EKONOMI

Llogaritë rrjedhëse, 36 mijë biznese duhet t’u drejtohen bankave

12:30 - 09.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bizneset që kanë xhiro vjetore mbi 2 milionë do të jenë të detyruara të kenë një llogari bankare. Janë rreth 36 mijë biznese, kompani apo persona fizikë, që do të kenë si detyrim ligjor të hapin llogari bankare dhe të kryejnë çdo transaksion përmes tyre. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se është hartuar një projektligj, i cili prek bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë. Sipas ‘Financave’, qëllimi i kësaj iniciative është kontrolli mbi transaksionet dhe reduktimin e mundësisë për qarkullimin e parave të pista.




Ligji
Me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit, të gjithë tatimpaguesit që e kanë këtë detyrim do të njoftohen përmes llogarisë personale të gjithsecilit dhe në rastet kur nuk zbatojnë legjislacionin, parashikohen masa administrative. Sipas ligjit në fuqi për taksat vendore, çdo subjekt që kryen një biznes, përmes të cilit qarkullojnë gjatë vitit fiskal të ardhura vjetore bruto (qarkullim) më të ulëta ose të barabarta me 8.000.000 (tetë milionë), është subjekt i detyrimit për të paguar tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël. Sipas ligjit, subjektet me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë paguajnë 25,000 lekë në vit tatim të thjeshtuar mbi fitimin. Gjithashtu, subjektet me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë në vit paguajnë 7.5% të fitimit të tatueshëm, si tatim të thjeshtuar të tatimit mbi fitimi.

Tatimet
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet rubrikës së këshillimit ka informuar tatimpaguesit me të drejtat dhe detyrimet e kategorisë së tatimpaguesve: “Person Fizik me xhiro 2 deri në 5 milionë lekë”. Person fizik quhet një individ, i cili kërkon të ushtrojë një aktivitet tregtar të pavarur dhe është i vetëpunësuar, i vetëm dhe/ose me punëmarrës anëtarë të papaguar të familjes dhe persona të tjerë. Personi fizik regjistrohet si i tillë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Nëse një person fizik ka një xhiro vjetore të biznesit nga 2 deri në 5 milionë lekë, ai është subjekt i TVSH-së dhe ka detyrime për të deklaruar dhe paguar TVSH-në, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, Tatimin mbi të Ardhurat nga Punësimi dhe Tatimin në Burim (nëse i ka si përgjegjësi tatimore), si dhe ka detyrimin për të deklaruar Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin. Për këtë kategori Tatimi i Thjeshtuar mbi Fitimin është me shkallë 0%.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.