Homo Albanicus

A ka mbaruar e Majta shqiptare prej vitit ‘90?!

07:20 - 19.01.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mënyra sesi po sillet qeveria e kryeministrit Edi Rama, por edhe sesi veproi ajo e paraardhësve të tij, tregon se e Majta si koncept ideologjik në vendin tonë nuk funksionon ose më saktë nuk ka funksionuar asnjëherë si e tillë, në erën demokratike. Në të gjithë historinë tonë, për shkak të konfuzionit teorik dhe shtetit të dobët, ideologjia e të Majtës dhe të Djathtës afrojnë në shumë pika, por ajo që i bën njerëzit e zakonshëm të ngatërrohen me to, lidhet me ligjëratën e tyre për trashëgiminë “e rëndë” kombëtare dhe diskursin fals për popullin. Nga ana e saj, e Majta, e tepron edhe më kur futet dhe vepron tek prona, shpesh në mënyrë të parregullt dhe në aleancën me të pasurit, që sot përcillet me partneritetin e vazhdueshëm dhe aspak efektiv PPP. I gjithë ky mjedis kaotik i ngjitet nga sipër trashëgimisë së socializmit si shtresëzim, duke e bërë ende të largët fizionominë e një të Majte moderne.




Fatkeqësia më e madhe është mosfunksionimi i komuniteteve të mëdha punëtore dhe ngritja e sindikatave të pavarura, që do të mund të diktonin rregulla loje, por edhe normalitete të kushteve të punëtorëve në ekonomi. Sindikatat ekzistuese, qoftë edhe në atë masë të pakët që janë, rezultojnë nga më të paturpshmet sa i përket flirteve me qeveritë duke hequr një nga mbështetjet e bazës ideologjikë të së Majtës. Paradoksi më i madh është sot se qeveria e sotme socialiste, ashtu si paraardhëset sillet si e Djathtë dhe është krejt jashtë zgjidhjes së nevojave të njerëzve, për të mos thënë të fundit: Cinike me ta.

Mbi të gjitha, e Majta shqiptare, ka ardhur koha realisht të tregohet unike kur përballet me problemet kombëtare që mundon t’i shfrytëzojë shpesh hidhur e ashtuquajtura E Djathtë, teksa fiton pikë në çdo moment kaosi, siç po mundohet në këto kohë kaq të turbullta për vendin. Ose duke përcjellë gjendje të tilla pa shpresë, që na mbajnë në ngërçe aq të vazhdueshme. Si mund ta kapësh, këtë frymë negative? Përveç të gjitha elementëve, e Djathta në Shqipëri mundohet të ngrejë dhe të glorifikojë, siç po ndodh rëndom tek ne, institucionet e vjetra dhe të sfumojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë e shkuar kundër këtyre institucioneve. Dhe, nuk mjaftohen me kaq. Retushi i madh që po i bën të shkuarës së pjesës reaksionare dhe mbulimi i shumë fatkeqësive të kaluara, por edhe fjetja (Në fakt, konfuzioni i saj) e të ashtuquajturës së Majtë në ditët tona bën që e Djathta t’i paraqesë si vlerë mirëfilli.

Sërish, nuk mbaron këtu. Partia e sotme Socialiste veç dukjes ka ndryshuar shumë duke iu drejtuar qëndrimit ndaj të pasurve dhe zgjidhjes së problemeve të njerëzve të thjeshtë. Shembull është struktura socialiste parlamentare dhe ligjërimi i saj në legjislativ.

E ndaj ndodh, që njerëzit e thjeshtë janë pa punë ose po i drejtohen masivisht emigracionit, pasi idetë e maxhorancës janë më afër interesave financiare të disa grupimeve të fuqishme sesa njerëzve.

E Majta shqiptare bën reforma në dukje ose shpall të tilla, por asaj i mungojnë gjetja e fondeve për arsimin dhe kërkimin shkencor, mirëqenien sociale ndërsa ka harruar të shohë realisht burimet themelore sa u përket pabarazive të shumta ekonomike, sociale dhe politike. E Majta nuk ka sot një politikë të duhur të pensioneve, por edhe të taksave për të ndihmuar në krijimin e mundësive të një jetese normale ndaj punëtorëve dhe familjeve të zakonshme.

Koha e sotme nuk u jep mundësi fashave të ndryshme të shoqërisë që të integrohen, teksa e Majta sillet si e Djathtë, ndërsa me reformat e veta i shpërndan pasuritë me prioritet të kamurit ndaj të varfrit, pa mundur që këtyre të fundit t’u japë mundësi të shpresojnë.

Cili e ka dëmtuar më shumë të Majtën? Përshtypja është se njerëzit që u munduan ta bëjnë të Majtën në vend ishin të paqartë. Duke filluar nga Noli dhe deri sot te Rama, që pak lidhje ka me të Majtën, të paktën nga mënyra e artikulimit, asnjë nga njerëzit e kësaj ideologjie nuk ka qenë i sinqertë me doktrinën e vet.

Ka ardhur koha që e Majta, para të Djathtës (kjo e fundit do jetë dhe për një kohë të gjatë në kërkim të identitetit tek ne) të fokusojë qëllimet e veta dhe të shfaqet si e Majtë, duke menduar më shumë për masën dhe rregullat normale të lojës, që t’i ndijnë njerëzit e thjeshtë. Mbase qeveria e z. Rama e ka të vështirë ashtu si deputetët e tij ta kuptojnë të Majtën si ideologji, por duhet që për hir të votave të njerëzve që besojnë se i përkasin kësaj ideologjie, të ruajnë atë trashëgimi të pakët që ka mbetur prej së Majtës së vërtetë. Po, në fakt, a ka mbetur më e Majtë pas vitit 1990! (Gazeta Shqiptare)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.