DOSSIER

Urtësia e Kadaresë në rrëfimin e fëminisë së tij

15:25 - 04.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prof. Dr. Albert Frashëri – Çdo vit, në prag të punimeve përzgjedhëse të komisionit për çmimin Nobel, del ndonjë teoricien i lirisë dhe kritikon Kadarenë si njeri të hierarkive të regjimit “republikan”




Në 6 janar 2019 gazeta e rëndësishme italiane “La Repubblica” botoi një tregim të Ismail Kadaresë me titull:

“Unë nuk kam frikë”

Kjo javë e ditëlindjes së njeriut më të shquar të letrave dhe të botës kulturore moderne shqiptare do të kishte nevojë për botime të veçanta e të rëndësishme mbi veprën e tij. Unë po kufizohem me disa mendime rreth këtij tregimi brilant dhe afiniteteve interesante që ai shpreh me jetën e Kadaresë dhe sidomos me disa pamje të realitetit shqiptar.

Nuk është e lehtë të flasësh për një vepër të porsabotuar të një prej shkrimtarëve më të famshëm të kohës sonë. Vepra e tij shumë herë ka shprehur ide që nuk shfaqen drejtpërdrejt, por që burojnë nga veçoritë e një stili unikal dhe nga mendimi i kulluar i autorit që lexuesit e të gjitha gjuhëve kanë kuptuar pa vështirësi. Në veprën letrare të këtij prozatori të rrallë ajo që nënkuptohet e nuk shqiptohet hapur, shpesh herë është më e rëndësishme nga ajo që fjala formalisht rrëfen. Kjo cilësi dallon shkrimtarët e mëdhenj, mes të cilëve Kadareja tashmë ka merituar një nga piedestalet më të lartë.


Tregimi i Kadaresë, rrëfyer nga goja e një fëmije me urtësinë dhe përvojën e pafund të autorit, më sjell ndërmend prirjen dhe raportin e veçantë që Kadareja ka me botën e legjendave dhe fantazinë që ato krijojnë. Natyrisht unë nuk pretendoj të sjell pikërisht mendimin e autorit dhe idenë e tij në këtë tregim. Shpesh herë rreth një vepre artistike bëhen komente apo reçensione me konkluzione apo “zbulime” për të cilat autori as që ka menduar ndonjëherë. Kjo ndodh sepse një vepër artistike, pikturë, poezi, roman apo muzikë, bëjnë të mundur interpretime të ndryshme që pajtohen me natyrën e veprës, por që nuk përputhen gjithmonë me synimet origjinale të autorit. Prandaj për çdo devijim nga ana ime kundrejt mendimit të autorit, i kërkoj ndjesë atij dhe lexuesve.
Pra unë do të përpiqem shkurtimisht të shpjegoj idenë që kam krijuar për këtë tregim të Kadaresë. Ky është një tregim me të cilin duket sikur autori kërkon t’i besojë lexuesit disa të vërteta që lidhen edhe me raportin e vështirë që ai ka patur dhe ka me një pjesë të papërfillshme të vendit të tij.

Me dy fjalë, tregimi “Unë nuk kam frikë” rrëfen kujtime fëminore të Kadaresë në Gjirokastrën e tij. Ai flet për familje e shtëpi të periudhës perandorake turke, të mbretërisë shqiptare e, më pas, edhe të republikës, shtrat i një totalitarismi të pamëshirshëm e absurd. Një humor i lehtë dhe elegant shoqëron rrëfimin fëminor të Kadaresë. Ai si fëmijë vëzhgon dhe përpiqet të kuptojë dallimet mes monarkisë, perandorisë dhe republikës, duke u nisur nga karakteristikat e shtëpive dhe sjelljet e njerëzve që banonin në to. Ne fëmijëve, shkruan Kadaré, na pëlqenin më shumë shtëpitë e kohës së mbretërisë edhe pse ishin më të mbledhura, por në ato flitej më shumë dhe me fjalë të ëmbla. Në shtëpitë e tjera ka heshtje dhe shpesh herë ato janë të frikshme për shkak të hajdutëve dhe fantazmave që herë pas here futen në to. Në atë periudhë, shkruan autori, hajdutët dhe fantazmat ishin kudo të pranishme: hajdutë apo banditë, hije e fantazma.


Boshllëku, mediokriteti, fanatizmi i regjimit shndërrohen në bindje dhe ide të rëndomta që përligjin dhunën e pakufishme dhe për këtë sajohet fantazma, armiku që duhet shfarosur nga faqja e dheut. Në radio, kujton Kadaré, flisnin ditë e natë për hije të krijuara nga fashizmi, nga Amerika e Izraeli. Hije dhe fantazma. Fëmija natën kishte frikë kur dëgjonte kujisjen, gërvimën e trarëve nën peshën e përleshjes mes hajdutëve dhe fantazmave. Nuk dinte fëmija se cilin të preferonte: hajdutin apo fantazmën. Hajdutët u ngjanin njerëzve të ndershëm, ishin mësues, avoketër, inxhinierë që republika i kishte shpallur si banditë, si agjentë anglo-amerikanë, ndërsa fantazmat ishin gënjeshtra, shpifja dhe fanatizmi. Në këtë këndvështrim fëmija donte të largonte fantazmat nga bota e tij.
Fëmija ishte i zhgënjyer nga republika që tregohej e ashpër me banditët dhe mike e fantazmave. Atij i vjen në ndihmë Shakespeare, inglizi i famshëm që kishte shkruar edhe për fantazmat në tragjedinë e Hamletit. Aty ai kishte mësuar që ki-ki-ri-kiii i gjelave në prag të agimit i largonte fantazmat që i trembeshin gjelit, lajmëtar i një dite të re. Por e keqja ishte që familjet e fisme nuk mbanin pula e gjela në shtëpitë e tyre. Kur iu rrëfye gjyshes për këtë merak të madh ajo i kujtoi gjelat e fqinjëve dhe ky ishte shpëtimi. Ishte ki-ki-ri-kiii i gjelave fqinjë që i largoi fantazmat nga çatia e tij. Dhe ki-ki-ri-kiii i gjelave të Ficove, Xhaxhive dhe fqinjëve të tjerë u përhap kudo nga malet e Linxherisë përmes Shqipërisë, Dalmacisë, në Austri e Danimarkë deri në trojet e inglizit që mbante atë emër të çuditshëm, Shakespeare. Ishte i madhi i shkrimtarëve që kish dashur të shpëtonte njeriun nga fantazmat. “Ndërsa mendja më shkonte kah Poli i Veriut, një gjumë i thellë, më i ëmbli që kisha shijuar, më mori në krahët e tij.”


Komicitetin e gjelit lajmëtar dhe ki-ki-ri-kun e tij mund ta interpretojmë si lindjen e një ditë të re, si një triumf të së Vërtetës kundër fantazmave të gënjeshtrës e të thashethemeve të pafund që aq shumë e dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen e një komuniteti e, ndonjëherë, edhe të një kombi. Kadareja ka shumë arsye për të kujtuar dramën e njeriut të thjeshtë e të ndershëm që bie nën hijen e fantazmave të së keqes e të gënjeshtrës, pas të cilave fshihet dhuna, padrejtësia. Por nuk është hera e parë që ai e bën këtë. Ai i ka njohur fantazmat duke filluar nga agimi i krijimtarisë së tij. Ai e ka përjetuar frikën prej tyre, e ka ndjerë pranë si asnjë tjetër në historinë e arteve dhe letërsisë të regjimit totalitar në Shqipëri. Por në këto dekadat e fundit ai ka përjetuar të tjera zhgënjime, për mendimin tim, për shkak të disa opinioneve absurde dhe antikombëtare.

Nuk dimë si mund të deshifrohet ideja, qëllimi i këtij tregimi tipik kadarian, mes alegorisë dhe realitetit, frikës dhe fantazmave. Megjithatë ka disa koincidenca që duhet t’i pranojmë me bindje e që na bëjnë të mundur një interpretim të këtij tregimi të jashtëzakonshëm, si art e si përmbajtje.


Tregimi i Kadaresë na lejon të bëjmë një interpretim të natyrshëm e aktual të fabulës që shpreh, të fantazmave të republikës kundër qytetarëve më të shquar të saj. Republika shpalli si banditë ajkën e saj, atë pjesë të shoqërisë që simbolizonte vetëdijen për lirinë e humbur nga regjimi totalitar i Hoxhës. Shpifjet dhe dyshimet ishin fantazmat që ndrydhën pamjen shpirtërore të kombit, talentet e tij. Me sa duket ajo, e ashtuquajtura metodologji fantazmagorike e regjimit, vazhdon të mbijetojë në mes nesh, çuditërisht e mëkuar nga shovinizmat e gadishullit të mplakur të Ilirisë. Çdo vit, në prag të punimeve përzgjedhëse të komisionit për çmimin Nobel, del ndonjë teoricien i lirisë dhe kritikon Kadarenë si njeri të hierarkive të regjimit “republikan”. Këtë mund ta kurdisë vetëm padituria, injoranca e atij që vihet në rolin e fantazmës kundër banditëve të sajuar. Pikërisht siç bënte Hoxha me idhtarët e tij.

Në këto tri dekadat e fundit, pranë datave historike të rëndësishme, shkruhen e botohen artikuj të rremë e të turpshëm kundër figurave të nderuara të botës shqiptare. Kjo po bëhet sistematikisht në indiferencën e fajshme të institucioneve të shtetit shqiptar. Këto që shohim e dëgjojmë janë hije e fantazma të shovinizmave ballkanike që kanë vrarë priftërinj ortodoksë pse bënin meshën në gjuhën e nënës pra në shqipe të kulluar, kanë vrarë mësues të gjuhës shqipe, kanë persekutuar e masakruar popullsinë e pafajshme të krahinës iliro-epirote vetëm pse kultivonte gjuhën shqipe. Sot me keqardhje dhe në indiferencën totale të klasës politike goditen figurat e shquara të historisë e të kulturës kombëtare: hidhen teza absurde mbi origjinën e Gjergj Kastriotit, braktisen në harresë të fajshme figura si Naimi, Fishta, Mjeda, Migjeni, Noli deri dhe te Kadareja. Prej tre dekadash Kisha Ortodokse Autoqefale, që Noli i madh e bëri të pavarur nga fondamentalizmat orientale e shoviniste, e ka humbur sharmin e kombit që nuk e administron me duart e veta pamjen fetare e shpirtërore të jetës së tij. Noli, dua të kujtoj që, pas Naim Frashërit, vepra e Nolit dhe e Kadaresë shprehin përpjekjen gjeniale të tyre për një shqipe moderne në pajtim me potencialet e jashtëzakonshme që ka kjo gjuhë. Të rinjtë shqiptarë, edhe pse të shkolluar, nuk njohin universin kulturor të kombit, nuk njohin personalitetet e shquara dhe as veprat e tyre.

Në historinë e letrave të Europës Lindore dhe të regjimeve totalitare në përgjithësi, rasti Kadaré do konsideruar me plotë bindje si unikal. Asnjë artist nuk ka guxuar të shkruajë e të rrezikojë si ai nën thundrën e regjimeve totalitare. Kur lexonim “Dimrin e madh” ne kishim të qartë se si Kadarè nxirrte në pah ligësinë dhe fanatizmin ideologjik të shefit të kuadrit që bënte politikën e partisë dhe që nën peshën e mëkateve ishte shtrembëruar në formën e shkronjës Z (xeta). Kur lexonim “Pallatin e ëndrrave” ne përfytyronim Komitetin Qendror si shtabi i kobshëm i paudhësive të Hoxhës kundër kombit të tij. Asnjë shkrimtar nuk ka guxuar të bëjë atë që arriti të shkruajë e të botojë Kadareja. Ai, për mendimin tim, është i vetmi njeri i kulturës që me vetëdije të plotë ka rrezikuar e shkruar kundër regjimit me format më të rafinuara të artit që mrekullisht gjuha shqipe arrin të shprehë. Ai shkruante për Diellin dhe ne nënkuptonim errësirën në të cilën bënim sikur jetonim. Këtë mund ta bëjë vetëm një artist, qytetar patriot e demokrat i kulluar.

Nuk mund të mos kujtojmë si e trajtonte Naimi i madh problemin e Gënjeshtrës e të së Vërtetës. Filozofia e poezisë naimjane ndër të tjera theksonte nevojën e kërkimit të së Vërtetës si kusht të përparimit të individit, të familjes e të kombit. Ai e trajtoi këtë problem në vargje, me qartësi e thjeshtësi gjeniale, duke shprehur parimet mbi të Vërtetën në pajtim me konceptet sokratiane, kristiane e islamike: kërkimi i të Vërtetës e çliron njeriun dhe i jep kuptim e dinjitet ekzistencës individuale e kolektive. Është mahnitëse mënyra dhe thjeshtësia me të cilën poetët e Rilindjes Kombëtare e kanë konsideruar problemin e të Vërtetës, Mirësisë, të Bukurisë dhe harmoninë e tyre të pafund si kusht themelor për shpëtimin e Njeriut, të Njerëzimit e si thelb të demokracisë. Fenomeni i Rilindjes Kombëtare tregoi me qartësi dhe e bëri realitet këtë parim . . . themelor për të ardhmen e kombit.

Njerëzit më të ndritur të kombit formohen nën ndikimin e kulturës, traditave e historisë kombëtare. Nga ana tjetër ata e ndikojnë pozitivisht atë burim, d.m.th. Universin Filozofik e Kulturor të kombit. Sot, e them me keqardhje, dëgjojmë e lexojmë shprehje apo komente mbi figura të rëndësishme të kombit që të brengosin e të revoltojnë për ligësinë dhe injorancën që shprehin duke mos kursyer as Nolin apo Nënë Terezën.
Figura si Ismail Kadarè dhe Nënë Tereza nderojnë kohën tonë në të gjitha sferat e kulturës botërore. Sot dhe në të ardhmen ato janë e do të jenë nga monumentet më të shquara të botës shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.