AKTUALITET

Ndihmë ekonomike për rreth 53 mijë familje në nevojë, kategoritë përfituese

15:10 - 22.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në 6 mujorin e parë të vitit që lamë pas, rreth 53 mijë familje në mbarë vendin u bënë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. ‘Gazeta Shqiptare’ publikon sot kategoritë që mund të marrin këtë pagesë nëse plotësojnë kriteret e paracaktuara, mënyrën e aplikimit si dhe ankimimin e vendimit kur ky i fundit nuk rezulton pozitiv për aplikuesit. Përkatësisht ndihmën ekonomike mund ta përfitojnë: familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme; jetimët të cilët nuk janë në institucione; prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë. Gjithashtu, në këtë skemë mund të përfshihen edhe viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre; viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes; si dhe fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.




Aplikimi
Familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin. “Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët certifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore”,-bën me dije Shërbimi Social Shtetëror. Ndërkohë administratori, në prani të kryefamiljarit, bashkëshortes apo individëve, plotëson online në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike, të cilët përmbledhin informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin; llojin e banesës; pasuritë/asetet shtëpiake; të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Të interesuarit duhet të kenë parasysh se informacioni duhet të jetë i saktë, pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë.

Vendimi
Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit merret vendimi për këto familje. “Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale”,-thekson SHSSH. Ky i fundit më tej bën me dije se Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social dërgon vendimin final së bashku me listën e familjeve fituese me masën e përfitimit dhe familjet jopërfituese me arsyet përkatëse kryetarit të njësisë vendore për të njoftuar të gjithë aplikantët dhe për të bërë ekzekutimin e pagesës.
Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 muaj tek zyra e administratorit shoqëror, i cili plotëson deklaratën social-ekonomike dhe e hedh në sistem si dhe verifikon gjendjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social-ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.

Rastet e përjashtuara nga skema
Shërbimi Social Shtetëror bën me dije se nga skema e ndihmës ekonomike aplikantët mund të përjashtohen nëse kryejnë ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes me përjashtim të rastit vajzë-nënë; nuk tërheqin në kohë ndihmën ekonomike; refuzojnë verifikimin e situatës social-ekonomike në familje; fshehin informacionin / kryejnë deklarim të rremë dhe nuk deklaron ndryshimet e situatës social-ekonomike. Gjithashtu, edhe kur individët refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional ose ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës dhe nuk rezultojnë punëkërkues të papunë, apo të vetëpunësuar pranë zyrave të punës nuk do të marrin më ndihmë ekonomike. Informacioni për pranimin apo refuzimin e dhënies së ndihmës ekonomike jepet nga bashkia/njësia administrative, në përfundim të muajit për të cilin aplikimi është i vlefshëm.

Ankimimi
Sakaq, familjet, të cilat janë refuzuar se nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme kanë të drejtën e riaplikimit në muajt pasardhës dhe, gjithashtu, ruajnë të drejtën e ankimimit në lidhje me vendimin e marrë. Ankimimi bëhet me shkrim fillimisht pranë njësisë vendore, e cila është e detyruar të kthejë përgjigje brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës. Pas ezaurimit të ankimimit te njësia vendore, ka të drejtë të ankimojë te Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror dhe në gjykatë. “Për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror, Këshilli Bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6% dhe/ose me fonde të buxhetit vendor. Për më shumë informacion mund të referoheni: Ligjit 9355 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” i ndryshuar, datë 21.04.2016, VKM nr. 955, datë 07.12.2016 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike” si edhe Udhëzimit nr .3, datë 17.02.2017, i ndryshuar, për zbatimin e VKM nr 955″,-nënvizon Shërbimi Social Shtetëror.

Kategoritë përfituese:

Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme
Prindërit me më shumë se tre fëmijë të lindur njëherësh që u përkasin familjeve në nevojë (trinjakë, katërnjakë, pesënjakë);
Jetimët të cilët nuk janë në institucione;
Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Përjashtimi nga skema ndodh kur:

Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes me përjashtim të rastit vajzë nënë;
Nuk tërheq në kohë ndihmën ekonomike;
Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje;
Fsheh informacionin / kryen deklarim të rremë dhe nuk deklaron ndryshimet e situatës social-ekonomike;
Refuzon përfshirjen në kurset e formimit profesional ose ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës dhe nuk rezultojnë punëkërkues të papunë, apo të vetëpunësuar pranë zyrave të punës.
Informacioni për pranimin apo refuzimin e dhënies së ndihmës ekonomike jepet nga bashkia/njësia administrative, në përfundim të muajit për të cilin aplikimi është i vlefshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.