BOTA

Mbyllja e qeverisë, Trump i anulon udhëtimin Nancy Pelosit

09:33 - 18.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duke përmendur mbylljen e pjesshme të Qeverisë, presidenti amerikan, Donald Trump ka detyruar anulimin e një udhëtimi që ishte planifikuar ta realizojë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Afganistan.




Trump i ka thënë në një letër Pelosit se delegacioni kongresional, i cili ishte planifikuar të vizitojë trupat amerikane në Afganistan si dhe të bëjë një ndalesë në Bruksel, nuk do të mund të udhëtojë me aeroplan ushtarak, pasi këto takime i ka cilësuar si “ngjarje të marrëdhënieve me publikun”.

“Teksa 800,000 punëtorë amerikanë të shkëlqyeshëm nuk janë duke u paguar, unë jam i sigurt se pajtoheni që shtyrja e kësaj ngjarjeje të lidhur me marrëdhëniet me publikun është vendim i duhur”, ka thënë Trump në një letër.

“Ne do të riorganizojmë këtë udhëtim kur të përfundojë mbyllja e qeverisë”, ka shtuar ai, duke përmendur se Pelosi dhe ligjvënës të tjerë janë të lirë të udhëtojnë përmes linjave komerciale.

Pelosi në anën tjetër nuk e ka komentuar vendimin e Trumpit, të cilin ka të drejtë ta marrë, si komandant i ushtrisë.

Më vonë, Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka njoftuar anulimin e udhëtimit të delegacionit amerikan në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos të Zvicrës.

Mospajtimet politike në mes të liderëve shtetërorë kanë rezultuar me ditën e 27 të mbylljes së qeverisë, njëherësh mbylljes më të gjatë në historinë amerikane.

Qeveria është mbyllur pjesërisht pasi Trump kërkon më shumë se 5 miliardë dollarë për të ndërtuar murin me Meksikën, propozim i kundërshtuar nga demokratët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.