Qeveria shqiptare dhe dega lokale e “Royal Dutch Shell” kanë hequr dorë nga plani për të kërkuar naftë në një zonë të mbrojtur në rajonin e Gjirokastrës, si pjesë e shpimeve në Bllokun 4.
Vendimi u mor pas protestave lidhur me shqetësimet mjedisore.
Ministria e Energjisë dhe e Infrastrukturës e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje për eksplorimin e naftës me “Shell Upstream Albania” për Bllokun 4 në malin e Shpiragut në shkurt të vitit 2018, ku planifikohej të investojë 42.5 milion dollarë në një periudhë prej shtatë vjetësh.
Blloku 4 përfshin zonën midis Sarandës dhe Gjirokastrës. “Shell” është gjithashtu e angazhuar në eksplorimin e gazit dhe naftës në Bllokun 2 dhe Bllokun 3 në Shqipëri.
“Përkundër rezultateve pozitive të studimit në Bllokun 4, “Shell” nuk do të kryejë aktivitete shpuese në zonën e mbrojtur të Zagoria, e cila gëzon mbrojtje të veçantë”, raportoi “Daily News” në 25 janar duke cituar drejtorin e “Shell Upstream Albania”, Rohan D’Souza.
Rajoni i Zagorisë është një park kombëtar me një ekosistem unik dhe kafshë të rralla.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi përmes një postimi në Twitter se ndërpritet procesi i shpimit në atë zonë.
Më 23 janar, Rama tha gjithashtu se ka indikacione për rezerva të mëdha të gazit dhe naftës në zonën e Shpiragut, pranë qytetit të Beratit.
“Nëse testet janë pozitive, ndikimi në ekonomi do të jetë i madh duke filluar nga 2020”, deklaroi Rama.
Vlerësohet se Shqipëria ka rezerva të naftës prej 220 milion fuçi dhe 5.7 miliard metra kub gaz natyror.