AKTUALITET

Donika Prela në vetting, prokurorja probleme me pasurinë

10:39 - 22.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka zhvilluar seancën dëgjimore për drejtuesen e komanduar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Procesi i vettingut për Prelën është kryer nga trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.




Prela ka zgjedhur të jetë vetë e  pranishme në seancë, pa avokat. Relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari, tha se bazuar në raportin e ILDKPKI-së, Donika Prela nuk ka deklaruar huamarrjen në shumën 1 milionë lekë.

Vlera e blerjes së një toke arë nga Prela është e dyshimtë pasi zona është në zhvillim.

Sipas KPK-së, të ardhurat e Prelës janë nga paga si prokurore dhe paga e bashkëshortit si inxhinier.

“Nga të ardhurat e bashkëshortit kanë rezultuar disa problematika për vitet 2003-2005. Për një pjesë të pagës së bashkëshortit nuk janë paguar kontributet shoqërore dhe taksat. Prela ka deklaruar se bashkëshorti i ka huajtur shtetasit R.N shumen 25 mije euro ne dy keste. Shuma eshte marre tek kusheriri i tij. Bashkeshorti ka ndjekur kthimin e borxhit dhe interesat” tha relatorja.

Hetimi është kryer edhe për një apartament banimi me sipërfaqe 96 metra katrorë në emër të bashkëshortit, i cili është blerë për 32 mijë e 100 euro. Çmimi i apartamentit, rezulton më i ulët nga ai i tregut. Lidhur me vlerën e blerjes, u kryen disa hetime nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si dhe u pyet shoqëria ndërtuese.

Kjo shoqëri ktheu përgjigje, duke thënë se zoti Vangjel Prela ka qenë i punësuar aty dhe për këtë është dhënë me këtë çmim. Sipas shoqërisë, këtë praktikë e ka bërë edhe me punonjës të tjerë.

Kush është Donika Prela dhe skeda e pasurisë

Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.

Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Donika Prela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Donika Prela nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003; kohë që përkon me deklarimin e saj të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 11.1 milionë lekëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.