është gjetur në kishën e Shën Kollit në Shelcan, në krahinën malore të Shpatit, në rrethin e Elbasanit. Në pjesën e pasme të kambanës është gdhendur me numra romakë mbishkrimi ÇÇLV që korrespondon me vitin 1455. Në pjesën e përparme të kambanës është gdhendur një skenë e veçantë, në të cilën paraqitet nëna e Shën Mërisë, Shën Ana e ulur në fron dhe në duar mban dy flamuj të cilët përfundojnë me nga një kryq. Në prehër mban Shën Mërinë. Ndërsa në prehrin e Shën Mërisë është Krishti fëmijë. Kambana tjetër është gjetur në kishën e Karpenit të Kavajës. Kambana daton në vitin 1465. Mbi të gjendet një mbishkrim në latinisht: TIHS MÇÇLXV që korrespondon me vitin 1564. Një vend të dukshëm në pavijon zënë kopja e shpatës dhe e përkrenares së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilat janë realizuar sipas origjinalit që gjendet në Muzeun Perandorak të Vjenës. Kopja e shpatës së Gjergj Kastriotit është punuar në vitin 1981. Shpata është prej bakri, punuar me teknikën artizanale të rrahjes. Kopja e përkrenares së Gjergj Kastriotit është punuar në vitin 1981 nga argjendarët R. Hoti dhe J. Devole. Në pjesën kulmore të përkrenares është vendosur një kokë dhie e gdhendur. Përkrenarja është prej bakri. Nga brenda është veshur me lëkurë, që del paksa mbi ballë. Ajo rrethohet prej një rripi lëkure, të zbukuruar me gjashtë trëndafila të praruar. Në këndin e gjetjeve të reja të Muzeut Historik Kombëtar ka disa objekte që lidhen më figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ndër to mund të veçonim një portret të qëndisur të Skënderbeut, i cili është punuar nga Qamil Xhelal Shtina kur ka qenë i burgosur nga Ahmet Zogu, në vitin 1926. Objekt interesant është edhe një karrige me stemën e Skënderbeut, e cila është e gdhendur në mënyrë artizanale. Në pjesën mbështetëse ka të gdhendur portretin e Skënderbeut. Karrigia i është dhuruar Muzeut Historik Kombëtar nga Osman Dervishi me banim në Sidnej të Australisë. Karrigia është blerë në Romë dhe e kanë shpënë në Ambasadën e Shqipërisë, ku ja kanë dorëzuar ambasadorit Z. M. Musalia. Memoria kolektive historike është një nga mjetet që sendërton fuqishëm identitetin e një popullsie dhe në rastin e etnisë shqiptare, kjo kujtesë kolektive kombëtare shërbeu si një mjet bashkues për ngjizjen e identitetit kombëtar.

*Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar (titujt janë të redaksisë)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.