AKTUALITET

Tenderat e spitalit, KLSH kallëzon në prokurori dy ish-drejtorët e Durrësit

14:04 - 23.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shkeljet në procedurën e prokurimit të shërbimit të lavanterisë së spitalit kanë detyruar Kontrollin e Lartë të Shtetit të kryejë një audit e më pas të çojë për ndjekje penale dy ish-drejtorë të spitalit të Durrësit, Alban Ramohitaj dhe Viola Cikalleshi. “Çështjet e gjetura gjatë auditit konsiderohen si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Kodit Penal”, thuhet në kallëzimin që është dorëzuar në prokurori dhe që mban firmën e kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskaj. Më poshtë publikohet me shkurtime, dokumenti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.




KALLEZIMI PENAL
“KLSH në subjektin spitali rajonal Durrës deri më datën 27.11.2018 realizoi auditimin ‘Mbi vazhdimin, plotësimin dhe finalizimin e procesit të verifikimit për ankesën drejtuar KLSH-së. Nga auditimi i procedurës së prokurimit me objekt ‘Furnizimi i shërbimit të lavanterisë për spitalin rajonal Durrës’, rezultoi se:

1. Z. Alban Ramohitaj me detyrë, ish-drejtor në spitalin rajonal, Durrës, gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, të cilat përbëjnë mospërmbushje të detyrës, gjë që ka sjellë direkt ose indirekt, përveç të tjerash, përfitime nga persona të ndryshëm, e konkretisht:
Me shkresën nr. 502/7 prot., datë 28.04.2017, nga titullari z. Alban Ramohitaj është nxjerrë urdhri për ngritjen e komisionit të vlerësimit të ofertave, me përbërje Endrit Shehu, kryetar me profesion mjek/n.drejtor teknik; Ermioni Dabaj, anëtare, me profesion kryeinfermiere; Andi Xhelilaj, anëtar, me profesion jurist/specialist në sektorin juridik; Irena Varaku, anëtare, me profesion ekonomiste/përgjegjëse e sektorit të financës; Hasime Myftari, anëtare, me profesion ekonomiste/përgjegjëse e sektorit të hotelerisë.
Referuar dokumentacionit të vënë në dispozicion, si dhe takimeve të bëra, konstatohet se asnjë prej anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, jo vetëm që nuk është specialist i fushës (si për referuar objektit konkret të prokurimit, ashtu edhe fushës së prokurimit publik), por nuk kanë kryer asnjë trajnim mbi prokurimet publike.

Në këto kushte, asnjë prej anëtarëve të mësipërm të komisionit të vlerësimit të ofertave nuk ka aftësitë e duhura ligjore, teknike dhe profesionale për të bërë vlerësimin e ofertave që kanë marrë pjesë në tender.
Gjithashtu, në dosjen e prokurimit administrohen edhe tri shkresa të tjera lidhur me përcaktimin e komisionit të vlerësimit të ofertave, në të cilat rezulton se AK ka lënë bosh pa plotësuar numrin e protokollit, ashtu edhe datën e shkresës, ndërkohë që të tria këto shkresa janë me nënshkrimin e ish-titullarit të institucionit, për të cilën ngarkohet me përgjegjësi protokollistja e institucionit, znj. Megi Kosovari, për veprime në kundërshtim me Ligjin “Për arkivat”.
Gjithashtu, lidhur me këtë verifikim, veprime të tilla ku lihen datat dhe numri i protokollit bosh pa plotësuar përbëjnë precedentë për një procedurë prokurimi jo konform kuadrit rregullativ.

Lidhur me sa më sipër, ngarkohet me përgjegjësi ligjore ish-titullari i AK, Alban Ramohitaj si personi përgjegjës, i cili ka nxjerrë edhe urdhrin për ngritjen e komisionit të vlerësimit të ofertave, ku bazuar në VKM Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik, i ndryshuar, titullari i AK është personi përgjegjës për nxjerrjen e urdhrave përkatës.
Gjithashtu, në urdhrin për ngritjen e komisionit të vlerësimit të ofertave datë 28.04.2017, titullari i AK ka përcaktuar se data e zhvillimit të procedurës do të jetë data 26.05.2017 ora 13:00, ndërkohë që një veprim i tillë nuk gjen mbështetje ligjore.
Kjo për faktin se, në datën dhe momentin që ky titullar ka përcaktuar edhe datën e procedurës së prokurimit, akoma njësia e prokurimit nuk ishte mbledhur për të përcaktuar, hartuar dhe miratuar kërkesat për kualifikim.

Kjo provohet dhe vërtetohet edhe sipas shkresës nr. 502/8 prot., datë 28.04.2017, datë në të cilën janë hartuar dhe miratuar kërkesat për kualifikim.
Pra, kompetenca që titullari i AK të përcaktojë datën e hapjes së tenderit nuk gjen mbështetje ligjore. Kjo për faktin se, bazuar në LPP, datën dhe zhvillimin e procedurës së prokurimit, e përcakton njësia e prokurimit, pasi të jenë hartuar dhe miratuar kërkesat për kualifikim dokumentet e tenderit etj.
Sa më sipër provohet dhe vërtetohet se kjo procedurë prokurimi ka qenë e pasaktë, pasi në asnjë rast nuk mund të provohet dot se titullari ka njohuri se sa kohë do t’i duhet njësisë se prokurimit për të hartuar dokumentet e tenderit.
Lidhur sa më sipër, mban përgjegjësi ligjore ish- titullari i AK, Z. Alban Ramohitaj.
2. Znj. Viola Cikalleshi, me detyrë ish-drejtore në spitalin rajonal, Durrës, aktualisht punonjëse e sektorit të prokurimeve, gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprime dhe mosveprime të kundërligjshme, të cilat përbëjnë mospërmbushje të detyrës, gjë që ka sjellë direkt ose indirekt përveç të tjerash, përfitime nga persona të ndryshëm, e konkretisht:

Nga auditimi i procedurës së prokurimit me objekt “Furnizimi i shërbimit të lavanterisë për spitalin rajonal Durrës” me fond limit 166,666,500 lekë pa TVSH”, rezultoi se: Në këtë procedurë prokurimi ka qenë edhe anëtare e njësisë së prokurimit, ku ka nënshkruar në dokumentet e tenderit, njëkohësisht ka bërë edhe miratimin e raportit përmbledhës në cilësinë e titullarit të AK.

Ka vendosur dhe përcaktuar edhe kërkesat për kualifikim, ndërkohë që ka qenë titullar i AK, shkelje flagrante e LPP, pasi ka vendosur për kërkesat për kualifikim me iniciativën e saj, pa pasur ankesë në dispozicion ku për më tepër, ankesës i është kthyer përgjigje nga KSHA, që pretendimet e ngritura nuk qëndrojnë.
I ka kthyer përgjigje shoqërisë ankuese “Shpresa sh.p.k.”, ndërkohë që ankesa nuk është shqyrtuar e plotë, pasi nuk është marrë në konsideratë pjesa e pretendimeve lidhur me kualifikimin e padrejtë të operatorit ekonomik të shpallur fitues nga AK.

U ka kthyer përgjigje shoqërive ankuese, sipas të cilave ka konkluduar se nuk merren në konsideratë pretendimet e ngritura, ndërkohë ka bërë modifikimin e kërkesave për kualifikim, ku një kompetencë e tillë nuk është e titullarit të AK.

Në kushtet e shkeljeve flagrante të ligjit, nuk duhej të kishte bërë miratimin e raportit përmbledhës, i cili është në kundërshtim me LPP.
Në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, ka nënshkruar kontratën vetëm me një operator ekonomik, ndërkohë që shoqëria fituese është bashkim operatorësh ekonomikë.

Ka miratuar një raport përmbledhës, ku është pasqyruar se bashkimi i operatorëve ekonomikë me vlerë më të ulët duhet të skualifikohet, pasi kryesuesi/përfaqësuesi është anëtari që ka marrë përsipër të realizoje 19.3% të kontratës së bashkëpunimit, ndërkohë që edhe operatori ekonomik fitues, me të cilin është lidhur edhe kontrata nga znj. Viola Cikalleshi, përfaqësuesi/kryesuesi ka marrë përsipër të realizojë vetëm 10% sipas kontratës së bashkëpunimit, pra duke mbajtur dy standarde/qëndrime.

Me iniciativën e saj ka bërë ndryshimin e kërkesave për kualifikim, duke rritur kërkesën për vlerën e xhiros nga 40% në 100% të vlerës së fondit limit, ndërkohë që komisioni i ngritur për shqyrtimin e ankesës ka bërë ndryshimin e kësaj vlere nga 100% në 40% të vlerës së fondit limit, me qëllim rritjen e konkurrencës në prokurim.
Ka bërë miratimin e raportit përmbledhës, ndërkohë që në këtë raport mungojnë elementet thelbësore, ashtu sikurse parashikohet në LPP.
Ka bërë miratimin e raportit përmbledhës, në të cilin janë pasqyruar arsye, të cilat nuk janë dhënë si skualifikim nëpërmjet sistemit të prokurimit elektronik, si dhe në raportin përmbledhës nuk janë pasqyruar të detajuara ankesat në KPP.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.