BOTA

May prezanton “Planin B” për Brexit

09:01 - 22.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministrja Theresa May, duke shpalosur planin e rishikuar të Brexit gjatë fjalimit të saj në Parlament, theksoi se e vetmja mënyrë për t’u garantuar që Britania do të mund të shmangë katastrofën e daljes nga BE-ja pa marrëveshje është, ose miratimi i marrëveshjes së saj të negociuar me BE-në, ose revokimi i “Nenit 50” të Traktatit të Lisbonës.




Ajo këmbënguli se ishte më e fokusuar në gjetjen e lëshimeve nga BE-ja, të cilat do të mund të siguronin mbështetje nga deputetët britanikë, ndërkohë që hodhi poshtë thirrjet për shtyrjen në kohë të “Brexit”-it.

May u shpreh se nuk kishte shumicë parlamentare për një referendum të dytë, teksa shtoi se do të vazhdojë konsultimet e mëtejshme me Partinë Demokratike Unioniste të Irlandës së Veriut, për çështjen e mekanizmit që shmang një kufi klasik mes Republikës së Irlandës – shtet i Bashkimit Europian, – dhe Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë së Madhe.

Më pas, këto konsultime ajo do t’i paraqesë pranë Bashkimit Europian, ndërkohë që ende nuk dihet se kur do ta vizitojë Brukselin përpara të martës së ardhshme, kur do të bëhet votimi i dytë i planit të saj B, pas refuzimit të planit të saj fillestar ditë më parë, me shumicën më të madhe në historinë parlamentare në Britani.

Ndërkohë, kryeministrja njoftoi anulimin e pagesës prej 65 stërlina për shtetasit e Bashkimit Europian që ndodhen në Britani, të cilët do të duhet të regjistrohen për marrjen e statusit të përhershëm të qëndrimit në Britani, pas “Brexit”-it. Ata që e kanë paguar, ndërkohë, këtë shumë për këtë skemë që filloi të aplikohet sot “do të rimbursohen”, tha kryeministrja.

Theresa May ka një javë afat deri ditën e votimit të planit të saj të rishikuar për të bindur të deputetët e partisë së saj, më shumë sesa opozitën, për miratimin e Marrëveshjes së Tërheqjes nga BE-ja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.