Intervista

Milo: Marrëveshjet ndërkombëtare duhet t’i firmosë Rama dhe jo Cakaj

15:05 - 25.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” vlerëson se kryeministri është në të drejtë e tij që si ministër i Jashtëm të mund t’i delegojë kompetencat te zëvendës-ministri. Por sipas tij, ky delegim mund të shërbejë vetëm për të ndjekur punët e përditshme të ministrisë, por jo për të nënshkruar marrëveshje të rëndësishme, apo edhe për të zhvilluar vizita të rëndësishme.




Zoti Milo, kryeministri çoi deri në fund idenë e tij për të vendosur Gent Cakajn në krye të institucionit të Ministrisë së Jashtme, por në cilësinë e zëvendësministrit. Sa të drejtë e shihni ju delegimin e kompetencave të ministrit te zëvendësministri për të drejtuar me kohë të plotë një ministri kaq të rëndësishme?
Kjo çështje duhet sqaruar në radhë të parë nga konstitucionalistët, të cilët me sa lexova disa shpjegime të tyre, janë të mendimit që në Kushtetutë nuk është e parashikuar delegimi i kompetencave të ministrit të Jashtëm te zëvendësministri. Por nga ana tjetër, ka një përvojë të njohur nga ligji dhe nga rregulloret e brendshme të organizimit të Këshillit të Ministrave që në mungesë të titullarit të dikasterit me autorizim dhe porosi, kështu thuhet, mund të firmosin dhe të kryejnë detyra administrative edhe zëvendësit. Nga përvoja më e gjerë dihet se dikasteri i Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtohet nga ministri, i cili vetë pastaj në përputhje me problematikën që ka Ministria e Punëve të Jashtme bën ndarje të detyrave, ose delegon detyra edhe tek zëvendësit e vet. Në rastin konkret, unë mendoj se me delegim të detyrës, kryeministri do të ketë parasysh delegimin e atyre kompetencave për drejtimin operativ të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që përsëri do thotë meqenëse ai është shumë i ngarkuar me përgjegjësi si kryeministër dhe nuk ka kohë të merret me zbatimin e detyrave të përditshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, mua më duket normale që të ketë një zëvendësministër të autorizuar prej tij që të ndjekë punët e përditshme të ministrisë.

Po sa u përket marrëdhënieve me homologët dhe vizitat e rëndësishme?
Për sa u përket vizitave të rëndësishme jashtë vendit, po e nënvizoj, të rëndësishme, tek partnerët kryesorë ndërkombëtarë apo në takime shumë të rëndësishme ndërkombëtare, besoj se kryeministri duke marrë detyrën e ministrit të Jashtëm duhet t’i realizojë vetë, duhet të marrë pjesë drejtpërsëdrejti vetë. Ndërsa për vizita më pak të rëndësishme, vizita apo pjesëmarrje në forume të ndryshme ndërkombëtare që nuk kanë atë peshë dhe atë rol për Shqipërinë që mund të kenë të tjerat, ai autorizon dhe me të drejtë mund të shkojë edhe zëvendësministri Jashtëm i autorizuar prej tij, sepse ka pasur dhe ka praktika të tilla. Për mendimin tim, edhe marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare qofshin ato dypalëshe apo shumëpalëshe, patjetër që duhet t’i nënshkruajë kryeministri që ka edhe portofolin e ministrit të Jashtëm.

Për të mbetur tek çështja e fundit që ju prekët, pra si do veprohet me plotfuqishmërinë që duhet të lëshojë presidenti për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme siç është edhe ajo me Greqinë?
Unë mendoj se në rastin e një marrëveshjeje të tillë kaq delikate dhe kaq shumë të rëndësishme, kryeministri duke pasur edhe zyrtarisht detyrën e ministrit të Jashtëm do të duhej ta firmoste vetë. Për një marrëveshje e tillë nuk mund të delegohet kompetenca për shkak të rëndësisë së madhe dhe të problematikës që ajo ka.

Sa serioz e bën ky lloj drejtimi dhe ky konflikt shtetin tonë në sytë e ndërkombëtarëve?
Sigurisht që konflikti institucional midis institucionit të Presidentit të Republikës dhe kryeministrit nuk është i mirë, nuk është në favor të imazhit të shëndetshëm të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet dypalëshe, por duhet të kemi parasysh që nuk është rasti i parë në Shqipëri. Përgjithësisht, me ndonjë përjashtim siç mund të ketë rasti i presidentit Mejdani thuajse të gjithë presidentët e tjerë në mandatet e tyre kanë qenë kush më shumë dhe kush më pak në një konflikt institucional me ekzekutivin për shkak se në Kushtetutë nuk janë të përcaktuara shumë qartë kompetencat e dy institucioneve për mjaft çështje ose se përvoja e gjithë këtyre viteve ka nxjerrë fakte të reja, ka nxjerrë politika të reja të cilat nuk kanë qenë të parashikuara në Kushtetutë. Por për mendimin tim, në të gjitha rastet, por edhe tani një mirëkuptim i ndërsjellë dhe një bashkëpunim i ndërsjellë midis institucioneve, një konsultim paraprak midis tyre do të shmangte shumë fërkime dhe përplasje të panevojshme.

Ka pasur shumë debat mbi kandidaturën e zotit Cakaj të propozuar fillimisht nga Rama për ministër të Jashtëm dhe që tashmë drejton Ministrinë e Jashtme nga pozicioni i zëvendësministrit. Ju si do e vlerësonit kandidaturën e tij?
Unë nuk kam njohje nga afër për të dhënë vlerësime për cilësitë e tij profesionale. Është shpejt për ta gjykuar, do të shihet në drejtimin faktik dhe operativ të Ministrisë së Jashtme dhe pastaj do të kemi rastin për të shprehur opinionet tona. Uroj që t’i shkojnë punët mbarë, që të fshijë mëdyshjet që janë krijuar rreth emrit të tij dhe mbi të gjitha të kontribuojë në zbatimin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar, që është një politikë që përcaktohet nga bashkëveprimi i të gjitha institucioneve të shtetit që ka Ministria e Punëve të Jashtme, qeveria, presidenti dhe Kuvendi.

Sa të drejt e pe largimin e Bushatit në këto momente, ishte diçka e pritshme për ju?
Unë nuk jam në brendësi të punëve të qeverisë, ajo është kompetencë e kryeministrit dhe e vetë Partisë Socialiste.

Do të thosha në pikëpamjen e kreut të diplomacisë, a ishte një ministër i mirë, a punoi mirë apo keq?
Nuk jam unë ai që duhet të vendos nota vlerësimi, është kryeministri. Unë veç si koleg dhe si njeri që kam pasur kontakte aq sa mund të ketë një ish-ministër i Jashtëm, e kam vlerësuar dhe respektuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.