SPORT

Roshi: Kombëtarja nuk shkëlqeu, por do ta nisim si me Portugalinë

10:45 - 17.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Odise Roshi ka qenë një nga mungesat e mëdha të përfaqësueses shqiptare gjatë Ligës së Kombeve për shkak të dëmtimi të pësuar që e la jashtë fushave të lojës për një kohë të gjatë. Mesfushori tregon se tani është më pranë kthimit në fushën e lojës, edhe pse i duhet edhe një muaj për të qenë në maksimum e për të zbritur rregullisht edhe ai në terrenin e gjelbër. “Prej dy ditësh jam i grumbulluar me skuadrën e Akhmat Grozni. Kemi një fazë të gjatë përpara. Në fund të shkurtit nis kampionati. E nisim pak me vonesë, pasi, siç dihet, temperaturat janë nën minus. Për momentin jam shumë mirë. Dje kam bërë disa teste, të cilat dolën pozitive. Por më duhet edhe pak kohë, besoj 1 muaj që të jem 100%, që të stërvitem me ekipin. Do filloj gradualisht që të futem pak nga pak. Po stërvitem në mënyrë individuale. Po stërvitem edhe me grupin, ato 10-20 minutat e para të stërvitjes, pastaj kaloj individual me trajnerin personal që kam këtu”, shpjegoi ai në një intervistë për “Ora News”.




“Kam folur me trajnerin dhe doktorin, ku më kanë thënë se do të jem gati 100% për rifillimin e kampionatit. Nganjëherë nuk i dihet. Varet nga trupi i njeriut. Kur e ndjen futbollisti veten mirë atëherë mund të zbres në fushë. Besoj se para datës 5 do të jem i gatshëm dhe për këtë fakt duhet të jem edhe i gatshëm për ekipin kombëtar”,-vijoi ai.

Por si e ka parë Roshi kombëtaren si tifoz në këtë periudhë mungese? Fillimisht mesfushori tregon se nuk ka pasur gjatë këtyre muajve kontakte me Panuçin, ndërsa më pas pohon se skuadra ka shfaqur disa mangësi.

“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Panuçin, por kam pasur me ndihmësit e tij, trajnerin e dytë, me të kam pasur gjithë kohës. Besoj se nuk ka qenë një kombëtare shumë e mirë, por kemi bërë edhe paraqitje të mira. Kemi bërë edhe paraqitje të këqija si gjithmonë. Por besoj se ka pasur edhe shumë mungesa të disa lojtarëve, që po të ishin, do të kishin arritur edhe rezultate më të mira. Shpresojmë që në ndeshjen e parë eliminatore të marrim 3 pikët, dhe pastaj të ecim siç bëmë përballë Portugalisë në Evropian. Morëm 3 pikët e para edhe kaluam. Shpresojmë te e njëjta gjë edhe këtë vit”, theksoi ai.
Roshi është në vitin e fundit të kontratës me Akhmat Grozni, por pranon se për momentin nuk është i fokusuar te kjo çështje, por te riaftësimi dhe aktivizimi sa më i rregullt. “Me thënë të drejtën këtë nuk e di akoma se jam marr vetëm me planin përkatës dhe nuk kam komunikuar as me klubin për kontratën apo diçka tjetër. Thjesht dua të kthehem në 100% të formës”,-deklaroi ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.