OPINION

“Kantier” diplomatik me shumë punë të pambaruara

07:40 - 22.01.19 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kushdo që ka shërbyer në diplomaci e di se përfundimi i punëve/dosjeve të caktuara kërkon kohën e vet. Madje, diplomacia shquhet pikërisht për ngadalësinë e veprimeve, sepse kur nxiton, vonon. Gjithsesi, si rrjedhojë e një pune që vazhdon për mbi dy dekada, diplomacia jonë kishte disa objektiva madhorë me afat vitin 2018. Pa mohuar disa hapa dhe demarshe të njohura, sidomos përkushtimin e trupës sonë diplomatike, pa qenë nevoja për analiza të thella, mjafton t’i hedhësh një sy qoftë dhe kalimthi dhe bindesh lehtë se diplomacia jonë i ngjan një kantieri të madh me shumë « sheshe ndërtimi » e me plot me punë të pambaruara. Kësisoj, në një farë mënyre jemi «përsëritës» klase me të njëjtat objektiva dhe detyra, por tanimë në kushte më të vështira të jashtme dhe të brendshme.




Ta fillojmë nga objektivi kryesor strategjik, çelja e negociatave të anëtarësimit në BE, kur 2018-ta ishte më ideali. Jo vetëm se ishte «viti i zgjerimit» por dhe sepse nuk kishte zgjedhje, ku zgjerimi drejt Ballkanit të ndikonte mbi elektoratet; Komisioni Evropian miratoi strategjinë e re të Zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, u zhvillua Samiti i Sofjes dhe ku veç mungesave, edhe rezultatet tona nuk mungonin.

Ndonëse Komisioni dhe Parlamenti Evropian e dhanë viston e tyre falë një pune të madhe të Tiranës zyrtare dhe të Ambasadës/Misionit tonë tejet efikas pranë BE-së në Bruksel «na ngelën» në klasë «për vjeshtë» tre vende të BE-së. Kësisoj, mbeti të kënaqeshim të gjithë me sinjalizimin e një date indikative për çeljen e negociatave këtë vit veçse gjithnjë me « në rast se dhe kur…. »

Tashmë në rrethana tejet të zymta dhe për vetë BE-në, në prag të Brexit e të zgjedhjeve vendimtare evropiane, ku asgjë nuk mund të parashikohet, kërkohet më shumë se kurrë që shumica parlamentare në bashkëpunim të ngushtë me opozitën të bëjnë çmos për plotësimin e kushteve dhe kritereve të njohura ; edhe pse askush nuk mund të vejë më «bast» se këto negociata do të çelen këtë vit, ca më pak në qershor. Ndryshe, pa plotësimin e këtyre kushteve ka rrezik që të na ikë dhe «treni» i Samitit të Zagrebit 2020.

Katalogu i kushteve dhe kërkesave tashmë dihet, atë e përsëriti dhe Komisioneri Hahn në Tiranë më 17 janar në takimin me Kryeministrin Rama. Kryesoret mbeten reformat, dialogu me opozitën që është në nivelin më të ulët, rezultate në luftën ndaj korrupsionit dhe reformës në drejtësi. Veçse kujdes se tanimë, nuk mjaftojnë vetëm ndalimet dhe arrestimet, sidomos të peshqve të mëdhenj, por duhen detyrimisht dhe dënimet të shoqëruara me investime dhe pakësimin e azilkërkuesve si kërkesë e prerë dhe prej disa vende anëtare të BE-së për çeljen e negociatave. Pa harruar të shtojmë dhe zgjedhjet tejet të rëndësishme lokale më 30 qershor me të papriturat e tyre të mundshme.

Duke vlerësuar drejt rolin vendimtar të diplomacisë parlamentare në këtë proces, Kuvendi ka nisur pa zhurmë dhe bujë demarshet e veta. Mesazhi i kryetarit të tij, zotit Gramoz Ruçi drejtuar homologut rumun, si presidente e radhës e BE-së shënon një fillim premtues që do të shoqërohet me shumë demarshe të tjera parlamentare.

Puna e dytë e madhe e pambaruar, ndonëse më e reklamuara vitin e kaluar ishin negociatat dhe nënshkrimi i paketës së marrëveshjeve me Greqinë, veçanërisht ajo e Detit dhe heqja e Ligjit të Luftës. Mirëpo entuziazmi fillestar i Kretës dhe Korçës ka rënë mjaft kohët e fundit, sidomos pas incidentit të dhunshëm në Bularat dhe me largimin e dy ministrave të Jashtëm. U fol për një marrëveshje më të mirë dhe për ndryshim epokal, mirëpo deri tani jemi ende në planin e fjalëve, punimeve dhe premtimeve dhe pa ndonjë produkt. Nuk mund të themi më shumë sepse nuk ka pothuajse fare informim publik se ku janë punët, cilat janë pengesat, dhe si do të procedohet më tej.

Për pasojë, marrëdhëniet dypalëshe kanë mbetur në vend numëro. Shqetësimi kryesor është se me ndonjë përjashtim këto marrëdhënie janë kufizuar kryesisht në takime qeveritarësh dhe zyrtarësh të lartë; ndërkohë që në radhë të parë kërkohet krijim i truallit dhe mjedisit të nevojshëm miqësor. Kjo kërkon aktivizimin e aktorëve dhe faktorëve të tjerë jetikë, duke filluar nga deputetët, gazetarët, akademikët, historianët, artistët, sportistët dhe njerëzit e thjeshtë e padyshim komunitetin e madh shqiptar në Greqi. Këta dhe jo nacionalistët apo dashakeqësit duhet të « pushtojnë » terrenin e të dy vendeve, nëse duam përparim të qëndrueshëm me Greqinë fqinje.

Është e rëndësishme të vlerësohet se në prizmin e real politikës dhe « inxhinieringut diplomatik » Greqia aktualisht është në pozita më të forta negociuese. Ajo ka kapërcyer krizën e rëndë financiare, ka forcuar lidhjet strategjike me SHBA, ka nënshkruar Marrëveshjen me Maqedoninë, ka përmirësuar imazhin, duke synuar të bëhet stabilizatore rajonale e dora-dorës dhe lidere rajonale, siç ka pretenduar dhe më parë.

Kësisoj, tani Greqia nuk ka ngut dhe është më shumë e interesuar për zgjedhjet e reja evropiane dhe kombëtare. E kundërta ndodh me ne, kur marrëveshjet e lartpërmendura dhe sidomos visto greke për çeljen e negociatave na rrinë mbi kokë si « shpata e Demokleut » përballë një interesi dhe ndjeshmërie të rrallë publike.

Duke kaluar në Kosovë, 10-vjetori i Pavarësisë së saj vështirë të ishte menduar aq i varfër në arritje dhe realizime, apo dhe me hapa prapa. Numri i njohjeve jo vetëm nuk shënoi rritje, por ka pasur e ka vende me tendencë për të tërhequr këto njohje. Liberalizimi i vizave nuk u realizua as këtë vit; Kosova dështoi për anëtarësimin në UNESCO dhe Interpol në mënyrë të përsëritur. Për pasojë, me të drejtë, pavarësisht precedentit jo të mirë që krijoi në bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe te aleatët e mëdhenj, Kosova vendosi taksat 100 për qind ndaj importeve serbe.

Me gabimet dhe qëndrimet e saj të gabuara/nxituara Prishtina i kanë bërë disa « dhurata « të çmuara imazhit dhe diplomacisë serbe në orvatjet e saj për të rikthyer statuskuonë e 20 viteve më parë. Grindjet dhe debatet e paprincipta për dialogun me Beogradin dhe tymueset në parlamentin e Kosovës në qershor janë vetëm dy prej tyre por që i dhanë shansin Serbisë të tregojë gishtin te Kosova!

Pastaj, sikur të mos mjaftonte zhegu i gushtit pa pritur vjeshtën, Presidenti Thaçi nxitoi të shpallte tezën e korrigjimit të kufirit një «shesh tjetër gjigand» ndërtimi, por që fare lehtë mund të kthehet në «shesh lufte» me Kutinë e Pandorës ose efektin domino». Diskutimi i tanishëm rrezikon të hedhë poshtë përpjekjet dhe arritjet e mëparshme historike, me ndryshme territori pa kurrfarë transparence, politikë që BE e ka hedhur poshtë këtu e 20 vjet më parë. Propozimi për rifutjen e çështjes së Kosovës në tryezën ndërkombëtare në një format më të zgjeruar se BE-në rrezikon ta zhysë Kosovën dhe rajonin në një rreth vicioz me shumë të papritura dhe kërcënime. Për fat të keq, liderët e Kosovë por dhe të tjerë me ta nuk po e kuptojnë se sot as Rusia, as SHBA-të, as BE-ja dhe as Kosova nuk janë më si 20 vite më parë në çdo aspekt. Më e pakta që mund të ndodhë është që Kosova t’i shtohet «konflikteve të tjera të ngrira» që do t’i interesonte shumë Rusisë.

Shihni dhe intervistat më të fundit të Presidentit Thaçi, kur ai flet vetëm për mundësi dhe përfitime, por jo për risqe dhe humbje, tregon çfarë do të marrë por jo çdo të japë! Kjo ndodh sepse mesa duket politikanë të caktuar në Kosovë nuk po dinë ose nuk duan të bëjnë dallimin që përmend shkrimtari, diplomati dhe politikani i shquar britanik Rory Stuart që «çështja nuk është vetëm se çfarë duhet bërë por dhe a mund të bëhet!»

Në këto mosarritje, veç qëndrimeve agresive serbe, dobësive të BE-së, mangësive të politikës dhe diplomacisë së Kosovës ka pjesën e saj të përgjegjësisë dhe politika jonë e jashtme, duke përfshirë paqartësitë, mungesën e kohezionit dhe unitetit institucional e shfaqur dukshëm dhe me tezën e «korrigjimit të kufijve».

Me Serbinë «skelat» e shesheve të ndërtimit kanë vite që janë atje, por me pak punime, janë ende në fazën e hedhjes së themeleve dhe mesa duket do të qëndrojnë gjatë. Më 2014, kur u bë takimi historik Rama – Vuçiç punoja në ambasadën tonë në Bruksel ku e pamë atmosferën dhe shpresat që krijoi ai takim te ndërkombëtarët. Po tani pesë vjet çfarë ka mbetur prej tij, veç fotove, buzëqeshjeve e ndonjë projekti nëpër të? Kur nga viti 2001 por dhe pas 2014 me Serbinë nuk është nënshkruar asnjë lloj marrëveshje qoftë dhe rutinore, madje as ajo e njohjes së diplomave! Kulmi ishte kur Kryeministrja serbe i kërkoi Shqipërisë para një muaji të tërhiqte njohjen e Kosovës!! Po ashtu, kur nën drejtimin e Mogherinit në Bruksel zhvilloheshin raunde të dialogut Beograd – Prishtinë, ishin në dy fronte kundërshtare, ku Serbia lobonte me agresivitet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe Interpol.

Në këto rrethana jo vetëm nuk mund të bëhet fjalë për marrëdhënie strategjike me Serbinë, por ka ardhur momenti i ridimensionimit të tyre në dritën e zhvillimeve më të fundit. Për fat të keq, edhe lëvizjet tona politike konstruktive kanë çuar ujë në mullirin serb, pa dhënë ndonjë kontribut të rëndësishëm në shtimin e bashkëpunimit rajonal. Natyrisht nevoja jonë për të çelur negociatat me BE-në ka qenë dhe mbetet pengesë për qëndrime më të vendosura qoftë dhe ndaj BE-së dhe më konkretisht Përfaqësueses së Lartë Mogherini, e cila është shfaqur me qëndrime të njëanshme dhe favorizuese ndaj Serbisë, nën maskën e rrezikut rus. Mirëpo vizita plot pompë dhe bujë e Putinit më 17 janar në Beograd me nënshkrimin e 21 marrëveshjeve javën e kaluar tregoi qartë se Serbia vetëm ka abuzuar me mbështetjen e BE-së dhe se qëndrimet e kësaj të fundit kanë qenë më tepër dëshirë e mirë por larg realitetit, me analiza, por pa receta që të çojnë në rrugëzgjidhje konkrete dhe dobiprurëse.

Nisur nga sa sipër, nuk mund të ketë shumë pretendime reale as për bashkëpunimin rajonal që ka ardhur në rënie. Procesi i Berlinit me gjithë dëshirën e mirë te sponsorëve politikë, synimet dhe përpjekjet nuk ka shënuar ndonjë risi cilësore sidomos për konkretizimin e projekteve të shumta e të përfolura aq shumë dhe që e bëjnë atë të prekshëm për njerëzit e thjeshtë. Veç të tjerash, më konkretisht kjo duket qartë në mungesën e përparimit lidhur me funksionimin e Fondit Ballkanik të Investimeve me seli në Tiranë. Me gjithë kontributin dhe lehtësitë që ka krijuar Shqipëria, deri tani vetëm 5 për qind e projekteve të tij kanë gjetur burime financimi. Pak a shumë e njëjta gjë ndodh dhe me Zyrën Rajonale Rinore, po me seli në Tiranë, nismë e Kryeministrave të Shqipërisë dhe Serbisë, etj.

Në këtë kuptim, ndihmesa jonë e moderuar dhe konstruktive ka mbetur më shumë kujtim i një të kaluare të afërt. Nisur nga roli i tij i kufizuar, edhe emërimi i sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ( RCC), Majlinda Bregu, është një lajm i mirë, por ngushëllim i vogël.

Së fundi, padyshim që kryesimi i OSBE-së në vitin 2020 është hap dhe arritje për diplomacinë tonë dhe një «kantier« i ri i madh pune për të. Por nuk ka arsye për eufori. Jo vetëm se kemi 28 vjet në OSBE dhe të kryesosh atë pas një periudhë aq të gjatë kohe është më shumë detyrim. Mbi të gjitha, ky kryesim është ndërmarrje e madhe diplomatike, dhe po aq, në mos më shumë përgjegjësi që gjithçka me atë kryesim të ecë mirë, ndryshe mund të kthehet në bumerang.

Ndaj puna në gjithë këto «sheshe ndërtimi» duhet të fillojë menjëherë. Ndryshimi i ekipit politik në Ministrinë e Jashtme t’i japë fund dhe ngërçit institucional, hamendësive dhe pyetjeve jo fort të këndshme pas « pingpongut së dekreteve» Në këtë drejtim, drejtuesit e politikës dhe diplomacisë sone të mbajnë parasysh paralajmërimin e Kenedit se «politika e brendshme mund të na mposhtë, por politika e jashtme mund të na vrasë»


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.