Kryesore

Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD, zbardhet lista e kandidatëve për kryesinë dhe sekretariatin

09:10 - 19.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Demokratët përmes votës së fshehtë zgjedhin sot drejtuesit e rinj të partisë. 362 anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar do të votojnë për njerëzit, të cilët do të drejtojnë këtë forcë politike për 4 vitet e ardhshme. Pjesë e votimit është zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm, dy nënkryetarëve, 15 anëtarë të kryesisë, si dhe sekretariatet. Në një dalje për mediat, kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri dje publike kandidaturat që do t’i propozojë sot Këshillit Kombëtar për zgjedhjen e kryesisë së partisë, zgjedhjen e sekretariatit ekzekutiv dhe funksional. Z.Basha njoftoi se pikë e dytë e rendit të ditës së Këshillit Kombëtar do të jetë diskutimi i gjendjes politike në vend. Basha bëri të ditur gjithashtu se sot do t’i propozojë Këshillit Kombëtar për kryetar kandidaturën e zotit Bujar Nishani dhe do të kërkojë votëbesimin për dy nënkryetarët në detyrë të zgjedhur apo të votëbesuar nga grupi parlamentar në të këtë sesion, zotit Paloka dhe zotit Spaho. Anëtarë eksioficio të kryesisë së PD-së, tha Basha, janë kryetari i Forumit Rinor të PD-së dhe kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas. Po kështu, Basha njoftoi se do t’i propozojë sot Këshillit Kombëtar Halim Kosovën si kryetar i Komisionit të Integritetit dhe Etikës, Jemin Gjanën si kryetar të Komisionit Zgjedhor, Arben Ristanin si kryetar të Komisionit të Apelimit dhe Alfred Rushajn si kryetar të Bordit Financiar të PD-së.




Ndryshimet
Referuar listës së plotë të kandidatëve të publikuar dje nga z.Basha, ndryshime të ndjeshme janë ato që prekin sekretarin e PD-së. Kështu, sekretari i përgjithshëm në detyrë, Arben Ristani, nuk do rikandidojë më për këtë funksion. Basha ka propozuar garë mes Dorjan Telitit dhe Gazmend Bardhit për postin e rëndësishëm në PD. Edhe Enno Bozdo nuk do jetë më sekretar organizativ. Në vend të tij i janë propozuar Këshillit Kombëtar emrat e Sahit Dollapit dhe Lulzim Omurit. Ndërsa emri i ri që bëhet pjesë e PD-së është ai i Çlirim Gjatës, ish-kryetar i KQZ-së i cili kandidon për sekretar të çështjeve ligjore përballë Marinela Ziut. Ndërsa sekretariati për çështjet zgjedhore do të ndahet mes Ivi Kasos dhe Dorjan Gjonmarkajn. Lidhur me numrin dy të PD-së, Lulzim Basha kërkon votësim për Edi Palokën dhe Edmond Spahon, të dy si nënkryetarë, duke mospreferuar kandidimin e një emri të ri në pozicionin e bashkëpunëtorëve më të afërt. Pas konstituimit të kryesisë dhe sekretariateve, do jenë deputetët, ata që do zgjedhin kreun e ri të grupit parlamentar. Me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, të miratuara prillin e vitit të kaluar, 15 anëtarë të kryesisë do të votohen nga këshilli, një model ky i ndryshëm nga ai që Basha zgjodhi në mandatin e parë si kryetar partie e që është i njëjtë me modelin e Berishës. Sipas statutit, të gjitha kandidaturat për këto poste i cakton kryetari i partisë.

Takimet
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, prej disa ditësh ka thirrur në zyrë kanidatët që ai ka menduar për t’ia propozuar sot Këshillit Kombëtar. Për disa nga postet kyçe, kreu i PD-së mësohet të ketë zhvilluar ditët e fundit takime të veçanta për të konfirmuar vullnetin e kandidatëve për të garuar në këto pozicione. Vendimi i Bashës për të thirrur Këshillin Kombëtar të PD-së dhe për të përzgjedhur lidershipin e ri shënon edhe fundin e procesit të riorganizimit të PD-së, të nisur që pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2017. Ndryshe nga kryesia, që funksionoi mandatin e parë të Bashës në krye të partisë, në të cilin anëtarët ishin pjesë e këtij organi për shkak të detyrave që mbanin, këtë herë më shumë se gjysma e anëtarëve do të votohen. Sipas statutit të ri të PD-së, të miratuar në prill 2018, anëtarët e Këshillit Kombëtar do të zgjedhin në kryesinë e PD-së me votim të fshehtë 15 anëtarë, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante. Kryesia e re, e cila do të dalë nga votat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, do të ketë vendimmarrje të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Statuti i ri i PD-së parashikon që Kryesia të vendosë për kandidatët për kryetarë bashkie, kandidatët deputetë, pas konsultimit me anëtarësinë e plotë të PDSH-së sipas parimit “Një anëtar, një votë” dhe kandidatët për kryetarë të degëve të PDSH-së.

Lista e plotë, kandidatët për 15 anëtarët e kryesisë së PD

1.Agron Shehaj
2.Aldo Bumçi
3.Arben Beqiri
4.Arben Ibro
5.Avenir Peka
6.Bardh Spahia
7.Besart Kadia
8.Dhurata Çupi
9.Dritan Shano
10.Dorjan Gjonmarkaj
11.Endri Hasa
12.Enkelejd Alibeaj
13.Enkelejda Sallaku
14.Eno Bozdo
15.Enri Çeno
16.Ervin Salianji
17.Fatbardh Kadilli
18.Fatbardha Kadiu
19.Fatbardh Sallaku
20.Fitim Zekthi
21.Flamur Hoxha
22.Flamur Noka
23.Florion Mima
24.Gazmend Koduzi
25.Genc Pollo
26.Gent Strazimiri
27.Genti Malko
28.Gerti Bogdani
29.Grida Duma
30.Izmira Ulqinaku
31.Jamarbër Malltezi
32.Jorida Tabaku
33.Kastriot Sulka
34.Klevis Balliu
35.Lendina Mandia
36.Luçiano Boçi
37.Lindita Metalia
38.Mateo Spaho
39.Nada Meçorapja
40.Nevila Xhindi
41.Ndriçim Mehmeti
42.Oerd Bylykbashi
43.Orjola Pampuri
44.Roland Bejko
45.Rudina Hajdari
46.Tomor Alizoti
47.Tritan Shehu
48.Valentina Duka
49.Xhemal Gjunkshi

Kryesia e PDSH-së

Neni 52
Kryesia e PDSH-së përbëhet nga:
1. Kryetari i partisë.
2. Nënkryetarët e partisë.
3. Sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë, të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.
4. Kryetarët e organizatave partnere.
5. 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.
6. Zëdhënësi i Partisë si dhe sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga kryetari i PDSH-së.

Statuti i Partisë Demokratike

Kompetencat e Këshillit Kombëtar
Neni 50
1. Këshilli Kombëtar drejtohet nga kryetari i këshillit, i cili zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, në mbledhjen e tij të parë të konstituimit, për një mandat 4-vjeçar.
2. Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret kryetari i partisë, ose kryetari i Këshillit me miratim të kryetarit të partisë, pas konsultimit me kryesinë e partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Në këtë rast, kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës. Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në vit. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes.
3. Këshilli Kombëtar merr të gjitha vendimet e rëndësishme politike që mund të kërkojnë rrethanat kur Kuvendi Kombëtar nuk është i mbledhur dhe kur ato nuk janë parashikuar në këtë Statut si e drejtë vetëm e Kuvendit.
4. Këshilli Kombëtar, me propozim të kryesisë së PDSH-së ose kryetarit të Partisë, zgjedh dhe/ose shkarkon, me votim të fshehtë:
a) Kryetarin e Këshillit Kombëtar.
b) Sekretarin e përgjithshëm.
c) Nënkryetarët e partisë.
d) Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së PDSH-së.
e) Sekretarët funksionalë.
f) Komisionin e Apelimit.
g) Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë.
5. Këshilli Kombëtar, me propozim të Kryesisë së PDSH-së ose kryetarit të partisë, ushtron edhe këto përgjegjësi apo të drejta:
a. Miraton Rregulloren e Brendshme dhe aktet e tjera të nevojshme nënstatutore për zbatimin e këtij statuti apo mbarëvajtjen e punës në parti.
b. Miraton listën e kandidaturave elektorale sipas vendimit të Kryesisë së PDSH-së.
c. Shpall masat disiplinore për anëtarët e Këshillit Kombëtar apo Kryesisë së PDSH-së, të cilat mund të ankimohen pranë Komisionit të Apelimit.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.