MILOSAO

“Tutori” i Mimoza Ahmetit, si Mjeshtri i Bulgakovit

15:00 - 20.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Ndjesia e parë që një lexues i kualifikuar merr nga “Tutori”, romani i fundit i Mimoza Ahmetit, është mbajtja e ritmit të narracionit. Dikush që do të testojë arritjen e autores, përpiqet të kapë më kot se kur do të bjerë regjistri i saj i rrëfimit dhe do shtjellet me linja të zakonshme. Jo, ai nuk bie dhe lexuesi rrëfimin fantastik të saj, pak si ngjashëm me “Mjeshtrin dhe Margaritën” e Bulgakovit, e merr deri në fund. Nëse nuk do kishte tek tuk ndoca gabime redaktimi atëherë rrjedha do ishte fare e bukur dhe e mrekullueshme qepur me këtë regjistër kaq artistik fikshëni. Në fakt edhe ashtu është.
Merita kryesore e Mimoza Ahmetit, në mendimin personal, është se me romanin e saj ka treguar se autori i letërsisë shqipe mund të përballet me sfida të formës dhe një nga vlerësimet për të duhet të shkojë pikërisht tek një fakt i thjeshtë: ajo sfidon vetë stilin dhe lojërat i bën me stilin e saj. Në këtë stad, një lexues respekton këtë element lojcak të saj për të parë dhe kuptuar se letërsia nuk ka vdekur dhe bashkë me të edhe autori.
Në manuale të psikologjisë, sociologjisë mund të gjesh përgjigje për shumë stade të qenies ose parastade, por letërsia si dikur edhe sot bën që t’i paraprijë këtyre shkencave për të treguar se ka diçka ku ato nuk do futen dot kurrë: Esenca kimike që prodhojnë emocionet tona, nuk mund të shpjegohen përmes ideve të sociologjisë, psikologjisë e me radhë. Autorja, pikërisht gjendjet e ndryshme ku vendoset psika jonë, mundohet t’i bashkojë në rrëfimin e saj fikshën për të dhuruar këtë gjë të veçantë të një hapësire, që ajo e krijon për të vendosur personazhet e saj dhe të na parashtrojë këtë lloj anti-rrëfimi të saj.




 



Një element i habitshëm, që zakonisht nuk ndodh në letrat shqipe, është kohëzgjatja e mbajtjes së librit. Referuar autores ky libër ka filluar nga viti 1994 dhe mbaroi në vitin 2017, por lexuesi zhvillimin e tij nuk e shikon me shumë diferenca, që do të thotë se autorja nuk ka punuar në formë piramidale, duke shtruar bazën dhe shtjelluar subjektin por ka ushtruar të gjithë upgrade që i ka bërë vetes ndër vite për të përshtatur si duhet romanin me lexuesin e sotëm. Do të ishte e këndshme, që dikush ta pyeste sesi ka nisur dhe si është përshtatur, por zakonisht kjo përgjigje e autores të mungon. Nga ana tjetër, një lexues mund të kundrojë vetë sesi ajo i shtjellon personazhet e saj, që duken më shumë si punë në akuarel. Për atë që ia del të bëjë perceptimin e duhur të personazhit irreal, problemi nuk është shkrimi por mbetet vëzhgimi, pasi ajo vetë duket e lodhur nga letërsia që mundohet të prodhojë kinse letërsi, ku shkollat, format dhe përmbajtjet (jo rrallë kiç) heqin mrekullinë e gjinisë, që i reziston këtij zhvillimi të jashtëzakonshëm të njerëzimit.
Personazhe ireale bashkohen me realet dhe autorja në përgjithësi të vendos në një lloj letërsie që duket sikur e ka bërë Bulgakovi në ditët tona, ndërsa të fut në një botë tranzicioni ku lexuesi pret më kot që personazhet të shquhen, e materializmi të bëhet i prekshëm. Jo “tortura” që të jep ajo është e madhe dhe të mban deri në fund për të kuptuar se dashuria, ky element i bukur është kaq hyjnor dhe prodhon tek e fundit papritshmëri shumë të mëdha, të cilat nuk mund të skedulohen në forma dhe asnjë llogari…
Ka dimension metafizik vepra e saj dhe me këtë në kokë ti e kupton në një farë mase vetë gjykimin dhe perceptimin që autorja nuk ka frikë dhe e shpreh hapur sepse shpesh është dhe mbetet vetja. Ajo ka dhe mban raportin e duhur me ndjenjat, por kërkimi i gjatë në fushën e psikës, e ka bërë të kuptojë si duhet veten e vet, ashtu si duket se lehtësimin e saj nga hulumtimi i thellë në disa nga shkencat ku zbulohet Uni e ka vendosur në një paqësi për egon e saj, që tek e fundit është i mbushur me kërkim.
Narracioni i saj në këtë vepër nuk është normal dhe i afrohet një anti-rrëfimi, ku lexuesi e ka të vështirë të gjejë vektorët e logjikës normale në letërsinë, që bëhet rëndom tek ne. Autorja e sfidon me kënaqësi kohën, një nga elementët më të vështirë të shqyrtimit të një romani dhe kjo e bën fabulën e krijimit të vet të notojë në drejtime ku nuk shkohet aq lehtë; ndërsa është hapësira që zë më shumë vend, e ku autorja tenton që të ngërthejë hapur personazhet e saj për të na treguar se tek e fundit qenia njerëzore e vërtetë në shumicën e rasteve është në një gjendje të tillë transi normal. Po a është normale kjo lloj forme?! Kur e merr në letërsi e kupton se është fare e logjikshme. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.