MILOSAO

Dyshi hidhet nga shtata dhe gjen njëshin (nga masa e mediave, te media e masave)

16:45 - 20.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me shkas nga nëntitulli dhe trauma e paparë që paranjofton fjalia e parë e librit të parë që nis koleksionin Meduza, Shpërthimi i gazetarisë, në botimet Zenit: prej goditjes së
“meteorit internet”në tokë dhe numerizimi i botës e shndërrimi i biotopit informacional që kjo shkakton. Por edhe rastit të parë special kur, i pranishëm në promovim, as i kam lexuar librat përtej hedhjes një sy nën urgjencën e pagëzimit të kolanës me një emër. Në kushtet e së cilës na ndih për të dyja, referimi mitik mbi profanimin e tempullit me aktin e përdhunimit të bukurisë Meduzë prej fuqisë Poseidon dhe ngurrosja në vijim prej vështrimit sy më sy. Gjithsesi, e pranueshme kjo alibi e imja falë dorëzanie për herë të parë si bashkëbotues, Instiutit politik të studimeve humane, si dhe gjenerozitetit prej Autoritetit të mediave të cilët i falenderoj për ftesën. Kësisoj, po vijoj duke e ruajtur efikasitetin që sjell paralelizimi dhe enumeracioni, me një rast prej kronikës së ditës nga një e përditshme.
Ndehur në krye të saj, titulli: Hidhen nga kati i shtatë, gjejnë vdekjen.




Shtjellimi: Një çift të moshuarish hidhen nga kati shtatë dhe gjejnë vdekjen!
Më poshtë: Hidhen sëtoku nga lartësia, gjë që ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të të dyve. Policia po kërkon shkaqet e kësaj (shënimi i saj, të përditshmes).
Nuk bëhet fjalë për shkaqet e mospërputhjes mes kohëve të foljes, pra vdekjes që sikur i paraprin hedhjes në kohën e tashme, a thua se shfaqet teksa po ndodh live. Në fund, shenja e piksimit: pikë. Që gjithsesi lë të hapur mundësinë dhe të sigurt gatishmërinë e gazetarisë që, nëqoftëse eventualisht do të ketë numra të tjerë të përfshirë si shkaktarë, kjo do të shkaktojë menjëherë vënien në garë se kush do të jetë më i pari për njoftimin më të fundit lajmërues të përfshirjes në ndryshimin e rendit të këtyre numrave. Përndryshe… kaq, dhe paskëtaj lajmi hesht… ose heshtet. Thjesht, në mungesë lënde dhe materiali faktik që të implikojë ndonjë serial numrash. Biles, edhe numrin më të afërt progresiv të mundshëm, si për të shmangur njëkohësisht edhe plagjiaturën, sapo e vuri në përdorim gazeta konkurente, plus një specifikim interesant shtesë :
Çifti i të moshuarve hidhet nga kati i tetë (megjithë dyqanet).
E këtu, gabimi te sintaksa dhe ortografia e pikësimit vjen e bëhet njësh me gjëmën dhe rrezikun e shkrehjes së beftë të së qeshurës. Gjë që, si zakonisht e për ironi të fatit, i rri aq pranë situatave ekstreme të pikëllimit. Nuk ka as kohë, në rendjen pas lajmit dhe numrave, t’i vihesh pas edhe fatit të shkronjave. Aq më pak të operosh në rendin simbolik të numrave dhe atë figurativ imagjinar, si përshembull nën qasjen : … pasi nuk rrinë dot më brenda rrathëve të ferrit, ku kanë mbërritur të shtatin, hidhen nga sheshpushimi i katit të tetë. Aq më pak akoma, të këshillosh se për raste çiftesh më të rinj që do mund të marrin një vendim të tiilë, kati lypset të jetë përpjestueshmërisht më i lartë për të shkaktuar me siguri më të lartë atë çka ata kanë vendosur të realizojnë, kjo për shkak të vetë kondicionit fizik, normalisht më të shëndetshëm. Sidoqoftë, kur bën vaki një rast i ngjashëm rinor, zakonisht është më me interes ta orjentosh titullin drejt versionit me rimë: burri hedh gruan e vet dhe fill më pas hidhet edhe vetë. Duke qenë se zgjon dy mundësi nën një suspansë e papërcaktueshmëri dhe për pasojë dyfish interes. E kjo taktikë gazetarie besoj se do jetë cekur në librin Televizioni dhe kultura rinore. Kurse një titull mbi hedhjen e një palë pleqsh, mund të shtyhet maksimumi deri te basti i parashikimit se ky lajm është i fundëm, i përmbyllur në vetvete, i pashtjellueshëm, pra me shumë gjasë nuk do të ketë numra të tjerë si shkaqe pas këtij akti, e për pasojë as ç’të thuhet pas tij. Dhe kështusoj, nuk mund të hidhet dot as në bastet normale me para të opinioneve parashikuese, nga lajmet e thjeshta te gjeo-politika konspirative, tani që, me vendim nga lart, lojrat e fatit po mbyllen.
Atëherë, në shfaqje të një rangu më të lartë profesionalizmi guximtar dhe aftësie për të paraparë që s’ka dorë tjetër pas këtij akti – prej vetë faktit të kapjes dorë më dorë si dëshmi e përplotë e vullnetit të plotë të dyshes për të ikur nga kjo botë, dhe aq më pak lidhje të tjera ekstragjeografike, përpos faktit të vdekjes së menjëhershme pas përplasjes me tokën, si dhe hollësisë në lidhje me të bijtë e të afërmit, të cilët nuk ndodhen pranë meqë gjenden të shpërndarë në meridanë të ndryshëm të planetit – ja dhe titulli disi më i zgjeruar për një testatë të detajuar në lidhje me shkakun, e njëkohësisht të figurshme:


Një çift të moshuarish hidhen nga kati i tetë prej trishtimit.
Madje, kjo e përditëshme e ka marrë të mirëqenë përfshirjen e dyqaneve të katit përdhes në llogaritjen e lartësisë së ngrehinës sipas modelit perëndimor. Pa qenë nevoja për sqarimin e hedhjes nga kati i tetë ’megjithë dyqanet’, i cili do mund të keqkuptohej si një vërvitje e përbashkuar e varfërisë tok me mirëqenien e prosperitetin edhe mallrave, tek bien nga qielli. Gjë që jo vetëm e tejkalon trishtimin, por nuk i mjafton as mjerimi te pauperizmi si gjendja kronike e tij e pashpresë. Ku nuk gabon të thyejë këmbën e të hyjë as ëndrra. Që zakonisht është aq e pasur me subjekte të ngopjes e nginjjes e plot bujari për barqet e zbrazët. Sepse kur mjerimi rrënqethës rri mu ndanë pasurisë dhe duhmës së mondanes: kalohet në gjendjen kristaline të mizerjes. Mjeranes. Aty ku u ndal Migjeni të shihte, kur ishte ende herët dhe pothuaj ende bosh pragut matanë.
Për saktësi asnjë prej gazetave nuk do të jetë shprehur në lidhje me detajin e katit si i cilësuar i parafundit. Jo vetëm se kjo dukej qartë edhe nga pamjet e kronikave televizive, por edhe sepse, përveç numrit si më tërheqës për lexuesin, nuk ka kohë për të zhbiruar nëse shtesa si kat i fundit është e legalizuar apo jo, e për ta konsideruar edhe ligjërisht e përmendur korrektësisht në shtyp. Por edhe në rast se po, duhet hetuar edhe mbi hekurat përpjetë e përmbi të, si qimet e derrit ku ra ngulthi dhe mbeti vetevrari trumcak i Poetit.
Gjithsesi, shpresoj që të mos kaploheni nga e njëjta marramendje ime dhe ta ruani edhe pak ekuilibrin meqë, tekefundit, këtu po bëjmë një paralele nga jeta reale, që në fakt nuk gjen lidhje të drejtpërdrejtë me librin. Besoj, as me tjetrin e kësaj kolane, Sociologjia e televizionit. Sigurisht që do të konsiderohej thjesht lajthitje e rëndomtë ortografike e do të ndryshohej atypëraty, pa qënë as nevoja të censurohet me urdhër – aq më pak kur censura ka kohë që realizohet përmes inflacionimit pa fre të shkrimit, pengmarrjes së shijes dhe refuzimit selektiv të “leximit” të saj – pra, do të merrej për gafë sikur shprehja e këtij lajmi kronike të qe, për shembull: Çifti dorëpërdore hidhet nga kati i shtatë i trishtimit!
Mirëpo, ca si shumë romantik ky për një lajm realiteti, siç nga ana tjetër rezulton tepër e thatë numerologjia e rendit simbolik: dyshi hidhet nga shtata ose teta dhe gjen njëshin.
***
Te ky çast i hedhjes në çift parakalojnë imazhe frame të kohërave. Qysh prej atij primordial adamik, kur Ai dhe Ajo vendosin vetëvrasjen e qashtërsisë për një sfidë: të kapërdijnë një kafshatë të ndaluar, mbase nën kureshtjen për të kuptuar mes brendie edhe ç’është dija e pushtetit mbi ta. Nga ky ballkon i vërvitjes për në dheun poshtë, parakalojnë pamje të artit, nga Shekspiri i tragjedisë romantike të ballkonatës së vet, te Hygoi epik i të mjerëve të mizerjes e te Bodleri elegjiak i kryqit mes atij spleen si gjendje e trishtimit brengosës dhe mërzisë bodleriane që edhe i lypset njeriut për të ndriçuar njohjen e njerëzores, e gjer dhe absurdi beketian i personazhit në çift pleqsh të veprës me titull: Oh, këto ditë të bukura!
E nëse rasti i kësi çasti nuk bart këtë ngarkesë, pra as absurdin vetë si finale dhe rrugëdalje interpretimi pa rrugëdalje, është pikërisht prej kësaj që akti bëhet tmerrues. Pa implikimin e dashurisë si shtysë e pakontrolluehme moshe pasioni: akti tyre s’gjen alibi. Kësisoj, i mbetet veçse politikja e tij, përsaqë e tyrja është një vetvrasje jo individuale por in-dividum, e pandashme, e duetit që rri në bazë të jetës dhe mbërjes së shoqërisë. Që i dha të shtymen.
Te libri “Sikurqenia” haset dhe një faqe kronike të cilën e di dhe vetë se është e dobët e ku kam rënë në dobësinë e hakmarrjes pa artin e duhur të përshkrimit të realitetit, më shumë si për inat e mëri e hasmëri ndaj realitetit mediatik të përshkrimit, të cilin u përpoqa më kot ta vizatoja me fjalë në formën e një vegle pune antike që druvari dikur e përdorte edhe për të mundësuar lëndën për letrën e shkrimit, por zakonisht për dru zjarri apo si këtu nën funksion tjetër dytësor të zakoneve të të fortit për motive të dobëta:

Kur qenia e dobët po i çan
kokën një qenieje të fortë
atëherë kjo qenie e sertë
dhe sipas dialektit të vet
ia çan kokën, apo, kryet
atypëraty me një sëpatë
qenies ca më të shkretë
që na pat krejt fajin vetë
përsa: nuk e linte të qetë
Sakaq, qarkorja e qendrës
shpall të zhdukur në drejtim
të pa ditur këtë të ndërkryer
që nuk denjoi fare të paraqitej
së paku sa për të qenë i paditur
dhe e bën krejt të qartë që vrasja
nëpërmjet pjesës së mprehtë të një
arme të hekurt relativisht të ftohtë
e ashtuquajtur një sëpatë me myqe
edhe ndarja e kokës horizontalisht
më dysh e në lartësinë e qerpikëve
pa asnjë mëdyshje është kryer me
paraqëllim të qëllimshëm
Kohë e pas kohe
gazetat qendrore që
s’ka ç’qullosin përpos
zisë kronike të qenieve
do pasqyrojnë lajmet për
aq e kaq vjeçarin, që është
zhdukur e që s’është kthyer
akoma nga drejtimi i pa ditur
qysh ahere kur qëlloi me pjesën
e përparme të një sëpate kaq e aq
vjeçaren, që, këto ditë, në bazë të
datës së saj të lindjes, do t’qe duke
festuar ditëlindjen
meqë do mbushte kaq e aq vjeç, teksa
miqtë e mikeshat me pjatat në pëqi dhe
qerasjet mes gishtash maniqyr do thonin:
edhe njëqind!
Ndërkohë, aq e kaq vjeçari, pra ai që e qëlloi
e që tani, me llogari, i binte të qe aq e kaq vjeç
do të qe inatosur me siguri, si një kriminel që qe
teksa do shihte me qesëndi viktimën e ardhëshme
po të qe këtu
tani-tani që, për hir të së vërtetës, duhet thënë që
në fakt, aq e kaq vjeçari mbetet ende si qyshkur
në drejtim të paditur, ndërkohë që kaq vjeçarja
që ka ditëlindjen, fatkeqsisht ka ndërruar jetë
Qashtu siç gazetat na e kanë bërë të qartë
që me pasqyrimin qysh në faqe të parë
të çastit kur, qenia tjetër aq vjeçare
atëbotë që qenë në bashkëshortësi
qëlloi
për vdekje kaq e aq vjeçaren
që tani prehet mu në paqe
të qiellit.

Para se ta mbyll, më duhet ta rikthej fjalën edhe njëherë aty nga e nisëm. Si bishti qerthull i gjarprit që i jepet kafshimit prej kokës nëpër kryet e Meduzës. Dallimin nga kuptimi i termit ‘shpërthim’ si vitalitet, lindje, shpërthim si i një bulbi, te shpërthimi si hedhje në erë, shpartallim, anullim, vdekje, titulli në shqip i librit Shpërthimi i gazetarisë e lë në pezull, të pashpërthyer. Aq më mirë, për të apeluar qysh nga titulli atë që gjuha e bart dhe e përcjell mbase jo më kot si ambiguitet dhe qasje dyfishësie pozicionimi mendues, dyshues, reflektues. Siç në rastet e mbara kur gazetaria nuk qe fotografja amatore e realitetit për kronikë e thjesht për të mësuar një lajm, por vështruesja me sy të shqyer e reales, për të kumtuar me lajm e për të mëtuar prej lajmit. Ndaj, mund të quanim gazetarë e kronikanë të klasit të parë vetë Migjenin, Nolin, Konicën, apo dhe Kutelin, Koliqin, Petro Markon e Ismail Kadarenë.
Janë në botë jo pak ata që kanë kaluar nga gazetaria, kronika, pamfleti dhe editoria; nga Sëift te Ëilliam Blake e te Ëitman, nga Hemingueji tek Orëell, Pasolini, Kamy e Markes, e me rradhë. Mirëpo, tani është gjithë e më e vështirë të shkojnë të tillë.
Jetojmë me kohë në kohën e dorëzimit të gazetarisë dhe medias, nga shpërthimi i saj iniciator – si pushteti i katërt, nën atributin e zërit voix of people për një drejtpeshim të treshes pushtet e përkundër ushtrimit të teprisë dhe arbitrares dhunuese e pushtuese -, tek atashimi në rradhët e mercenarizmit, në betejat e nën urdhrat e pushtetit. E prapëseprapë, është nga media dhe shtypi ku mbarset e ngjizet edhe nevoja e rikthimit në pozitat e misionares së fillimeve. Shtypi dhe media kanë përcjellë edhe valët e lirisë e humanizmit, edhe valët e të ligës model gëbelsian përmes radios së nazizmit. Siç Meduza mit i dyfishtë i vështrimit e rrezikut, bukurisë dhe tërheqjes prej spektaklit të shëmtisë, parzmores mbrojtëse dhe shtizës që kall datën me kokën e mizorisë.
Gazeta dhe televizioni, mes fjalës dhe imazhit, lëndës materie dhe valë, qielli dhe toke, legjitimes dhe arbitrares, tundimit dhe ndëshkimit, është një farë çifti Eva-Adam.
Bartëse e një mëkati që u përket të gjithëve, gjithaq e fajshme sa e pafajshme.
Në trajektoren e kalimit tonë të regjimeve e pushteteve të shtypjes dhe shtypit përkatës, nga bufonata pa një censurë kushedi, ama gjakmarëse, e mbretërisë, mandej te demokracia popullore e shpalljes pa liri, e tanimë në lirinë populiste të palljes me dhe pa demokraci, medias as i janë dashur këto komplikime mitike. E mbyllim kronikën këtu dhe me gjuhën e të zezën ngjyrë të saj, që ndehet nëpër ekrane e shtëpi bashkë me muzgun:
Sot e për rastin në fjalë, nga nisi edhe kjo fjalë, mund të thuhet me plot gojën se ajo, media, me ngulmimin e përditshëm, derë më derë e dorë më dorë me pushtetin, ka dorë të padukshme në valën e erës që i dha një dorë shtysës së ciftit plak të vërvitur në ajri, dorëzuar vullnetit edhe urtisë së gravitetit, kapur dora-dorës.
“Vetvrasja e trumcakut”, në mjaft raste rileximesh, më ngjan se mban përbrenda edhe marazin e autorit që po vret copëra të artit të veprës së vet, duke apeluar diku më hapur e më me tepri vullnetet e ndrydhuna dhe emergjencën si shoqëri, për mos me mbet ‘ai thumbi i ngulun në trutë e njerzisë’.
Krenar Zejno, AMA, 3 dhjetor 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.