Kryesore

Merr fund ngërçi, Edi Rama tani edhe Ministër i Jashtëm

11:05 - 18.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka marrë fund saga e postit të Ministrit të Jashtëm, e cila për javë të tëra solli përplasjen institucionale mes Presidencës dhe Kryeministrisë.




Këtë të premte, Presidenti Ilir Meta ka dekretuar në postin e Ministrit të Jashtëm, Kryeministrit Edi Rama duke plotësuar në këtë mënyrë zyrtarisht, ndryshimet në qeveri që ndodhën në fund të vitit të kaluar.

Në të njëjtën kohë, Presidenti Meta ka dekretuar edhe shkarkimin e Ditmir Bushatit nga ky post.

“Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që :   Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.” thuhet në dekretin e zotit Meta.

Një ditë më parë, i ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, Meta tha se është duke e shqyrtuar.

“Po shikojmë parimet e Kushtetutës sonë për këtë rast pasi nuk e kemi pasur më parë. Jemi duke parë edhe precedentët. Po shikojmë dhe rastet e rajonit si për shembull të Italisë ku është bazuar kushtetuta jonë. Unë nuk thashë as do ta dekretoj dhe as nuk do ta dekretoj. Do të shkoj nesër në zyrë dhe do ta diskutoj edhe një herë me këshilltarët e mi dhe do të vendosim”, tha Meta.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është njëveprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.

Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që :   Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.