AKTUALITET

Vrasja e ish-policit/ “Si takova familjen Bilali, kërkuan ndihmë për gjakmarrjen”

12:00 - 01.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Rezarta Delisula  – Në janarin e vitit 2019 janë kryer 7 vrasje për shkak të gjakmarrjes. Kreu i Komitetit Shqiptar të Pajtimit, Gjin Marku, rrëfen për “Gazeta Shqiptare”, nisur nga vrasja e ish-policit mesditën e së mërkurës në Selitë, që familja e tij kishte shprehur këtë shqetësim, ndërsa autorët e vrasjeve të vëllezërve të Arben Bilalit nuk u identifikuan nga policia. Sipas tij, zonat më tipike me mbartje familjesh në gjakmarrje janë Kombinati, Yzberishti, Selita dhe Kamza.




Z.Marku, ju jeni kryetar i Komitetit Shqiptar të Pajtimit, si e gjykoni situatën e fundit të gjakmarrjeve në vend?
Edhe pse numri i vrasjeve për muajin janar të këtij viti është 7 e nuk kalon mesataren e vrasjeve para vitit 2012, ato janë tregues serioz i gjendjes së rëndë të situatës së hakmarrjes e gjakmarrjes në Shqipëri. Nëse nuk do kishin emigruar mijëra familje që janë në hasmëri dhe kër-kojnë azil jashtë shtetit, sot situata do ishte dhjetë herë më tragjike. Hasmëritë që kanë sjellë e vazhdojnë të sjellin gjakmarrje në Shqipëri, sipas mentalitetit të deformuar kanunor gjatë transicionit postkomunist janë thuajse në çdo derë shqiptari. Shumë pak familje të thonë se jemi të qetë e pa konflikte si brenda dhe jashtë shtëpisë. Kjo është e konfirmuar nga grupet e punës së pajtimit që kemi në 2800 fshatra, nga 3200 që kishim më parë, sepse 400 fshatra janë braktisur dhe nuk ka asnjë shenjë jete në to. Për ligjin 7500 mbi tokën në fshat, për ngatërresa e probleme të çastit, për konfliktet në trafi-kimin e femrave apo të dro-gës, për konfliktet bashkëshortore e divorcet për shkaqe të ndryshme që prekin nderin e dinjitetin e familjes apo personit, nga konfliktet e trashëguara e ato të lindura gjatë 29 viteve të transicionit kemi rreth 15 000 të vrarë, që nga viti 1990. Po të mos ishte zakoni i mirë e pajtimit e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve pa shkuar në gjykatë dhe largimet jashtë Shqipërisë për shkak të hasmërisë, mund të themi pa lëkundje se sot do të kishim jo 15000 viktima, por 150 000 të vrarë. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka të regjistruara për çdo vit numrin e familjeve që kërkojnë azil për shkak të rrezikut ndaj jetës nga çdo vend i botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Janë rreth 250 000 familje shqiptare që kanë kërkuar mbrojtjen e jetës jashtë Shqipërisë gjatë këtyre 29 viteve transicioni.

Të mërkurën ndodhi një tjetër vrasje, ajo e Arben Bilalit, ku autor dyshohet gjaksi. E njihnit si rast? Mund të na thoni ndonjë detaj?
E njoh këtë familje fatkeqe dhe e di se ata janë përfshirë në disa raste tragjike, ku policia nuk ka mundur të identifikojë autorët. I shpreh keqardhjen e ngushëllimet më të thella familjes Bilali, e cila ka ngritur shqetësimin edhe para zyrës sonë, por pa identifikuar autorët. Pa identifikimin e autorëve, për ne ka qenë e vështirë të bëjmë hapa për pajtim e sqarim të situatave që kanë çuar në vrasje vëllezërit Bilali. Kemi shumë raste të tilla. Ka edhe raste të tjera ekstreme vras-jesh, që autorët fshihen mbas vendimeve të gjykatave. Janë rreth 700 familje shqiptare që jetojnë nën terrorin e një babai kriminel që ka bërë vrasjen dhe prokuroria e gjykata kanë dërguar në burg gruan e tij si vrasëse, duke e kamufluar vrasjen si çështje nderi në një kohë që rrethi shoqëror e vetë gjyka-tësit e prokurorët e dinë që vrasjen e ka bërë burri, por ka detyruar gruan, qoftë edhe me kërcënim, që të thotë se e ka bërë ajo vrasjen me qëllim fshehjen e autorit dhe të motivit të krimit. Organizatat e grave në Shqipëri janë krejtësisht të paafta të marrin në mbrojtje gratë e vajzat shqiptare, që janë jashtëzakonisht të dhunuara brenda familjes bashkëshortore.

Keni bashkëpunuar me policinë për evidentimin e shmangien e gjakmarrjeve?
Raportet vjetore, rezolutat dhe Memot e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar japin të dhënat ekzakte të familjeve të përfshira në gjakmarrje e hasmëri, të konfirmuar edhe nga studimet e fundit të policisë së gjeneratës së re të shtetit në bashkëpunim me OSHEE-në. Policia e gjeneratës së re të shtetit bën përpjekje maksimale për ndalimin e krimit, por e ka krejtësisht të pamundur ndalimin e vrasjeve për gjakmarrje si dhe marrjen në mbrojtje të familjeve në hasmëri. Në vitet 2016–2017 dhe 2018 qeveria Shqiptare ka krijuar lidhje të drejtpërdrejtë me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar në procesin e parandalimit të vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje, duke bashkëpunuar në 2800 fshatra dhe në 60 bashki nëpërmjet nëpunësve bashkiakë e komunalë dhe oficerëve të policisë me misionarët e pajtimit. Është bërë e mundur që në sajë të këtij bashkëpunimi të ulet numri i vrasjeve me mbi 50% në krahasim me vitet e mëparshme. Policia e gjeneratës së re në bashkëpunim me Komunitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar dhe OSHEE bëri një studim mbi familjet në hasmëri në 6 qarqet e veriut të Shqipërisë dhe hartoi një plan bashkëpunimi në procesin e pajtimit. Për rastet e veçanta kur procesi i pajtimit nuk bërë i mundur dhe familjet në hasmëri detyrohen të largohen nga Shqipëria për t’iu shmangur vrasjes është zbatuar Rekomandimi i Qeverisë Shqiptare nr. 1716, dt. 29. 9. 2009, lënë në fuqi nga gjykatat dhe prokuroria shqiptare, që u kërkon institucioneve vendore dhe ndërkombëtare t’i referohen Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për vërtetimin dhe mbrojtjen e së drejtës së jetës së këtyre familjeve, me qëllim që të eliminohet çdo paqartësi dhe burim fiktiv të dhënash. Bazuar në këtë rekomandim, prokuroritë dhe gjykatat kanë dënuar të gjithë përfaqësuesit e shtetit dhe të OJQ-ve që kanë lëshuar vërtetime hasmërie pa e arkivuar çështjen për shqyrtim e ndjekje në Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, i cili udhëheq në shkallë kombëtare procesin e pajtimit dhe organizon bashkërendimin profesional e ligjor me policinë e shtetit, gjykatat dhe prokurorinë si dhe zyrat e azilit për mbrojtjen e emigrantëve që rrezikohen nga gjakmarrja.

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar është institucioni kompetent që udhëheq dhe bashkërendon punën në terren si dhe në praktikat ndërinstitucionale brenda dhe jashtë Shqipërisë për procesin e pajtimit dhe mbrojtjen e familjeve të përfshira në gjakmarrje. Me rekomandimin e qeverisë shqiptare, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka pasur mbështetjen dhe bashkëpunimin e UNFPA-së, UNHCR, Këshillit të Evropës, Selisë së Shenjtë, si dhe të qeverive perëndimore si SHBA, Gjermania, Kanadaja, Franca, Anglia, Austria, Holanda, Zvicra, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Danimarka, Italia, Greqia, Luksemburgu, Australia, Irlanda, Islanda, Zelanda e Re etj., për mbrojtjen e të drejtës së jetës së familjeve që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes. Reporterët e OKB-së dhe të Këshillit të Evropës bëjnë takime të përvitshme dhe konfirmojnë mbështetjen raporteve të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar në procesin e pajtimit në Shqipëri si dhe mbrojtjes së të drejtës së jetës së emigrantëve shqiptarë në Evropë. Qeveria shqiptare ka bashkëpunuar me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar edhe për të marrë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, pasi shkaku kryesor i vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje janë bërë vendimet e padrejta të gjykatave. Nga 600 000 vendime të gjykatave shtetërore palët kanë shkuar në hasmëri e gjakmarrjeje, duke sjellë pasoja tragjike me vrasjen e 4000 personave në 29 vite të transicionit, vetëvrasjen e 4200 vetave dhe kalimin në depresion të 22 000 qytetarëve. Shumica e vendeve perëndimore në zbatim të Konventës së OKB-së kundër torturës dhe dënimeve apo trajtimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose degraduese kanë marrë në mbrojtje të drejtën e azilit të familjeve shqiptare që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes, por disa nga këto vende kanë bërë refuzime të padrejta bazuar në lajmet e rreme në media se Shqipëria është vend i sigurt dhe se shqiptarët kërkojnë padrejtësisht azil për shkak të gjakmarrjes. Fatkeqësisht më 10 prill 2018, mbas refuzimit të azilit në Suedi dhe deportimit të tij në Shqipëri, vritet nga hasmi Marjo Majollari, i ati i të cilit ndodhet në burgim të përjetshëm për vrasje. Në fillim të janarit 2018, mbas refuzimit e deportimit në Shqipëri, i zihet pritë 23-vjeçarit Marenglen Mema, i cili ekzekutohet nga hasmit në makinën e tij, edhe pse lëvizte i maskuar. Të tilla vrasje kanë kulmuar më 10 shkurt 2016 kur u vra për gjakmarrje Xhevahir Brasha, emigrant nga rrethi i Hasit, pak ditë mbas kthimit nga Anglia. Vrasësit kishin marrë informacion që ai ishte kthyer në Shqipëri në një kohë të shkurtër. Në vitin 2016 Juglend Kapllanaj vetëvritet sapo hyn në aeroportin e Rinasit mbas deportimit të tij nga Gjermania. Rastet e këtyre vrasjeve mbas refuzimit të kërkesës për azil dhe deportimit në Shqipëri kanë ardhur si pasojë e mosrespektimit nga zyrat e emigracionit të rekomandimit të qeverisë nr. 1716 dt. 29 shtator 2009 për ta verifikuar çështjen në zyrat e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Në disa raste ka pasur vrasje për gjakmarrje edhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Në muajin prill 2017 u vranë ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit: Artan Cuku dhe drejtuesi i krimit ekonomik Ervin Dalipaj, dt. 24 prill 2017. Ekspeditat e pajtimit të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar kanë bërë të mundur që nga viti 2016 deri në vitin 2018 të realizohen 230 pajtime midis familjeve në hasmëri për vrasje, 1005 pajtime të hasmërive për plagosje, janë bërë pajtime për 956 hasmëri për çështje nderi, 751 hasmëri për prishjen e fejesave me shkuesi, 654 hasmëri për dhunën e shkaktuar brenda familjes, 6543 hasmëri për konfliktet për pronën në qytet, 9875 hasmëri për konfliktet mbi tokën në fshat, 10654 hasmëri për fyerje të personit, 2431 hasmëri për borxhe të pakthyera, 1230 hasmëri për trafik të femrave, 87 hasmëri të krijuara brenda familjes për shkak të shfaqjes së prirjeve homoseksuale, 5674 hasmëri për tradhti bashkëshortore, 1254 hasmëri për lidhje dashurie midis personave me fe të kundërt në kundërshtim me traditën e familjes dhe të fisit si dhe 2067 hasmëri për shkak të divorcit. Është bërë zgjidhje me mirëkuptim për 15490 mosmarrëveshjeve për probleme të ndryshme ekonomike, politike e ngatërresash të çastit, që në të shumtën e rasteve kalojnë në hasmëri e gjakmarrje, nëse nuk zgjidhen me mirëkuptim. Mbeten pa u realizuar pajtimet tek hasmëri problematike në 2260 konflikte për shkak të plagosjeve, 5456 konflikte për çështje nderi, 3200 konflikte për shkak të dhunës brenda familjes, 4567 konflikte për prishjen e fejesave me shkuesi, 25670 konflikte për pronën në qytet, 67890 konflikte për tokat në fshat, 23956 konflikte për fyerje të personit, 32908 konflikte për borxhe te pakthyera, 3280 konflikte për trafik femrash, 567 konflikte brenda familjes për shkak të shfaqjes së prirjeve homoseksuale, 11760 konflikte për tradhti bashkëshortore, 9870 konflikte për lidhje të fshehta dashurie si dhe 54700 konflikte për shkak te divorcit.

Sipas jush, cilat janë shkaqet e shtimit të gjakmarrjes?
Gjakmarrja ka kurba të ndryshme të zhvillimit të saj. Shkaqet kryesore të gjakmarrjes në transicion janë mungesa e drejtësisë dhe e zgjidhja institucionale e problemeve konfliktuale. Mosbesimi ndaj shtetit dhe organeve të drejtësisë ka qenë e mbetet shkaku kryesor i vrasjeve për gjakmarrje e hakmarrje që realisht janë me vetëgjyqësi dhe jashtë çdo kriteri zakonor, procedure apo natyre të gjakmarrjes së quajtur kanunore. Keqinformimi e keqinterpretimi i Kanunit kanë sjellë krime e vrasje me vetëgjyqësi që pasohen nga të tjera vrasje zinxhir.

Mund të na tregoni raste konkrete të ndërhyrjeve tuaja deri në pajtim?
Procesi i pajtimit është punë e përditshme dhe nevojë e shoqërisë në çdo vend, ku ka jetë dhe aktivitet njerëzor. Komiteti organizon në shkallë kombëtare e më gjerë këtë proces. Kohët e fundit personalisht jam përfshirë në procesin e pajtimit mes familje Muslia e Ademi në Tropojë. Kam qenë mbi 14 herë. Familjet janë të dyja fisnike dhe shpresojmë ta mbyllim, sepse edhe familja e viktimës na ka pritur e përcjellë me shumë respekt, pavarësisht nga moskurorëzimi i ceremonisë mes palëve. Po ndjekim dhe kemi pasur rezultat shumë pozitiv me familjen Visha dhe të familjen e viktimës, familjes Beluli e Laska etj.

Cila është zona më tipike me të ngujuar në Tiranë për shkak të gjakmarrjes?
Zonat më tipike me mbartje familjesh në gjakmarrje janë Kombinati, Yzberish, Selita dhe Kamza. Problemet e tokave dhe krimi i organizuar në këto zona janë më të dukshëm për të sjellë pasojat e vrasjeve e hasmëritë.

Sa është numri total i familjeve në gjakmarrje?
Në 2018-ën, siç e thashë më lartë, kemi 7 vrasje si pasojë e hakmarrjes e gjakmarrjes. Viti që shkoi ka pasur 70 vrasje ndër të cilat 17 brenda familjes, të tjerat nën mentalitetin e hakmarrjes e gjakmarrjes.

Çfarë masash duhet të marr shteti për shmangien e fenomenit apo reduktimin? Sugjerime konkrete?
Shteti së pari duhet të mirorganizojë funksionimin e institucioneve dhe të drejtësisë. Reforma në drejtësi do jetë e pa efektshme nëse nuk zbaton futjen e jurisë së qytetarëve në proceset gjyqësore dhe bashkëpunimin e gjykatave shtetërore me pleqësitë e gjykatat kanunore. Pleqësitë (Gjykata Kanunore) të 2800 fshatrave të Shqipërisë dhe 60 bashkive që gjatë periudhës 29-vjeçare të transicionit postkomunist kanë zgjidhur me marrëveshje e pajtim mbi 900 000 konflikte e hasmëri për: ndarjen e tokave, ujërat, pyjet, kullotat, për rrugët brenda fshatit, kalimet në pyje e lumenj, gardhet, dëmet e bagëtive, prerjet e lëndëve drusore, shfrytëzimin e rërave dhe guroreve, vendvarrimet dhe kalimet në tokat e të tjerëve, fejesat me shkuesi dhe prishjet e tyre, martesat dhe divorcet, lidhjet e fshehta të dashurisë, grindjet e çastit dhe fyerjet, borxhet, dëmet në prona, uzurpimi i tokave në qytete nga lëvizja e pakontrolluar demografike, konfliktet mbi dyqanet dhe rrugët para tyre, konflikte mbi ndërtimet, konfliktet për shkaqe mosbindjesh ndaj prindërve, konfliktet për vjedhjet, për dëmtimet e pronave, nga rivaliteti në biznes, konfliktet për varret në qytete, konfliktet mbi shpronësimet, hasmëritë për vendimet e gjykatave, hasmëritë për vrasjet e trashëguara para dhe gjatë sistemit komunist, hasmëritë për vrasjet e reja, hasmëritë e vrasjet për nderin, hasmëritë për vrasjet për grabitje, hasmëritë për vrasjet aksidentale, hasmëritë për ndarjen e padrejtë të pronave, hasmëritë për dhunën e konfliktet brenda familjes, për grabitjet e shtëpive e të kopshteve, për grabitjet e dyqaneve, hasmëritë mbi trafikimin e femrave dhe të lëndëve narkotike, hasmëritë mbi borxhet e pashlyera dhe humbjen e pasurisë në kazino etj.

Vendimet e pleqësive “gjykatave kanunore” nuk janë kundërshtuar asnjëherë dhe palët jetojnë në paqe e vëllazëri ndërsa vendimet e gjykatave shtetërore në të gjitha rastet kanë thelluar konfliktin e hasmërinë mes palëve. Nga 600 000 vendime të gjykatave shtetërore palët kanë shkuar në hasmëri e gjakmarrje, duke sjellë pasoja tragjike me vrasjen e 3500 personave, vetëvrasjen e 4200 vetëve dhe kalimin në depresion të 22 000 qytetarëve. Për shkak të vendimeve të padrejta e korrupsionit në të gjitha shkallët e prokurorive dhe gjykatave qytetarët ndjehen të terrorizuar e urrejnë sistemin e drejtësisë shtetërore dhe nuk kanë shpresë në përmirësimin e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.