Kryesore

Tërhiqet projekti i teatrit? Çipi: S’ka më përralla me arkitektë të huaj

14:30 - 20.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Arkitekti danez i projektit të shumëdebatuar për Teatrin Kombëtar, Bjark Ingels, është tërhequr. Prej dy ditësh ky është lajmi që qarkullin në media. Deri më sot nuk ka pasur as konfirmim, as përgënjeshtrim. “GSH” ka kontaktuar zyrën e shtypit Ministrisë së Kulturës për çështjen, por zëdhënësja është shprehur se nuk ka informacion. Gjatë këtyre dy ditëve, një lajm i publikuar në “Exit.al” thotë se firma “Bjarke Ingels e arkitektit danez me të njëjtin emër është tërhequr nga projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Tërheqjen e kanë konfirmuar për ‘Exit.al’ burime të sigurta”.




I kontaktuar nga “Gazeta shqiptare”, ish-drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, regjisori Kastriot Çipi tha dje se ai nuk ka një informacion të sigurt nëse Ingels është tërhequr. Si një prej artistëve që ende qëndron në protestë, Çipi tha se, “kompania nuk e ka konfirmuar, por vetë fakti që nuk e përgënjeshtron do të thotë diçka”. Sipas tij, ky është në fakt truku. “Ky është një tjetër hap pas i qeverisë, e cila nuk mund të dalë më e nuk mundet të fryjë opinionin publik me përrallën e një arkitekti të huaj, të njohur ndërkombëtar, vepra e të cilit në Tiranë do të ishte një pikë atraksioni turistik. Nuk mund ta thonë më, se kështu na u servir”, – tha dje Çipi. Megjithatë, regjisori thotë se fakti që Ingels mund të jetë tërhequr, mund të çojë edhe te delegimi i punës ose dhënia e projektit një arkitekti shqiptar.

“Nuk do të ishte hera e parë. Ka ndodhur edhe më herët që projekte të nisura nga të huaj janë bërë nga arkitektë shqiptarë. Shiten të huajt sa për të mashtruar dhe dalin ustallarët shqiptarë”, tha Çipi. Nga ana tjetër, ai shtoi se që prej datës 13 dhjetor ka skaduar afati ligjor për të shpallur garën për projekte për Tetarin Kombëtar dhe ka skaduar edhe afati për të ngritur komisionin përzgjedhës. “Nuk mund të nxirren akte të tjera nënligjore për teatrin. Sepse do ishte shkelje ligjore”, – shtoi Çipi. Marsin e vitit të kaluar kryeministri Edi Rama ka publikuar në Kryeministri me ceremoni mes një grupi të zgjedhur artistësh, projektin e hartuar nga Ingels për Teatrin e ri Kombëtar. Qe paracaktuar që realizimi i projektit do të bëhej nga një kompani, përmes një ligji special.

Ndërsa projekti u bë publik në mars, protesta kundër shembjes së Teatrit Kombëtar aktual kishin nisur që në shkurt. Artistët më të njohur qenë vënë para godinës të bindur për ta mbrojtur deri në fund. Në takime të përjavshme, protesta e artistëve veçse përshkallëzohej. Me kalimin e muajve, artistët u përçanë, por debatet mes mbrojtësve të të Teatrit dhe mbështetësve të qeverisë u thelluan. Projekti parashikonte shembjen e dy teatrove kombëtarë të vendosur në një sipërfaqe prej 9 mijë metrash katrorë, për të ndërtuar një teatër të vetëm në tri kate. Artistë e pjesëtarë të shoqërisë civile u ankuan se trualli i tetarit po humbte, duke iu dhënë privatit. Ligji special u kritikua nga shumë grupe interesi, si edhe nga Bashkimi Evropian si shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA). Qeveria, nga ana e saj ngulmonte se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të ndërtuar një teatër të ri me paratë e taksapaguesve dhe se për këtë arsye, trualli i teatrit do i jepej privatit dhe se do të ishte privati që do e ndërtonte teatrin me paratë e tij.

Ligji kaloi në parlament më 5 korrik, por nuk u dekretua nga presidenti, i cili i ktheu në komisionin parlamentar. Por në komision mazhoranca, duke mos pranuar argumentet e presidentit e rikaloi ligjin me disa ndryshime. Parashihej hapja e një konkursi. Megjithatë, ndonëse në fund janari, nga teatri dhe ligji për të nuk ka asnjë lajm. Prej muajit shkurt protesta e artistëve vazhdon dhe prej muajit qershor kanë kaluar më shumë se 200 ditë që protesta është e përditshme. Çdo mbrëmje një grup artistësh mblidhen mes godinave të dy teatrove kombëtarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.