Opinion-Komente

Diaspora dje dhe sot, për Shqipërinë

07:40 - 06.02.19 Andon Andoni

Duke shfletuar dokumente të ndryshme të historisë sonë të para njëqind viteve, duket sheshit se kontributi i shqiptarëve të diasporës, kryesisht i atyre të Amerikës, ka qenë dhe mbetet në vijën e parë për njohjen dhe prosperitetin e Shqipërisë, në një kohë tejet delikate dhe të vështirë asimiluese. Këto kohë, kur Amerika dhe Departamenti i Shtetit, në sy të shqiptarëve kanë marrë sërish rolin e “dorës së parë” që nga reforma në Drejtësi dhe deri tek ‘Zëri i Amerikës’, denoncues, madje edhe në zhargonin e “Rrugës së Elbasanit” duket se pak gjera kanë ndryshuar në kuptimin e qasjeve, mbështetjes dhe nevojave të Shqipërisë ndaj këtij vendi të madh të lirisë dhe demokracisë në Botë.



Edhe pse në kohët e shkuara, ata që interesoheshin për fatin e mëmëdheut, ishin fare pak të organizuar, vetëm në një Komisionar, pranë Departamentit të Shtetit(1919-1922), përfaqësues i “Vatrës” dhe pas 1920, përfaqësues i qeverisë shqiptare, dashuria dhe dëshira për të ndihur në rimëkëmbjen e vendit dhe mëvetësinë territoriale të tij, ishin të jashtëzakonshme. Edhe pse përpjekjet e diasporës dhe liderëve të saj në këmbënguljen që vendet Evropiane dhe kryesisht Amerika të njihte Shqipërinë si vend të lirë dhe sovran, në fushën politike dhe ekonomike nuk janë gjë tjetër vetëm se dashuria e zjarrtë e shqiptarëve në mërgim për të ndihmuar vendin e tyre të drobitur nga luftërat dhe kërcënimet grabitqare të fqinjëve.

Për këtë gjë, më vonë, do renditeshin faktet edhe nga Departamenti i Shtetit, që “Qeveria e Shqipërisë nuk i kishte borxh askujt prej vendeve të Evropës dhe Perëndimit, përveçse shoqërisë patriotike “Vatra” të Amerikës”, dhe lidhur me çështjen që duam të shtrojmë, pranohej në Departamentin e Shtetit se “Shqipëria nuk ka borxhe të jashtme dhe se të gjitha pagesat i kryen në ar[1].  Kjo tregon edhe njëherë për ndihmën që diaspora i ka dhënë mëmëdheut një shekull më parë, dhe që në të drejtën e Zotit dhe moralit, priret sot që ky borxh, më së paku moral, t’i rikthehet asaj.

Atë kohë, çdo shqiptar e dinte  se “shqiptarët  e Amerikës  kishin dhënë dhe do të jepnin një kontribut të madh për çlirimin dhe rruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe këtë e bënë në atë masë që i tejkaloi mundësitë dhe potencialin e tyre në anëtarë dhe mjete”[2], do shkruante mbështetur në dokumente e Departamentit të Shtetit, studiuesi Haris Silajxhiç.

Megjithëkëtë “zëri njohës” do vinte sërish nga përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës, kryesisht nga angazhimi i papërkulur i liderëve të saj. Duke njohur fuqinë e shtypit, Noli, Konica, Koste Çekrezi, Kristo Dako etj. do t’i bënin jehonë, që nga Washingtoni, “Vijës së përgjithshme të një programi për rindërtimin ekonomik të Shqipërisë[3].

“Po mbushet një vit që kurse vizitova Tiranën për  të parën herë,- do shkruante Çekrezi, -Po ndonëse po shkon një vit, një vit i frytshëm, dhe pjellor në ngjarje të mëdha e të shënuara, ato që pashë në kryeqytetin tonë, me rasjen e asaj vizite, nuk e kanë humbur as freskinë, as  interesin e tyre të gjallë. Duke mbyllur sytë shikoj fare kjartësisht lëvizjet e mëdha që bëheshin  me rasjen e mbledhjes së parlamentit. Dëgjoj akoma edhe sot  bisedimet e nxehta mbi lloj- lloj çështjesh politike, kujtoj zotimet, planet, organizimet në kartë që shtroheshin nga të gjitha anët… Pas Tiranës vizitova dhe qytetet më të shënuar të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugës, ku mblodha nënshtypjen, jo fare pa vend, të popullit përgjithësisht, që Parlamenti do të shëronte menjëherë çdo sëmundje që kishte hedhur në lëngim trupin e shtetit”.

Në situatën e sotme këto radhë të ngjallin optimizëm. Çka duhet të reflektohet edhe në jetën parlamentare dhe në popull.

Sot krijimi i Mistrisë së Diasporës, rezulton të jetë  një dëshirë dhe kërkesë e shumë intelektualëve në  Shqipëri, Diasporë, Kosovë, tek shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Turqisë, Greqisë, Italisë, SHBA-së, Australisë dhe kudo tjetër  ku ndodhen emigrantë shqiptarë të hershëm e të mëvonshëm, sidomos pas vitit 1990. Edhe vendosja në krye të kësaj ministrie e një figure përfaqësuese të PS-së, me karrierë të gjatë politike dhe qeverisëse, si Pandeli Majko, mund të vlerësohet si ndër më të arsyeshmet dhe më të gjeturat  e kryeministrit Edi Rama. Vetë ministri Majko e ka marrë dhe po e kryen këtë detyrë me kënaqësi, pasion, përgjegjshmëri, ambicie dhe me vizione e synime, që meritojnë mbështetje nga lart, nga Shqipëria  e nga organizimet masive dhe aktive në Diasporë. Pritshmëritë janë të shumta edhe nga vete komunitetet shqiptare në Diasporë. Për aq sa i kanë lejuar mundësitë Majko ka treguar se si front kryesor të kësaj ministrie vlerëson dhe trajton vete hartën e shtrirjes së Diasporës shqiptare, të hershme e të re. Ai vetë dhe zyrtarë të ministrisë së tij kanë qenë të pranishëm jo vetëm fizikisht në plot veprimtari me pjesëmarrje masive dhe me jehonë, në mediet shqiptare dhe të vetë diasporës.  Megjithatë, me aq sa është bërë deri më sot dhe është planifikuar për të ardhmen, mund të thuhet se kjo ministri është akoma në start apo në procesin e afirmimit dhe të konsolidimit. Objektivat e përcaktuara janë të mirëstudiuara e të realizueshme. Por, e rëndësishme është të mos mbeten në letra, në projekte dhe ide. Një nga këto objektiva parësore gjykojmë se është edhe shtrirja masive në diasporë  e mësimit nga fëmijët dhe të rinjtë e gjuhës shqipe. Kjo do të ndikonte për të frenuar dhe për të mos  lejuar më tej përparimin e procesit masiv të mos mësimit dhe përdorimit prej tyre në të folur dhe të shkruar të gjuhës amtare, çka mund të përkthehet edhe në asimilim gjuhësor.  Në këtë drejtim është venë re lëvizje përpara, edhe në vende ku nuk lejohej ligjërisht apo pengohej qartësisht si në Greqi, Turqi, etj, për të ringritur shkollat e dikurshme e të braktisura. Në këto vitet e fundit të gëzon fakti se ka përpjekje konkrete për të masivizuar shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe për t’u siguruar atyre mësues me përvojë dhe  tekstet e nevojshme.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm, varur më shumë nga Tirana, por jo vetëm nga Ministria e Disporës, është konkretizimi dhe funksionalizimi  për diasporën i të drejtës demokratike për pjesëmarrje me votë në proceset zgjedhore në Shqipëri si dhe për t’u përfaqësuar me deputetë dhe zyrtarë të lartë  edhe në qeveritë e ardhshme.  Kjo do të ndihmonte ndjeshëm jo vetëm për të rritur nivelin e sensibilizimit, por edhe të angazhimit dhe përgjegjësimit konkret të diasporës sonë, me përfaqësuesit e saj më elitarë, me formim  universitar, profesional  dhe kulturor perëndimor, për qeverisje shumë më të përgjegjshme, shumë të të efektshme për qytetarët dhe mbarë shoqërinë shqiptare, shumë më të pastra, sidomos për nga njollat e korrupsionit e të ortakërisë me kriminalitetin shumëformësh e shumëngjyrësh.  Zyrtarët e ardhur nga diaspora, nga vende me nivele të larta demokracie dhe shtetesh ligjorë funksionalë,  mund dhe do të ndikonin edhe për rritjen e nivelit të demokracisë,  të qeverisjeve, të luftës kundër informalitetit, korrupsionit,  kriminalitetit  edhe në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë… Gjithashtu, ardhja e personaliteteve intelektuale dhe profesionale nga Diaspora, të diplomuar, specializuar dhe doktoratuar në universitete prestigjioze të vendeve të përparuara perëndimore, do të kishte dhe një të mirë tjetër. Fjala është për ngushtimin apo pakësimin e hapësirave dhe të mundësive për poste të larta drejtuese nga diploma-blerës, doktoratura-vjedhës apo për militantë partiakë me CV të varfra ose të fryra me sajesa, që bëjnë punën e siliconit…                                                                                                                   Përvoja e derisotshme nga disa vende si SHBA, Kanada, Zvicra, Belgjika, Suedia, Italia…, ku në procese zgjedhore kanë konkurruar dhe fituar edhe kandidatë me origjinë dhe kombësi shqiptare, tregon se në këtë rrugë  mund të futen edhe  më shumë në të ardhmen.                                                                                                                                                                         Meqenëse jemi në fillim të vitit 2019, dëshirojmë dhe urojmë që puna e nisur nga Ministria e Diasporës të jetë më intensive, më konkrete, më rezultateve dhe me dobishme, për sot e në të ardhmen, sigurisht duke u mbështetur edhe më shumë si nga qeveritë Rama në Tiranë dhe Haradinaj në Kosovë,  ashtu edhe nga vetë Diaspora, për t’i kthyer diasporës sonë të dëshiruar, një borxh moral, edhe të njëqind viteve më parë.

[1] Po aty

[2] Haris Silajxhiç, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, “Dituria”, Tiranë 1999, f. 51

[3]“Dielli”, e shtunë, 29 prill 1922, f. 2

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *