AKTUALITET

Albano Zhapaj: Protesta e studentëve dështoi, qeveria edhe më shumë. Tani fjalën e kanë pedagogët

12:45 - 29.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në dhjetor të vitit që lamë pas, mijëra studentë të universiteteve publike në vend protestuan fuqishëm për plotësimin e kërkesave që i kishin parashtruar qeverisë. Por me ardhjen e festave të fundvitit, ata u larguan dhe premtuan që do të vazhdonin çka kishin lënë përgjysmë në muajin janar. Por, studentët u tërhoqën nga sheshi dhe zgjodhën bojkotin e mësimit dhe ngujimin brenda fakulteteve. Por çfarë ndodhi me protestën masive dhe ku janë mijëra studentët që mbushën sheshin para MASR dhe Kryeministrisë? Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, eksperti i arsimit të lartë, dr. Albano Zhapaj bën një analizë të thelluar për protestën e studentëve, dhe ai shpjegon se ku dështuan të rinjtë. Sipas tij, një sërë faktorësh, veçanërisht infiltrimi i elementëve të politikës, shuajtën vrullin e mijëra studentëve. Zhapaj thekson se fuqia që vjen nga bashkimi i pedagogëve me studentët do të ishte e papërballueshme për qeverinë dhe i vetmi shpëtim për universitetin dhe të ardhmen e tij.




Sipas mendimit tuaj si ekspert i arsimit të lartë, a ka dështuar protesta e studentëve?
Mendoj se për sa i përket qëllimeve kryesore mbi të cilën u ndërtua si protestë, pra atyre katër kërkesave të famshme, mendoj se protesta ka dështuar. Studentët nuk përfituan ulje tarifash, nuk patën përmirësime në strukturën konviktore dhe as ndonjë lehtësirë të dukshme e të prekshme. Përgjysmimi i tarifave vetëm për studentët e ekselencës, nuk e zgjidh kurrsesi problemin, pasi student quhet kushdo i ri apo e re që hyn në auditorët e universitetit. Mendoj se kjo është thjesht një manovër e qeverisë për të përfituar kohë deri në shuarjen totale të protestës. Humbje tjetër e protestës është fakti që studentët u izoluan në vetvete, u vunë kundër pedagogëve, duke spostuar synimet dhe zbehur natyrën e protestës, dhe duke i dhënë krah qeverisë të justifikohej e më pas të devijonte kërkesat, duke bërë atë që donte vetë, e jo atë që kërkonin studentët.

Çfarë solli ndryshe kjo protestë?
Pranoj se ka edhe një fitore të protestës, ajo e jehonës mediatike kombëtare e ndërkombëtare, sensibilizoi ndjeshëm opinionin, si dhe vuri qeverinë në pozita kritike dhe reflektuese, të paktën formalisht, duke qenë se kjo e fundit ndryshoi pjesë të mirë të kabinetit. Më tej gjykoj se protesta e studentëve ishte tregues i çlirimit të frymëmarrjes nga ndotja e arrogancës qeverisëse, ishte dëshirë për të mos e braktisur vendin, ishte dashuri e furishme për Shqipërinë, ishte një përbuzje e madhe kundër mediokritetit, injorancës, arbitraritetit dhe hajdutërisë pushtetare.
Mund të na përshkruani një dinamikë të ngjarjeve që prej nisjes së saj në dhjetor deri më sot ku studentët janë tërhequr brenda auditorëve?
Një dinamikë pozitive e protestës ishte uragani studentor i munguar për 28 vjet në Shqipëri, si shprehje e forcës vitale që ka një popull që ngihet kundër një qeverie të padrejtë. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se në ditët e para kur protesta u masivizua, pati efekte mjaft pozitive në vend, pasi rilindi shpresa tek ndryshimi për një jetë më të denjë dhe në vendin tonë dhe kundër emigrimit të detyruar rinor. Një dinamikë negative e protestës ishte se ajo u izolua në vetvete, mbajti larg pedagogët, mbajti larg protestuesit e tjerë, siç ishin protestuesit e Unazës së Re, dhe ndërkohë që u proklamua si protestë jo politike, del më vonë me idenë e krijimit të një force të re politike. Tashmë studentët, atë që nuk e bënë dot kur ishin shumë dhe të bashkuar, nuk mund ta bëjnë dot të ndarë e të përçarë, nga klasat ku janë ngujuar.

Çfarë duhet të bënin ndryshe studentët për plotësimin e kërkesave të tyre?
Studentët nuk duhej ta izolonin protestën, por përkundrazi ta masivizonin atë, duhej të ishin konsultuar më tepër e më mirë, qoftë me familjet apo qoftë me intelektualë e pedagogë me integritet, ndërkohë që duhej të protestonin përpara Kryeministrisë dhe jo Ministrisë së Arsimit. Fakti që nuk vepruan kështu qysh në fillim ishte tregues se studentët nuk i kishin shumë të qarta idetë, dhe kishin nënvlerësuar aftësinë dhe pabesinë përçarëse të shumë institucioneve, duke filluar nga Policia e Shtetit, Shish-i, falangat e partisë në pushtet, e deri tek mediat e kontrolluara nga qeveria, të cilat punuan krah pushtetit, qoftë nën rrogoz apo haptazi. Duhet të pranojmë në parim se izolimi i çdo lloj proteste, sjell pasojë izolim të problemit dhe shuarje të ngadaltë të saj me kalimin e kohës.

A pati ndërhyrje nga eksponentë të forumeve partiake dhe si ndikuan në lëvizjen e studentëve?
Natyrisht që ishte e pritshme që të shumëfishoheshin përpjekjet e politikës për ta përvetësuar protestën, secila për interesin e vet, dhe deri këtu s`ka asgjë të çuditshme. Studentët duhej të kishin ditur të gjenin mbështetje edhe tek politika, mjafton që përkatësia e interesave të ishte e përbashkët dhe në koherencë me interesin kombëtar. Fatkeqësia ishte se pushteti e kapi protestën, e lodhi, e çorientoi, e devijoi derisa shuajti në masivizimin e saj.

Cilat ishin format e përdorura për këto lloj ndërhyrjesh?
Duhet kuptuar se ka individë në krye të këtij pushteti që gjithë jetën janë trajnuar edhe jashtë vendit se si të bëjnë dhe ç`bëjnë protesta. Janë profesionistë. Ata bënë ç`ishte e mundur për t’i përçarë studentët protestues duke i çuar deri në pikën që t’i bënin ata të shkonin nga iluzionet në zhgënjime. I rrethuan ata me policë civilë, me shish-sa e sigurimsa, i trysnuan e stresuan, futën ndër ta militantë e të paguar, i fotografuan e identifikuan për t’u shtrënguar prindërit, për ata studentë që i kishin diku të punësuar në shtet, ndërsa në të njëjtën kohë ushqyen kundërshtitë e brendshme mes studentëve protestues. Në këto kushte studentët u përballën me dy kundërshtarë; kundërshtarin e brendshëm, përçarësin e futur nga pushteti, dhe atë të jashtëm që është vetë qeveria. Dihet se kundërshtitë gjenerojnë pakënaqësi, pakënaqësitë provokojnë represion, studentë të zhgënjyer filluan të braktisin protestën, përçarësit ngritën kokën, devijuan qëllimet e protestës dhe dështimi rrjedhimisht ishte i pashmangshëm. Studentët nuk duhet të binin pre e presionit të jashtëm dhe duhet të shkelmonin e largonin elementët përçarës të brendshëm të futur aty nga pushteti, të vazhdonin protestën se duke protestuar do t’u kthjelloheshin edhe më mirë idetë dhe do gjenin vetë mënyrat më të mira për zgjidhjen e problemeve të tyre. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

A u plotësuan kërkesat e studentëve, pas miratimit të paktit për universitetin?
Duhet kuptuar se fjala “Pakt” në vetvete nënkupton, në të gjitha gjuhët e botës, një marrëveshje ndërmjet dy apo më shumë palëve për çështje të interesave të përbashkëta, marrëveshje kjo e bashkëpranuar dhe firmosur nga të gjitha palët e interesuara. Qeveria krijoi një dokument që nuk i përmbush absolutisht kushtet për t`u quajtur pakt. Nisur nga kjo premisë, as që bëhet fjalë për plotësim kërkesash, sepse po të lexosh me vëmendje këtë dokument të njëanshëm, e që shitet si pakt, kupton se qeveria po tenton të realizojë ëndrrën e saj të vjetër, atë të kapjes së universitetit publik. Në të vetëshpallurin “pakt” identifikohen qartësisht përpjekjet që po bën qeveria për të hedhur studentët kundër pedagogëve, të cilat janë tregues se ajo është kundër akademikëve, kundër universitetit publik, kundër shkollimit falas, e përse jo, kundër kulturës tonë kombëtare dhe evropiane.

Si e vlerësoni qëndrimin e rektorëve dhe dekanëve ndaj protestës, ku shumë prej tyre kanë kërkuar që studentët t’i rikthehen mësimit?
Rektorët dhe dekanët nuk janë shprehur në shumicë që studentët t`i rikthehen mësimit, kanë qenë disa syresh që janë vendosur aty me pëlqimin e pushtetit, dhe kjo gjë dihet publikisht, mjaft të kujtojmë zgjedhjet e para tre viteve në universitet, ku pati ndërhyrje edhe nga bota e krimit. Ju kujtoj se faza e parë e vënies në provë të ligjit 80/2015 të arsimit të lartë, e megafonuar si sukses, pra ajo e zgjedhjeve të strukturave drejtuese në universitet, tregoi qartë se ligji dështoi, pikërisht nga paqartësia e tij mbi këtë proces dhe mungesa e akteve nënligjorë të vlefshëm, ku udhëzimi i atëhershëm i MASR i zgjedhjeve në universitete, penalizoi apo përjashtoi apriori profesorët e padëshiruar nga pushteti, duke bërë edhe që në disa universitete publike zgjedhjet për dekanë e rektorë të kryheshin me vetëm një kandidat. Fakti që pushteti ka kërkuar dhe kërkon të “shtjerë në dorë” universitetin publik, nuk përbën ndonjë gjë të panjohur në kontekstin shqiptar. Qeveria aktuale, falë ligjit të ri të arsimit të lartë, hyri në universitet kësaj here më shumë se çdo qeveri tjetër e mëparshme, dhe shtriu kontrollin e saj duke përdorur zgjedhjet për krerët drejtues të universiteteve tona publike. Logjika e thjeshtë na mëson se kur ke në dorë krerët e institucioneve, ke në dorë gjithë institucionin.

Cili është mendimi juaj mbi mbledhjen e fundit të asamblesë së pedagogëve të UT-së?
“Pakti për Universitetin” ka brenda tij disa pika që bien ndesh, jo vetëm me ligjin e arsimit të lartë dhe natyrën specifike të profesionit të akademikut, por edhe me kodin e punës. Këtë gjë s`ka pedagog që mos ta dijë dhe mbledhja e fundit e asamblesë së pedagogëve të UT-së mund të sjellë risi në vazhdimësinë e plotësimit të kërkesave të studentëve. Pikëpyetja e madhe që duhet ngritur dhe i duhet dhënë përgjigje është se përse qeveria po kërkon me ngulm të godasë pedagogët, dhe jo t`i përgjigjet kërkesave konkrete të studentëve. Asambleja e Pedagogëve të UT-së, më shumë se kushdo tjetër e di mirë se pushtetit nuk i pëlqen që pedagogët kanë “defektin” e të bërit oponencë politikave apo vendimmarrjeve të gabuara të kujtdo qeverie, ku një pjesë e mirë e tyre janë profesionistë të mirëfilltë dhe i përkushtohen më tepër edukimit të brezit të ri sesa idealeve të partisë. Dihet se në arsimin universitar, ka ekzistuar së tepërmi dhe ekziston një rezistencë e caktuar përkundrejt ndikimit të pushtetit në arsimin e larë, dhe kjo gjë shqetëson natyrshëm realizimin e qëllimit qeveritar, atë të dhënies jetëgjatësi karriges së pushtetit. “Pakti për Universitetin” synon të krijojë panik për stafet akademik, duke krijuar kushtet për dominim total të universitetit, si fillim nëpërmjet kontrollit të pozicioneve drejtuese njerëzve të pushtetit e më tej administrimit dhe emërimeve klienteliste, ku kriter primar kualifikues të jetë shërbimi ndaj pushtetit. Gjykoj se përfshirja e pedagogëve për të kundërshtuar krizën e sotme në arsimin e lartë ka zbuluar edhe fytyrën e vërtetë të pushtetit. Vendimet e asamblesë së pedagogëve të UT-së në rast se arrin të mobilizojë gjithë stafet akademike edhe në universitetet e tjera publike, do të sjellë të papritura jo të këndshme për qeverinë dhe pushtetin. Fuqia që vjen nga bashkimi i pedagogëve me studentët do të ishte e papërballueshme për qeverinë dhe i vetmi shpëtim për universitetin dhe të ardhmen e tij. Sa më shpejt ta kuptojë pushteti që rrënimi i arsimit të lartë është rrënimi i Shqipërisë, aq më mirë do të jetë, përndryshe bashkimi student-pedagogë do të bëjë që gropa e hapur në arsimin e lartë, të përpijë të parët ata që e hapën.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.