OPINION

Ku do i gjejmë paratë e PPP-ve?

07:45 - 08.02.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse qeveria u tërhoq përkohësisht nga një prej koncesioneve me formulën Partneritet Publik-Privat (PPP) ndër më të kushtueshmit (Thumanë-Vorë), ngelen të tjerët, kryesisht rrugë, me një vlerë totale 1.5 miliardë euro. Kjo shumë, gati 40 për qind e shpenzimeve të buxhetit tonë të shtetit për një vit, përfaqëson mbi 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Është realisht një sasi kolosale parash. Lind pyetja: ku do të gjenden këto para? I kanë firmat e ndërtimit që kanë marrë përsipër rrugët? Jo! Në këto momente që flasim, ato që të gjitha, të marra së bashku, duke lënë çdo punë e detyrim tjetër, mundet ose jo të mobilizojnë 280-300 milionë euro, ndërsa duhen pesë herë më shumë! Duke konsideruar rrugët se si mund të sigurohen këto para, mundësia e realizimit të këtyre projekteve ngre pikëpyetje të mëdha. Nuk mjafton që këto para mendohet e shpresohet të merren (dhe nuk ka rrugë tjetër) nga oferta për kredi e sistemit tonë të 14 bankave tregtare. Që kompanitë ndërtuese vendëse të këtyre rrugëve (disa i kanë siguruar PPP-të vetëm dhe thjesht duke i paraqitur oferta të pakërkuara qeverisë) kanë një kapital tejet të vogël vetjak parash. Shumë më pak se një e treta e vlerës së rrugës që kompania po ndërton, standard ky që kërkohet për projekte të tilla të përmasave të mëdha. Për shembull, kemi dhënë si shtet koncesion PPP për një rrugë që vlen 160 milionë euro, kur kompania që ka marrë koncesionin para kesh gjendje ka vetëm 16.5 milionë euro! Nuk mjafton që duke ua lënë në dorë kompanive ndërtuese vendase, ato të vetmen mënyrë për të gjetur paratë të bëjnë rrugën kanë t’ua marrin hua bankave tregtare këtu tek ne.




Duke tharë burimet e huadhënies për sipërmarrjet shqiptare dhe qytetarët për këtë vit dhe për të gjitha vitet e tjera që kërkon ndërtimi i këtyre rrugëve. Jo. Nuk mjafton kjo. Kjo është vetëm një pjesë e hallit të madh. Pjesa tjetër ka të bëjë me mundësinë për këto kompani ndërtimi që të marrin paratë që u duhet nga bankat. Me kontratë, qeveria kërkon, për të nisur të paguajë, që një e katërta e rrugës të ketë mbaruar. Pra, nëse një rrugë kushton 160 milionë euro, duhet që kompania që ka marrë koncesionin të ketë bërë 40 milionë eurot e para nga kapitali i siguruar prej saj. Mirëpo shumica e kompanive fituese të këtyre PPP-ve kanë një raport negativ të kapitalit të tyre (mjeteve që zotërojnë vetë) me kapitalin borxh. Disa kapitalin borxh (mjete ndërtuese të marra hua ose para të thata) e kanë dy deri në pesë herë më të lartë se sa kapitali vetjak. Në këto kushte, bankat e kanë shumë të vështirë që këtyre kompanive të zhytura në borxhe të tilla, t’u japin hua të reja. Por edhe nëse kuturisen dhe ua japin, nuk do të mjaftonte për të gjithë koncesionin. Sipas rregullit që aplikohet në sistemin tonë bankar, një bankë e vetme për një klient të vetëm (kompani apo individ) nuk mund të japë më shumë se sa 20 për qind të kapitalit të vet. Banka më madhe në vend ka një kapital të vetin prej rreth 300 milionë eurosh, pra nuk mund të japë hua më shumë se 60 milionë euro për një klient të vetëm. Ndonëse bankat vitet e fundit e kanë rritur kapitalin, si kërkesë rregullatore e bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë, ato nuk janë të prira të rrisin shumën e financimit për një klient të vetëm. Atëherë, ku do të gjenden këto 1.5 miliardë euro nga sistemi ynë bankar?

Ngelet që disa banka të bashkohen në një kredi për një klient të vetëm, por në kushtet e shtrëngimit të kërkesave dhe garancive për dhënien e kredisë, kjo ngjan si një mision i pamundur. Pra, jo vetëm thajmë burimet e huadhënies për sipërmarrjet dhe qytetarët me këtë aventurën e stërmadhe të PPP-ve, por vendosim në rrezik të plotë realizimin e projekteve të kontraktuara, për arsye se paratë edhe këtej nga brenda në sistemin tonë bankar, si zor të gjenden aq sa duhen. Dhe në këto kontrata të PPP-ve, rreziku nuk është ndarë i barabartë për privatin dhe shtetin tonë. Jo! Rrezikun e mban gati të gjithin shteti ynë. Prandaj edhe këto aventura të mëdha duhen riparë që të gjitha. Kushtet kontraktuale duhen rishikuar, në mënyrë që jo vetëm dhe gjithnjë shteti ynë të dalë si rruar-qethur nga kjo kënaqje pa cak e kompanive kryesore të ndërtimit në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.