AKTUALITET

Studentët vazhdojnë bojkotin: Të rrëzohet ligji i arsimit të lartë

14:48 - 22.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Një pjesë e studentëve të universiteteve publike në vend kanë vazhduar bojkotin e mësimit deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Ata kërkojnë njëzëri rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë, në një kohë që shumë të tjerë kanë vijuar mësimin normalisht. Aktualisht bojkoti i mësimit vazhdon në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Ekonomikut, Juridikut, Shkencave Sociale, Shkencave të Natyrës, Gjuhëve të Huaja, Gjeologjiku. Ndërkohë, sipas verifikimeve rezulton se tek Universiteti Politeknik dhe ai i Mjekësisë bojkoti është ndërprerë dhe studentët u janë rikthyer auditoreve. “Ngujime nuk ka, por aktualisht ka bojkot në të gjitha fakultetet, përveç Politeknikut e Mjekësisë. Rezistenca jonë do të vazhdojë dhe do të mundohemi ta mbajmë sa më gjatë në jetë këtë formë proteste deri në plotësimin e 8 kërkesave tona dhe rrëzimin e ligjit famëkeq të arsimit të lartë.




Universiteti është i yni dhe duhet të na ofrojnë kushtet minimale që ne dëshirojmë. Pakti për Universitetet është një dështim tjetër i qeverisë ‘Rama’ dhe me pallavra të tilla nuk na mashtrojnë dot”, – tregon një prej studenteve të Histori-Filologjisë për “Gazeta Shqiptare”. Edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, studentët kanë bojkotuar mësimin për të disatën ditë radhazi. Ata kanë dalë para godinës së institucionit dhe kanë renditur arsyet e kësaj qëndrese. “Mesa duket, qeveria nuk po i merr parasysh kërkesat tona. Pikë së pari, tarifat e bachelorit janë ulur me kusht dhe përkohësisht dhe rrezikojnë madje që të rriten shumë shpejt. Së dyti, në master ne do të vazhdojmë të paguajmë miliona. Së treti, duke mos rritur peshën studentore, drejtuesit dhe pedagogët abuzues do të vazhdojnë të na bien në qafë dhe së katërti buxheti i shtetit për arsimin nuk është rritur”, – ka thënë në fjalën e saj një studente e Shkencave të Natyrës.

Reagimi i pedagogëve
Edhe profesor Artan Fuga ditën e djeshme u është bashkuar studentëve dhe është shprehur se VKM e fundit janë krejtësisht në kundërshtim me frymën demokratike të një universiteti të lirë. “Unë sot jam në grevë, si anëtar i thjeshtë, i barabartë, përtej ndarjeve departamentale, i asamblesë të Fakultetit Histori- Filologji të Universitetit të Tiranës. Sepse unë refuzoj të bëj mësim në një universitet që kthehet në një regjim kazerme. Sepse VKM e fundit janë krejtësisht në kundërshtim me frymën demokratike të një universiteti të lirë! Sepse unë jam për një model të ri universitar shqiptar, por jo që kriza e protestave studentore të hidhet mbi demokracinë universitare. Nuk ka kuptim që fillimisht na imponohen VKM autoritare dhe pastaj na thuhet hajde diskutojmë për paktin e universitetit!
Pedagogët dhe studentët nuk janë debila! Mos i humbisni ditët dhe orët pedagogëve dhe studentëve që duhen harxhuar për dijen dhe shkencën!
Unë sot jam në grevë!”, – thekson Fuga.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.