AKTUALITET

Kandidimi në Durrës, Oketa: Jam në PD për më shumë se kaq

12:09 - 27.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Gazmend Oketa iku nga Partia Demokratike me kokën e kthyer pas… Iku si demokrat. Edhe larg saj mbeti i tillë. Në rikthim e mirëpritën të gjithë në shtëpinë e përbashkët të PD-së. U rikthye në orë jo të mira për PD-në pasi aksioni i saj politik ka shënjuar rrëzimin e qeverisë “Rama”. Pikërisht kësaj beteje ka vendosur t’i bashkohet edhe Gazmend Oketa, ish-ministër i Mbrojtjes, aktualisht pjesë e forumit të Këshillit Kombëtar të PD-së. Ndaj z.Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se është i gatshëm të kontribuojë duke lënë të hapur mundësinë e kandidimit në Durrës me 30 qershor për kreun e Bashkisë së këtij qyteti. “Unë jam në PD për më shumë se kaq. Unë jam në politikë për të kontribuar me aq sa mundem për ndërtimin e një sistemi politik vërtet demokratik”, – shprehet z.Oketa.




Z.Oketa, cilat ishin shtysat që ju rikthyen në Partinë Demokratike?
U riktheva në PD për shkak të zhvillimeve politike në vend. Lëvizja e studentëve dhe protesta më ktheu besimin se mund të ndryshojë situata, protesta e banorëve të Astirit si dhe ajo e Teatrit Kombëtar. Unë besoj se mjafton të përmendim rastin e fundit të Unazës së Re, që nga buxheti do të avullonin 30 milionë euro. Miqtë e mi më të mirë janë tek e djathta.

Tashmë në PD shohim në ngjitje figura të reja. Si e shikoni ekipin e ri të Lulzim Bashës të dalë nga zgjedhjet e brendshme në PD?
Së pari, e shikoj si ekip, i cili përfaqëson të gjithë anëtarësinë e PD-së dhe jo si një ekip personal të z. Basha. Nëse anëtarët e këtij ekipi do ishin emëruar nga z. Basha, atëherë ai mund të quhej ekipi i tij. Në fakt, anëtarët e Kryesisë si dhe sekretarët, ndodhen në ato pozicione pas një procesi votimi në Këshillin Kombëtar të PD. Në gjykimin tim, ai është një ekip, i cili përmbledh brenda tij individualitete, eksperienca dhe karaktere të ndryshme.

Tek secili prej tyre, besoj se gjithkush mund të gjejë një përfaqësues të tij. Mendoj se në mënyrë krejt normale, anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë bërë një shpërndarje vote, duke zgjedhur në Kryesi, si njerëz me eksperiencë politike apo organizative, ashtu dhe individë të rinj apo dhe të ashtuquajtur zëra ndryshe. Personalisht do t’i uroja gjithsecilit prej tyre sukses, dhe që ky sukses të jetë sa më i plotë, uroj që të gjithë ata të bashkëpunojnë plotësisht me njëri-tjetrin, ashtu siç një ekipi të mirë i takon, si dhe respekt të vlerave të gjithsecilit. Kjo besoj se do ta bënte atë një ekip fitues.

Ju jeni nga ata demo-kratë që e njihni mirë bazën e partisë dhe strukturat e saj, por referuar listës së kryesisë së re të PD-së a besoni se anëtarët e saj realisht e njohin terrenin…?
Një pjesë e mirë e tyre gjykoj se e njohin mjaft mirë terrenin si dhe anëtarësinë e PD-së në shumicën e qyteteve. Pjesa tjetër, e cila mund të mos ketë këtë lloj “avantazhi”, jam i sigurt se do mundet të krijojë dhe ajo njohjet apo eksperiencën e saj. Një ekip është interesant kur jo të gjithë ata që e përbejnë kanë të njëjtin format. Përfytyroni një ekip futbolli i cili do t’i kishte të gjithë lojtarët mbrojtës apo mesfushorë. Është e sigurt që do dilte i humbur në çdo ndeshje.

Nisur nga lista e propozuar nga z.Basha për anëtarë në Këshillin Kombëtar të PD-së, por edhe në kryesi, duket se ka një tentativë për të afruar sa më shumë kontribuues të PD-së në struktura të larta të partisë. Sipas jush kush tjetër duhet t’i bashkohet PD-së?
Unë mendoj çështja nuk shtohet vetëm për ata që duhet t’i afrohen patjetër PD-së. Sot gjykoj se bëhet fjalë për diçka më të madhe se PD. Sot është në diskutim e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë. Fatkeqësisht Shqipëria ndodhet në një situatë kur pothuaj e gjithë shtresa e mesme e shoqërisë, të gjithë të arsimuarit, edhe pse ndoshta kanë një mundësi ekomomike relativisht të pranueshme, duan të largohen. Ata po zgjedhin të shkojnë drejt një të panjohure më të madhe, sepse kanë pësuar zhgënjimin e madh dhe e shohin me pasiguri të ardhmen.

Në vend që të largohen, dhe që kjo situatë të ndryshojë, unë mendoj se nuk është e thënë që e gjithë shoqëria të anëtarësohet në një grupim politik. Ajo që duhet të bëjë shoqëria shqiptare sot është që duhet të reagojë, duhet të mos paragjykojë opozitën, por të mbështesë ato çështje ku opozita ka të drejtë dhe të ngrihet sa herë që gjykon se qeveria po keq qeverisë apo po abuzon me pushtetin. Nuk ka nevojë të jesh anëtar partie, për të mbështetur çështjen e Teatrit Kombëtar, protestën e studentëve, protestën e unazës së re, të protestosh kundër koncesioneve apo vjedhjes së parasë publike, siç është rasti i projektit krejtësisht korruptiv të unazës së re.

Z.Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demo-kratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë?
Unë besoj se pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare është e pakënaqur me qeverinë aktuale, është e pakënaqur me mënyrën se si kryeministri i vendit, z. Rama po drejton vendin, është e indinjuar me faktin se ai po abuzon me pushtetin dhe se ai po përqendron në duart e tij të gjitha pushtetet. Ai ka pushtet absolut politik brenda Rilindjes, ai ka pushtet absolut në qeverisje, ai po shtrin pushtetin e tij në drejtësi. Ai ka krijuar një super pushtet mbi ekonominë shqiptare, duke përqendruar gjithçka në pak duar, por çka është dhe më e keqja, pas kriminalizimit të politikës, nëpërmjet krijimit të kushteve për pastrim të parave të pista po kriminalizohet edhe ekonomia. Në një situatë të tillë unë e shikoj më shumë se të nevojshëm reagimin e shoqërisë shqiptare.

Unë mirëkuptoj cilindo që ka rezerva edhe ndaj opozitës, por këto rezerva nuk duhet të kthehen në një mundësi më shumë për qeverinë aktuale, për më shumë abuzim me pushtetin, me paranë publike, me drejtësinë apo me gjithçka që ajo kontrollon. Reagimi qytetar duhet të jetë i tillë që të përcjellë një mesazh të fortë e të qartë tek e gjithë politika.

Mesazhi duhet të jetë fare i thjeshtë, “Ti nuk më shërben, unë të largoj nga pushteti”. Opozita e sotme, dha llogari para qytetarëve shqiptarë 6 vite më parë. Sot është dita që qeveria aktuale të japë llogari për tepsinë apo timonin që e ka krejtësisht e vetme. Qeveria aktuale, apo më saktë z. Rama, është përgjegjësi i vetëm për keqqeverisjen, papunësinë, shëndetësinë që jo vetëm nuk është falas, por është shumë e shtrenjtë për xhepat e qytetarëve shqiptarë, për arsimin, i cili për shkak të një ligji krejtësisht klientelist ka futur të gjithë sistemin arsimor në kolaps, për drejtësinë pa drejtësi që vazhdojmë të kemi. Besoj se këto e shumë arsye të tjera, duhet t’i bëjnë shqiptarët të reagojnë, siç dhe opozita duhet të marrë përgjegjësinë për të përcjellë mesazhet e duhura dhe për të mirë orientuar pakënaqësinë popullore.

Drejtuesit e PD-së janë shprehur se nuk synohet marrja e pushtetit përmes protestave, por garancia për zgjedhje të lira. A është e gatshme PD të fitojë zgjedhjet dhe nesër të qeverisë ndryshe shqiptarët?
Që PD nuk synon marrjen e pushtetit nëpërmjet protestave nuk është vetëm çështje deklaratash, por edhe realiteti. Sa herë PD-ja ka ardhur në pushtet, ka ardhur me votë të lirë. Krijimi i kushteve për një sistem zgjedhjesh të lira, të ndershme pa përzierjen e grupeve kriminale në to, nuk është thjesht një problem i PD-së. Ai është një problem, i cili në rast se nuk zgjidhet do vazhdojë të prodhojë qeveri e qeveritarë të papërgjegjshëm, abuzues me pushtetin, pushtetarë që do punojnë për interesat e atyre që vjedhin, blejnë apo shantazhojnë qytetarët për votat.

Në këtë kontekst, zgjedhjet e lira shkojnë përtej interesit të një apo disa partive politike. Ato kanë të bëjnë direkt me interesin publik, me mundësinë që qytetarët të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre. Pa më të voglën mëdyshje ju them se PD-së, është e gatshme në çdo moment të marrë pjesë në zgjedhje të lira dhe nëpërmjet përfaqësuesve të saj më të mirë të rifitojë besimin e qytetarëve dhe mbështetjen e tyre me votë të lirë.

Nëse do të ketë garë të ndershme në zgjedhjet lokale, a besoni se shqiptarët me votën e tyre do t’i besojnë opozitës?
Është e pafalshme për të gjithë klasën politike shqiptare që pas 28 vitesh nga përmbysja e regjimit komunist, diskutohet për zgjedhje të lira e të ndershme. Megjithatë duke uruar e shpresuar se këto zgjedhje do jenë të tilla përgjigjja ime është kjo. Zgjedhjet lokale janë të vetmet zgjedhje ku qytetarët votojnë dhe zgjedhin vetë përfaqësuesin e tyre. E thënë më thjesht, janë të vetmet zgjedhje ku qytetarët nuk votojnë kryetarin e partive politike, por votojnë emrat e kandidatëve për kryetar bashkie. Kjo i jep një mundësi të mirë qytetarëve të bëjnë zgjedhjen e tyre.

Detyra e PD-së është të përfaqësohet me kandidatë dinjitozë, të cilët dinë të përfaqësojnë më së miri interesat e komunitetit ku bëjnë pjesë. Detyra e PD-së apo çdo force tjetër në një farë mënyre përfundon aty. Nga ky moment, përgjegjësia duhet të jetë e qytetarëve, të cilët duhet të kuptojnë se kur votohet për kryetar bashkie, duhet të zgjidhet ai kandidat i cili i shërben më mirë atyre, pavarësisht se nga cila forcë politike vjen. Unë besoj se PD-ja do e përmbushë më së miri detyrën e saj duke i ofruar qytetarëve kandidaturat më të mira të mundshme, dhe këta kandidatë së bashku me ekipet e tyre do të ofrojnë zgjidhjet më të mira për problemet e përditshme që kanë qytetarët shqiptarë në bashkitë ku ata jetojnë.

Ndryshe nga opozita, mazhoranca ka nisur të flasë me emra kandidatësh që do të garojnë me 30 qershor…
Sa për Rilindjen, nisur dhe nga lëvizjet e fundit në qeveri, besoj se do jenë kandidatura që do përfaqësojnë vetëm z.Rama, pasi fatkeqësisht duket sikur Partia Socialiste tashmë pothuaj ka mbetur thjesht një simbol.

Në PD flitet se ju jeni një ndër kandidatët më të mundshëm për të garuar për kreun e Bashkisë së Durrësit nisur nga mbështetja që ju keni në këtë qytet. Por nëse ju kërkohet një gjë e tillë nga z.Basha, a do të pranoni të kandidoni në Durrës?
Unë jam në PD për më shumë se kaq. Unë jam në politikë për të kontribuar me aq sa mundem për ndërtimin e një sistemi politik vërtet demokratik. Nëse arrijmë të ndërtojmë një sistem të tillë, ju siguroj se gjithçka do të ishte më e lehtë për cilindo prej nesh pavarësisht bindjeve apo krahut politik. Nëse do ndërtojmë një sistem të tillë, Shqipëria do të ishte vërtetë foleja e duhur e shqiptarëve.

Unë nuk e shoh politikën, thjesht çështje emri apo emrash. Ajo duhet të jetë e bazuar në një sistem vlerash, parimesh, idesh progresiste, e fokusuar tek interesi publik. Ajo duhet të krijojë një terren ku të rinjtë që afrohen aty, të sjellin energji, ide të reja, të përgatiten për të qenë drejtuesit e nesërm dhe jo të jenë thjesht kopje të njërit apo tjetrit drejtues.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.