SPORT

Shameti: Duam titullin, s’ka çështje “Rexhinaldo”

17:00 - 18.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Dy fitore dhe një humbje përballë skuadrës që kryeson kampionatin turk Istanbul Basaksehir. “Më mirë se kaq nuk mund të bëhej” kjo shprehje e njohur në zhargonin e përditshëm i shkon përshtat fazës përgatitore të Kukësit në Antalya. Kushtet optimale, asnjë dëmtim, stërvitje me ritëm të lartë dhe paraqitje shumë të mira në miqësore. Blutë e mbyllën këtë periudhë të rëndësishme po ashtu si përfunduan fazën e dytë, me ADN-në e një skuadre fituese. Kapiteni Ylli Shameti pavarësisht se nuk shquhet për deklarata euforike, nuk gjen asnjë aspekt negativ në mënyrën se si Kukësi zhvilloi përgatitjet në Turqi. “Kemi bërë një fazë përgatitore në kushte optimale. Nuk është viti i parë që shkojmë. Fushat ishin shumë të mira, si dhe zhvilluam miqësore me ekipe shumë të forta. Logjikisht këto miqësoret nuk janë në nivelin e ndeshjeve zyrtare, por shpresoj të na ndihmojnë në kolaudimin e skuadrës dhe fillimin sa më të mirë të 2 fazave të mbetura të kampionatit”, deklaroi Shameti për “Supersport”.
Vasil Shkurtaj, Eduart Rroca, dy goditje që kanë ndikuar në cilësinë e skuadrës. Shameti ka pasur mundësinë t’i sfidojë si kundërshtarë dhe është i ndërgjegjshëm për potencialin e dy prurjeve të reja, ka vetëm një pengesë që mund të ngadalësojë ritmin e tyre, përshtatja me lojën e Kukësit. “Çdo lojtar ka nevojë për t’u përshtatur. Vijnë në ekip tjetër. Gjëja e mirë është që janë të 2 shqiptarë, e njohin kampionatin, kanë luajtur këtu. Me cilësitë e tyre besoj se do na ndihmojnë shumë. Shpresoj të integrohen dhe të bëhen bashkë me ekipin sa më shpejtë. Besoj do jenë 2 blerje të goditura që do na ndihmojnë në fund për arritjen e objektivave”.




34-vjeçari është një lider jo vetëm në fushë por edhe në dhomat e zhveshjes, Reginaldo ngjan si i “divorcuar në shtëpi”, por për kapitenin nuk ka asnjë çështje. “Ne jemi lojtarë dhe askush nuk e pranon stolin. Kjo është një gjë e mirë. Pasi një lojtar që pranon stolin, tregon që nuk mund të presësh shumë nga ai. Rexhinaldo ka bërë mirë. Nuk ka pasur një sulmues tjetër në krahë që të rritej konkurrenca. Patjetër që tani me Shkurtajn konkurrenca është rritur. Mendoj që e vendos stafi teknik se kush do zbresë në fushë. Të 2 do të jenë shumë të nevojshëm për ekipin. Nuk mendoj që ka një çështje “Rexhinaldo”. E rëndësishme është që të gjithë të bëjmë maksimumin, në fushë në stol, apo në tribunë”.
Merkato ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, çdo afrim është i mirëpritur, megjithatë ndonjëherë ekuilibrat e skuadrës kanë më shumë vlerë se sa një futbollist i ardhur në janar. “Sa më shumë lojtarë të kesh aq më mirë është. Ndonjëherë të kthehen edhe kundër. Nëse merr lojtarë të mirë, të gjithë duhet të luajnë. E mos kesh lojtarë, prapë keq. Në qoftë se vjen ndonjë lojtar që mund të na shërbejë është i mirëpritur”.

Ditët e fundit të përmendësh tek Kukësi objektiv tjetër përveç titullit është mëkat, investimet e kanë dërguar në qiell presionin për trofeun, në lidhje me këtë Ylli Shameti e ka një mesazh për shokët e skuadrës. “Kukësi gjithmonë ka bërë investime për titullin kampion. Të paktën këto 3-4 vitet e fundit. Të gjithë lojtarët duhet të dinë se ku vinë. Duhet të njohin presidentin dhe objektivat. Po të jesh lartë presioni është më i madh. Vërtet kemi bërë shumë gabime në 2 fazat e para. Kemi rikuperuar në dy të tjerat”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.