AKTUALITET

“Me pagën minimale dhe zhvlerësimin e euros kemi humbur avantazhin konkurrues”

11:00 - 20.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zhvlerësimi i euros është një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare. Disa prej kompanive në industrinë agropërpunuese, të cilat eksportojnë jashtë, janë detyruar të rrisin çmimet, në mënyrë që të përballojnë humbjet. Ulja e TVSH-së për fermerët nga 20% në 6% do të sjellë shtrenjtimin e lëndëve të para për sektorin. Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, thotë për “Monitor” se kjo është një goditje e dytë.




Si e prisni vitin 2019?
Në vitin 2019, ne presim një qasje tjetër të qeverisë për konsultimin publik-privat. Shpresojmë që qeveria të ndryshojë sjelljen e saj me biznesin. Rasti më i fundit ishte rritja e pragut për pagën minimale pa u konsultuar me grupet e interesit. Rritja e pagës, në mendimin tim, duhet të vijë nga tregu. Rritja e pagës minimale, me urdhër administrativ, do të rrisë kostot për bizneset dhe do të tkurrë më tej hapësirat për investim dhe për të shtuar vende të reja pune. Një tjetër problematikë që ka prekur sektorin tonë, duke qenë se një pjesë e jona është edhe eksportuese, është zhvlerësimi i euros. Uroj që euro të rikuperojë nga humbjet e këtij viti. Për shkak të humbjeve nga kursi i këmbimit, kompanitë në industrinë agroushqimore janë rezervuar në investim. Një pjesë e industrisë ka rritur çmimet me klientët. Normat e fitimit për kompanitë e sektorit do të ishin zero, në rast se ne nuk do të rrisnim çmimet për klientët tanë. Megjithatë, duhet të shtoj se rritja e çmimeve nuk ka amortizuar të gjithë humbjet nga zhvlerësimi i valutës. Vendimi për rritjen e pagës minimale në mënyrë të papritur, por edhe zhvlerësimi i euros, e ka bërë ekonominë më pak konkurruese në tregjet rajonale. Aktualisht nuk është një klimë e mirë për të bërë biznes në vend, pasi biznesi pengohet me gjëra absurde dhe nuk merren në konsideratë shqetësimet tona. Mendoj që ka ardhur momenti i krijimit të një instituti që harton politikat ekonomike në vend, në mënyrë shkencore dhe të pavarur. Deri më tani, politikat kanë qenë të pamenduara, duke vënë në vështirësi biznesin.

Çfarë do të sjellin ndryshimet në Paketën Fiskale për industrinë ushqimore në vend?
Nga Paketa Fiskale kemi marrë goditjen më të madhe, që është ulja e TVSH-së për fermerin në 6% nga 20% që u vendos në vitin 2014. Për sektorin tonë kjo do të jetë goditja e dytë pas euros. Me këtë vendim rriten kostot për lëndët e para të produkteve vendase me 14%, duke i bërë ato jo konkurruese.

Si mund të përfitojë Shqipëria nga taksa që u ka vendosur prodhimeve serbe dhe boshnjake Kosova?
Embargo e vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake ka dhënë efekt tek eksportet shqiptare drejt Kosovës. Megjithatë, rritja është e pandjeshme, për shkak të barrierave që ekzistojnë, të cilat pengojnë qarkullimin dhe hyrjen në treg të prodhimeve për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Kostoja e tranzitimit nga një shtet në tjetrin është shumë e lartë, gjë që e bën të pamundur në nivelin e bizneseve të vogla të mesme dhe të produkteve të freskëta për të përfituar nga kjo hapësirë që është krijuar tashmë në tregun e Kosovës. Ky vendim po jep ndikim tek eksportet e produkteve që tregtojnë bizneset e mëdha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.