MILOSAO

Haiku i bardhë i dimrit

14:30 - 20.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Feride Papleka




Shi i hollë si fletë ari
Troket në dritare –
Prag dimri

Një qiell i ulët
Re të hirta që shtohen –
Dimri erdhi pa ftuar

Fillim dimri:
Drita vjen e dobësohet:
Shpresa mpaket

Mbi tokën dimërore
Jeta harxhohet –
Sodis e trishtuar çastin

Njëra pas tjetrës
Ditët ikin më shpejt
Tashmë është dimër

Bardhësi dimri –
Ngjyrë jetëshkurtër
Që frikësohet nga dielli

Pashë ëndërr
Një jetë krejt ndryshe –
Ishte dimër

Në sytë e mi
Hëna e zbehtë
Derdh dritë argjendi

Qyteti është i heshtur
Ka rënë në gjumë
Është vërtet dimër

Me libër në dorë
Në netët e gjata
Harrohem nëpër kohë

Mes dimrit të thellë
Vizitoj të shkuarën
Me hap të lehtë

Nën plepin e fëmijërisë
Është strukur përjetë
Parajsa e humbur

Dëborë që bie
Fëmijë që luajnë
Jetë që ikën

Mes borës alpine
Një zjarr bubulak –
Mos është zemra jote ?

Qielli nuk shihet
Një parfum bore
Si ëndërr e bardhë

Një çunak që është im bir
Qesh e qesh
Bora hedh valle

Në errësirën e mbrëmjes
Yje bore –
Ëndërritje e pastër

Lulet janë vyshkur
Në saksitë me ngjyrë –
Kulmi i dimrit

Tërë pasditen
Nga dritarja
Rruga qe e shkretë

Stuhi dimri
Drurë që gremisen
Si ushtarët në luftë

Një grua imcake
E përlotur në rrugë –
Dimër është jeta

Horizonti nxin:
Matanë detit
Një pëllumb i bardhë

Dimër i pakohë:
Në shtëpinë e vjetër
Ëndërroj dhembshuri

Eci në jetën time
Asnjë urë për të kapërcyer
Në anën tjetër

Ngjyrë e hirtë –
Dita dimërore
Pasqyrë dëshpërimi

Sytë më rrinë me lot
Brenda meje
Ka hyrë i ftohti

Faqe shkrimi :
Diell i fshehtë
Që ma ngroh shpirtin

Mbi fletën e pastër
Fjalët dalin cullake
Sido që bën dimër

Era e dimrit
Si zemërim dashurie
Që arratiset

Një rreze dielli
Troket në xhama
Është dimër

Borë alpine :
Malet kanë vënë
Kapuç të bardhë

Vetmi gruaje –
Natë e gjatë dimri
Me emrin pikëllim

Një zemër e qetë :
Çaste të ëmbla
Në acarin dimëror

Vetja ime e dytë
Ecën pa u lodhur
Unë e ndjek pas

Duart e tua
Objekt bukurie
Për dashurinë time

Ëndërr dimri :
Një fotokopje e hënës
Rri varur në mur

Lexoj në ditar
Dikush ka dhënë shpirt :
Natë dimri

Fund dhjetori
Ndërroj kalendarin,
Një vit më pak

Dritë e dobët dimri
Mjegull e dendur
Mendime të errëta

Hija ime
Lëviz në absurd:
Dimri i shpirtit afrohet

Kur kthehem pas
Ca dritëza ndizen –
Çaste lumturie

Rrugë e rrugina
Veshur me brymë dimri
Unë shkruaj haiku

Një lule e çelur
Në mes të dimrit :
Shenjë qiellore

Natë pa gjumë
Natë që nxin
Kur jam larg teje

Engjëlli i vdekjes
Përshkon mendjen time:
Ngjyrë e zezë

Dimër 2002:
Jeta ime
Rrëshqiste në humnerë

Në netët e gjata
Fytyra ime e sëmurë
Si hënë dimërore

Kjo botë pluskuese:
Kujtim i hidhur
Dimër që s’mbaron

Dashuri e humbur
Në këtë dimër
Brigjeve të jetës

Kohë dimri
Kur shoh ëndërr
Dashuria rrëqethet

Dritë e brishtë
Një flatër zogu feks
Pas xhamit të larë

Natë dimri
Qiell i yjëzuar
Pranvera s’është larg

Duke soditur
Një grua që lyp
Dimri ngurron të ikë

Një fije drite
Nuk e di nga vjen-
Fund dimri

I ftohtë therës
Akulli befas shkrin :
Një buzëqeshje burri

Në qiellin e lartë
Retë fillojnë e zhbëhen
Dimri po largohet

Një gjeth më përshëndet
Unë hap dritaren
S’ka më dimër


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.