OPINION

Pse kemi rritje ekonomike pa zhvillim

07:15 - 22.01.19 klodian muço
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekziston një konsensus shumë i gjerë jo vetëm ndërmjet studiuesve të ndryshëm, por edhe organizmave ndërkombëtarë se GDP-ja nuk është treguesi i duhur për matjen e mirëqenies së popullsisë. Rritja e GDP-së jo gjithmonë shoqërohet me rritjen e të ardhurave të qytetarëve në tërësi.




Sot ekzistojnë një sërë treguesish adekuatë për të matur pikërisht mirëqenien jo në nivel agregat, por në nivel individual duke përfshirë jo vetëm disponueshmërinë e të ardhurave, por edhe të gjendjes shëndetësore, arsimimin, sigurinë, pjesëmarrjen në vendimmarrje, pozicionin e punës, kënaqësinë nga jeta etj.

Përcaktimi i këtyre treguesve përveç zgjerimit të dimensionit ndërmjet mirëqenies dhe përkeqësimit, tregon edhe lidhjen e ngushtë që ekziston midis pabarazisë ekonomike dhe formave të tjera të pabarazisë që ndikojnë te individët përgjatë jetës së tyre.

Pabarazia kur “prek” mundësitë e jetës është dhunim i dinjitetit human; është ndalimi nga mundësitë që secili ka për të zhvilluar kapacitetet e veta.

Kjo pabarazi ka shumë forma dhe po aq shumë pasoja: si vdekje e parakohshme, sëmundje, ofendim, diskriminim, varfëri, pamundësi, mungesë besimi te vetja dhe te oportunitetet që sjell jeta.

Mendoni pasojat e atyre që i heqin nga puna në mënyrë të padrejtë, apo të tjerët që humbasin konkurset publike për një vend pune, apo ata që humbasin tenderët që organizohen nga institucionet publike edhe pse kanë dhënë ofertën më të mirë.

Kur shteti stimulon pabarazinë, nuk shkakton vetëm probleme që kanë të bëjnë me dimensionin e portofolit të dikujt, ai shkakton të gjitha problemet e lartpërmendura, redukton kapacitet njerëzore dhe i largon ata nga një jetë sociale normale apo i detyron të emigrojnë nga vendi i tyre.

Për të ndaluar pabarazinë duhet të forcohet me çdo kusht dhënia e mundësive të barabarta duke nisur nga më të vegjlit. E them këtë pasi sot në Shqipëri edhe garat ku marrin pjesë fëmijët, që në thelb janë forma argëtimi, ato shpesh herë trukohen pasi marrëzia e prindërve shkon deri aty sa të paguajnë që fëmija i tyre të jetë i pari.

Në ditët kur zhvillohen provimet e maturës në shumë shkolla shihen po aq prindër sa ka edhe nxënës. Shumë prej tyre mundohen të nxisin kopjimin te fëmijët duke barazuar si ata që mësojnë dhe ata që nuk mësojnë. Kjo demoralizon dhe dekurajon dijen.

Sot shumë të rinj nuk lexojnë më se notën e kanë të garantuar nga prindërit apo nga shkolla private ku studiojnë. Kjo lloj pabarazie sjell komprometimin e brezave.

Gjithsesi një vend nuk duhet të mjaftohet me investimin në mundësitë e barabarta. Ky është vetëm fillimi, në vijim nevojitet ajo që thotë nobelisti Stiglitz, të punohet mbi pabarazinë e rezultateve, kjo jo vetëm për të stimuluar barazinë por edhe për rritur kohezionin social dhe mirëqenien e shoqërisë.

Sigurisht që edhe dhënia e mundësive të barabarta apo konkurrenca reale nuk mund të përjashtojë ndonjëherë fatin e keq. Gjithsesi kjo gjë nuk e dëmton optimizmin dhe shpresën për të nesërmen.

Shumë evidenca empirike kanë treguar se pabarazia ka një çmim shumë të lartë në terma të dobësimit të kohezionit social. Si norma shumë të larta të kriminalitetit që në rastin konkret, në Shqipëri kanë pasur tendencë rritëse, kjo jo gjithmonë për fajin e policisë. Rritja e korrupsionit që gjeneron pabarazi dhe varfëri.

Të gjitha këto arsye na çojnë të mendojmë dhe themi se pabarazia ka efekte shumë negative në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien komplesive të shoqërisë, por jo vetëm. Pabarazia ekonomike ka efekte edhe në demokracinë e një vendi në tërësi.

Përqendrimi i pasurisë vetëm në pak duar çon në përqendrimin e fuqisë politike. Pra, ndikon në vendimmarrjen e politikave fiskale si dhe në drejtimin qe duhet të marrë zhvillimi ekonomik i një vendi në të ardhmen.

Nëse shohim tendencën e orientimit ekonomik të Shqipërisë në 10 vitet e fundit vërejmë se qeveria ka tendencën që shërbimet publike t’ia kalojë privatit me koncesion me kontrata që shkojnë deri në 30 vjet. Po vallë nuk mendohet ndonjëherë se vendet e zhvilluara nuk e kanë ndjekur këtë formë në të kaluarën kur edhe ato kanë qenë vende në zhvillim si ne?!

Po ashtu përqendrimi i pasurisë në pak duar çon në disa raste deri në vendimmarrje që jo vetëm varfërojnë ekonomikisht një vend, por edhe e dëmtojnë nga pikëpamja shëndetësore individët. Për ta kuptuar këtë mjafton të shohim cilësinë e miellit që importohet në Shqipëri; cilësinë e kimikateve apo produkteve kancerogjene që janë në qarkullim dhe përdoren në bujqësi apo blegtori; cilësinë shumë të ulët të ilaçeve.

Mishi dhe nënproduktet e tij, djathi, vaji i ullirit e shumë produkte të tjera jo vetëm që kanë një cilësi të ulët e në disa raste nuk duhen as konsumuar, por edhe kushtojnë në Shqipëri më shtrenjtë sesa në vendet e zhvilluara. Ndërkohë që Shqipëria është një ndër vendet më të varfra në Europë me një rrogë mesatare bruto prej 419 euro sa 1/6 e mesatares së BE-së.

Natyra ka qenë shumë zemërgjerë me ne po përsëri pabarazia e stimuluar nga drejtuesit politik ndër vite na ka çuar që nëntoka të shfrytëzohet nga të pasurit në mënyrë makabre. Kemi qytete të mrekullueshme si Saranda apo Ksamili që adhurohen nga turistët e mund të kishin turistë 12 muaj viti pasi ka me mijëra pensionistë që lënë Italinë, Gjermaninë apo Norvegjinë për të jetuar në qytete si Saranda apo Ksamili. Problemi qëndron përsëri te fakti që sistemi sanitar shqiptar lë për të dëshiruar.

Për të konkluduar mund të them se politikbërësit duhet ta kenë të qartë faktin se mirëqenia është një e drejtë, pabarazia është padrejtësi..


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.