OPINION

Të largojë pulën e florinjtë?!

07:20 - 21.01.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pohimi dy ditë më parë për kandidim për së dyti në zgjedhjet vendore të qershorit 2019 të kryetarit të sotëm të bashkisë së kryeqytetit, erdhi në mes të një vorbulle idesh jo të zakonta që gati pa fare baza mbinë tek disa politikanë, sidomos të opozitës, por edhe mes shumë njerëzve të zakonshëm, thjesht të pakënaqur me sa e ka “ndritur” deri tani Rilindja. Ide se mos mes drejtuesve të pozitës së sotme ka grupazhe. Ka grupe interesi me dëshira dhe plane ende të mbajtura fshehur brenda Partisë Socialiste. Kjo jo vetëm ndezi oreksin e një opozite të papjekur dhe të etur për pushtet, e cila shpresoi se mund të shfrytëzonte çarjet mes socialistëve për diversion(pështjellim), sipas thënies së vjetër romake “Devida ed impera(përça e sundo)”, por furnizoi edhe fantazitë e njerëzve të zakonshëm. Të cilët, ndërsa gjerbnin kafenë e mëngjesit apo pasdites, nisën të flisnin për grupazhe mes socialistëve, për shembull për atë të dyshes Veliaj-Xhafaj kundër Ramës. E gjitha ishte prodhim i dinakërisë së një kryeministri të shndërruar tashmë në një krijesë të plotë politike, i cili bënte enkas sikur hezitonte.




Në të vërtetë, duke menduar politikisht, duke larguar nga vetja çdo lloj xhelozie, bezdie për kashillëk apo smirë ndaj dikujt që po bën gati edhe më mirë për kryeqytetin nga sa ka bërë ai në mandatin e tij të parë 2000-2003, drejtuesi i shumicës së sotme në pushtet e kupton qartë vlerën e dikur beniaminit të vet. Është aq i kthjellët (edhe pas ftohjes disi të pasionit fluturak të Rilindjes), sa të kuptojë se hambarin më të madh të votave pas pensionistëve, si për garën e qershorit 2019, edhe për atë të dy viteve e gjysmë më vonë, e përbën puna e kryetarit të sotëm të bashkisë së kryeqytetit. Ky ka mbjellë pemë më shumë se të gjithë kryetarët e të gjitha bashkive të vendit të marrë së bashku dhe më shumë edhe se të 5 kryetarët e bashkisë së Tiranës përpara tij(njeri, kryeministri i sotëm, me tre mandate rresht). Ka shtruar pothuajse të gjitha rrugët dytësore të Tiranës, duke e bërë një qytet të jetueshëm. Ka sjellë shërbime të reja publike, duke e nisur nga linjat e reja të autobusëve deri tek vaktet falas të organizuar për të pastrehët. Ka sjellë më shumë ndriçim, shfaqje kulturore dhe sportive se të gjithë kryebashkiakët e mëparshëm. Zotëron një stil pune që motivon të rinjtë, njerëzit me ide dhe profesionistët. Di të delegojë, të japë besim, të investojë mbi menexherët që angazhon, pa u bërë domosdoshmërisht zot i të gjithë informacionit dhe i çdo vendim-marrje. Kur shërbeu për më pak se dy vjet ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, la në punë njerëzit e aftë të qeverisjes së mëparshme të demokratëve.

Edhe pse ministër për një gjysmë mandati, mund të renditet ndër ministrat më të zotë dhe rezultativë që kemi patur ndonjëherë në këta 28 vitet e fundit, në rangun e Genc Rulit apo Ridvan Bodes. Madje ndryshe nga këta, di të jetë më veprues dhe t’u shkojë gjërave deri në fund. Si ministër, nisi një reformë tejet të vështirë e të gjatë të skemës së pensioneve, të cilën për 22 vjet nuk kishin guxuar ta fillonin me radhë të gjitha qeveritë që nga viti 1992 e deri në 2013, nga frika e bjerrjes së votave. Kur la punën si ministër, për të garuar për Tiranën, reformën në skemën e pensioneve e hëngri dreqi. Ka ngelur në vendnumëro. Këtë pulë të florinjtë as edhe një politikan i paparashikueshëm dhe jo rrallë herë peng humoresh të çastit si kryeministri i sotëm, nuk mund të mos e përfillë. Ditët e fundit, nëpër media, sa për të ngjallur pështjellim në radhët e opozitës (por jo pak ngriti edhe kureshtjet e qytetarëve), bëri sikur ngurronte se kë do të caktonte garues për Tiranën. Ishte një tallje e egër ndaj një opozite të papjekur dhe të papërgjegjshme për misionin e vet. Po ta kishte seriozisht, të injoronte, të linte mënjanë pulën e tij të florinjtë, do t’i ngjante marangozit që sharron degën ku ka hipur në këto tre vite e gjysmë. Sigurisht që një njeri i plotë politik, si drejtuesi i sotëm i shumicës në qeverisje, nuk mund ta bënte këtë harakiri. Dhe nuk e bëri.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.