AKTUALITET

Studentët nuk tërhiqen, vazhdon ngujimi brenda godinave të fakulteteve

15:25 - 15.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Qindra studentë të universiteteve publike në vend vazhdojnë të ngujuar brenda godinave të fakulteteve të tyre deri në plotësimin e kërkesave që ata i kanë parashtruar qeverisë. Ditën e djeshme edhe studentë nga universitetet e rretheve si ai i Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës i janë bashkuar protestës duke bojkotuar mësimin. Deri më tani të rinjtë theksojnë se nuk do të heqin dorë nga qëndresa deri në rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë dhe tregojnë se po punojnë me grupe të tjera studentësh për ti tërhequr në protestën e tyre. “Bojkoti i mësimit vazhdon dhe do të vazhdojë deri në rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë. Ne nuk do të tërhiqemi. Aktualisht janë ngujuar brenda fakulteteve studentët e Ekonomikut, Drejtësisë, Arkitekturës, Inxhinierisë së Ndërtimit, Mjekësisë, dhe së fundi na janë bashkuar edhe ata të Politeknikut. Mesa kemi informacion edhe në universitetin Aleksandër Xhuvani në Shkodër nuk është zhvilluar mësim, e po ashtu edhe në Durrës e Elbasan. Studentët e bashkuar kanë për të fituar”,-thotë një prej studentëve të Ekonomikut për ‘Gazeta Shqiptare’.




Reagimi i senatit të UT-së
Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre. Përmes një njoftimi për shtyp, Senati Akademik i UT-së thekson mbështetjen e tyre për studentët dhe kërkesat që ato kanë. Në të njëjtën kohë Senati garanton të drejtën e studentëve dhe personelit akademik për zhvillimin normal të mësimit. Po ashtu nënvizohet shtyrja e pagesës së tarifave shkollore si dhe shtyrjen e plotësimit të dokumentacionit për përfitimin e bursave.

Reagimi i pedagogëve
Pas ndërhyrjes së policisë brenda auditorëve ku ndodhen studentët e ngujuar, ka reaguar edhe departamenti i Marketing-Turizëm në Fakultetin Ekonomik. Përmes një peticioni pedagogët e këtij departamenti kërkojnë reagim serioz dhe të menjëhershëm të institucioneve përkatëse. “Departamenti Marketing-Turizëm, Fakulteti Ekonomik, Universiteti Tiranës, lidhur me ngjarjet e fundit dënon ndërhyrjen e forcave policore në ambientet universitare dhe aktet e dhunës së ushtruar ndaj studenteve; mbështet arsimin cilësor për të përmirësuar aktivitetin akademik dhe gjetjen e një platforme të përshtatshme të konsultuar nga stafet akademike. Kërkojmë një reagim serioz dhe të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse për dy pikat e lartpërmendura”,-thuhet në deklaratën e pedagogëve. “Gaztori nuk ka plan të ulë tarifat e masterit, të rrisë peshën e votës studentore, të ndalojë financimin publik të diplomoreve private, të rrisë buxhetin për arsimin, të rrëzojë ligjin e arsimit të lartë etj. I vetmi plan i tij është të gënjejë dhe ndërsejë policinë. Senatorët e Universitetit të Tiranës kanë shpikur mënyrën se si tejkalohet parimi i të tretës së përjashtuar në një kontradiktë. Këtej mbështesin kërkesat e studentëve, andej bëjnë thirrje për rifillimin e mësimit. Me sa duket nga njëri vesh i tërheq gaztori dhe nga tjetri studentët. Dhe në vend se t’u skuqet faqja nga mosdënimi i dhunimit policor të universiteteve thjesht po u skuqen veshët”,-thotë pedagogu Qori.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.