Ekonomi

Dëmet e prapambetura, u paguan shtatë miliardë lekë në një vit

17:00 - 27.01.19 Gazeta Shqiptare

Kompanitë e sigurimeve paguan mbi 7 miliardë lekë dëme të prapambetura gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e bartura në vite në Fondin e Kompensimit të Byrosë së Sigurimeve janë shlyer në pjesën më të madhe të tyre. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj Byrosë së Sigurimeve ka sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve totale të paguara. Gjatë vitit 2018, siguruesit paguan afro 7 miliardë lekë dëme, në rritje me 26% krahasuar me vitin 2017. Raporti mes dëmeve dhe primeve ka arritur në 41%, një ndër më të lartët e regjistruar ndonjëherë në tregun shqiptar të sigurimeve. Presioni i AMF-së dhe Komisionit të Ekonomisë më në fund duket se ka sjellë rezultate në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të Fondit të Kompensimit. Në dy vjet, kompanitë kanë paguar rreth 1.7 miliardë lekë dëme.



Zhvillimi i tregut
Tregu i sigurimeve shfaqi një rritje modeste edhe vitin e kaluar. Primet e shkruara bruto u rritën me 4.5% krahasuar me një vit më parë. Në veçanti, tregu i sigurimit të jetës rezultoi në rënie me 4.5%. Shqiptarët paguajnë mesatarisht rreth 45 euro prime sigurimi për frymë, vlerë kjo më e ulët krahasuar qoftë edhe me vendet fqinje. Pesha e sigurimeve të detyrueshme u thellua edhe më shumë këtë vit, duke e bërë tregun gjithnjë e më të varur prej tyre. Sigurimet e detyrueshme motorike sollën mbi 68% të primeve të arkëtuara nga kompanitë vitin e kaluar. Edhe në tregun e sigurimit të jetës më shumë se gjysma e primeve erdhën nga sigurimi i jetës së debitorit, sigurim ky që kërkohet në mënyrë të detyrueshme nga institucionet financiare.

Të ardhurat
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2018 kapën vlerën mbi 16,921 milionë lekë, ose 4.49% më shumë se në vitin 2017. Gjatë vitit 2018, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,309,143 me një rritje prej 5.89% krahasuar me vitin 2017. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.75% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.59% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.41% të totalit të tregut. Gjatë vitit 2018, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,972 milionë lekë, ose 26.23% më shumë se në vitin 2017.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *