OPINION

Tepsi, timon dhe kadri

07:36 - 15.01.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në shtator 2013, tepsia me dy garuzhde rrinte disi e ngushtë për orekset e dy garuzhdembajtësve. Privatizime strategjike nuk kishte më. Koncesionet, edhe ato ishin duke mbaruar. Megjithatë, u bënë shumë gjëra të mira. Mbi gjysmë miliardë euro iu dhanë qindra e qindra kompanive, ku shteti kishte hyrë borxh (shumica e parave u gjetën duke rritur borxhin publik, pra borxhin e shqiptarëve). Por të paktën u shlye një pjesë e mirë e një borxhi, që po paralizonte sipërmarrjen private aq fort të lidhur me shtetin.




Nga ana tjetër, sistemi energjetik i vendit, gati në kolaps, u arrit të shpëtohej dhe të nisnin sërish investimet. Por, përmirësimi i nivelit të humbjeve jo-teknike (pra vjedhjeve) nga një disiplinë spartane, duke treguar edhe dyert e burgut, solli varfërimin e mëtejshëm të dhjetëra mijëra familjeve të varfra që nuk paguanin energjinë elektrike dhe me paratë e kursyera nga ky mospagim, ia dilnin të jetonin disi më pak varfër. Më 1 janar 2014, pjesa socialiste e tepsisë solli sistemin në rritje të taksave, duke hequr taksën e sheshtë. Një dështim i plotë, edhe pse deri tani vijon të shitet si sukses. Edhe pse taksa mbi fitimin u rrit me 50 për qind, mesatarja e rritjes së të ardhurave nga kjo taksë në pesë vitet 2014-2017 nuk i kalon 8 për qind! Rritja e ndjeshme e kësaj takse solli pakësimin e interesit të investuesve të huaj strategjikë për të investuar bindshëm tek ne. Një gjigant amerikano-turk i tekstileve që ua kishte vënë syrin mbeturinave të ish-kombinatit të tekstileve të Beratit, pasi humbi disa muaj në vitin 2013 duke thurur plane e bërë kontakte, u largua në qershor 2014, pa investuar. Në këmbim, u vendos në Maqedoni, ku punësoi 6 mijë punonjës.

Me gjithë dështimet një pas një dhe largimet e investuesve seriozë që po mendonin të vendoseshin tek ne, të tërhequr nga taksa e sheshtë dhe kosto e lirë e krahut të punës, socialistët tanë nuk zunë mend. I ndihmuan dy investimet gjigante të nisura përpara se sa ata të vinin në pushtet, TAP dhe hidrocentralet e Devollit, për të deklaruar çdo vit në periudhën 2014-2018 investime të huaja në nivele rreth 1 miliard dollarë në vit. Zhvillimin spontan të bujqësisë dhe turizmit (thjesht nga avantazhet krahasuese të tokës sonë dhe bukurive të saj) dhe mungesën e një bumi (rritjeje të fortë) të mirëfilltë të tyre nga mbështetja e duhur shtetërore, socialistët tanë e justifikuan me garuzhdembajtësin e dytë të tepsisë. Ai i paskësh pasur të gjitha fajet. Në qershor 2017, drejtuesi i sotëm i qeverisë, gjatë fushatës zgjedhore, me veshje, gjeste dhe fjalë të pazakonta për politikën e 26 viteve deri atëherë, arriti të ngjallte një shpresë jo të paktë tek shumë njerëz (“ky që vishet, flet e sillet kështu, duhet të jetë krejt ndryshe nga horrat e deritanishëm!”). Shpresë se me timonin vetëm do të shndërronte shumë gjëra për mirë. Shkurt, do ia dilte të bënte shtet dhe të mbante shumicën e shqiptarëve në vendin e tyre. Ndoshta edhe vetë e besonte këtë.

Njerëzit ia besuan këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme, shpresën e tyre. Mirëpo mes dëshirave të mira dhe realizimit të tyre është shpesh në mes një det i tërë. E ndjeu këtë peshë dhe provoi një muaj më vonë, duke siluruar të gjithë drejtorët e hipotekave, apo më pas, ata të spitaleve publike, për të shkundur një administratë përtace, arrogante dhe hajdute. Ishte një fillim i mbarë, por që nuk pati vijimësi. Provoi më tej populizmin e skajshëm të qeverisjes me qytetarët, nëpërmjet Platformës së Bashkëqeverisjes. Bëri të lumtur qindra qytetarë dhe akoma dhe më ankues e të zhgënjyer me dhjetëra mijëra të tjerë, që aplikonin pranë Bashkëqeverisjes dhe nuk gjenin drejtësinë që kërkonin, nga pamundësia e kësaj strukture që ishte në misionin e pamundur për të dubluar shtetin. Jo se nuk donin të ndihmonin qytetarët koordinatorët e Bashkëqeverisjes, por se një qasje e tillë, populizëm i pastër, nuk mund të prodhonte zgjidhje për të gjithë, por vetëm shkëlqim të rremë për ata pak hallezgjidhur të lumtur.

Bashkëqeverisja sot mund të prodhojë shifra se të gjithë atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që i janë drejtuar u ka dhënë përgjigje, por nuk tregon se përqindja e zgjidhjeve që ka mundur të japë në raport me kërkesat, është tejet e vogël dhe trishtuese në këto 14 muaj jetë (tetor 2017 – dhjetor 2018). Heronjtë u lodhën rrugës, jo se nuk donin të ndihmonin, por nuk e kishin atë grusht të fuqishëm të lëviznin malin që z’bzan, një administratë thellësisht të korruptuar, që nuk u jepte informacionin që u duhej, që në çdo çast i pengonte, tallte, dyzonte, edhe duke i tunduar me favore personale. Kurse kryetimonieri nuk është lodhur ende. Kjo është një gjë shumë e mirë. Ai beson akoma. Ndërroi më shumë se gjysmën e qeverisë përpara gjelit të detit të 31 dhjetorit 2018. Solli deputetin më të ndershëm të parlamentit të ishte zëvendës i tij.

Por shpresa e njerëzve kësajrradhe, ndryshe nga koha e çitjaneve nëpër podiume, është shumë më e vakët. Duhet t’i hyjë detit me këmbë në këto dy vite e gjysmë që i kanë mbetur. Dhe ngushëllimi apo vrerderdhja tek kadrinjtë që nuk e lënë t’u tregojë njerëzve se sa shumë dhe mirë ka bërë, është vetëvrasëse për shanset që kjo hyrje e detit në këmbë të ketë sukses. Kadrijtë, gjysmë-kadrijtë dhe pseudo-kadrijtë nuk i bëjnë punë, sado t’i provokojë. Do i duhet aleancë me të ndershëm të sprovuar, për të bërë varkën e Odiseut. Itaka e shqiptarëve quhet shprehja: “Më shumë se gjysma e qytetarëve të këtij vendi të mos duan të ikin jashtë shtetit nga sytë këmbët!”. Sot është vetëm 40 për qind. Me studentët tregoi durim dhe përulësi. I duhet edhe syçelësi për të afruar rreth vetes dhe motivuar të ndershmit, tërësisht të ndershmit në administratë. Ka shumë të tillë, duhet vetëm t’i gjejë dhe t’u ofrojë zemrën, nëse e ka me tërë mend. Këta tre elementë duhet  të jenë vajguri i llambës së tij të Diogjenit, për të gjetur shpresën e humbur të shqiptarëve se vendi i tyre bëhet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.