KULTURË

Nga “Çifti i lumtur” te “Beni ecën vetë” çfarë i la letrave e ekranit

15:17 - 09.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Jam mirë”. Ky ka qenë një ndër mesazhet e fundit të këmbyera me shkrimtarin e skenaristin Kiço Blushi. Ndërsa miqtë e tij thoshin se është sëmurë, ai nuk e jepte veten. Kujtoj që një ditë, muaj më parë, qemë ndërruar pranë rrugës së Elbasanit. Nuk kishte shumë që kishte ardhur nga Parisi, hapin e kishte të lehtë, fytyrën e qeshur dhe fjalën e kishte të ëmbël. E pyeta se kur do shiheshim, më tha nuk e di dhe qeshi. Ky ishte takimi i fundit me premtimin, që një ditë do uleshim e do flisnim, do flisnim gjatë. Ai nuk mundi ta mbante premtimin, sepse në muajt në vijim, sëmundja u bë më e rëndë dhe megjithëse ai nuk e pranonte lehtë, ecejaket e tij u bënë më të pakta derisa hapat u ndalën.




Është ndarë nga jeta të premten në mbrëmje rreth orës 20:00 shkrimtari dhe skenaristi i njohur Kiço Blushi. Ai u shua pas një sëmundjeje të rëndë nga e cila vuante prej pothuaj një viti. Bashkëpunëtor në “Gazeta Shqiptare” me analizat dhe opinionet e tij, Blushi, e ngrinte zërin kundër politikave të dëmshme kulturore dhe atyre që nuk shkonin në laminë e letrave e filmit.

“Kiço Blushi, ky humbës i madh!… Shkon në trisht, në mall, në luftë me vetveten dhe dëshirën për jetën. Në trisht dhe humbës, sepse ai largohet pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, pas shumë betejash në fushën e debatit të sotëm aktual për ardhmërinë. Më së fundi, diçka tjetër e bëri të heshtë dhe ta largojë nga skalionet e para dhe kjo arenë e luftës kundër pushteteve, pasi ai si pak të tjerë, kërkonin një Shqipëri tjetër, jo atë të dhunës së fjalës së lirë, jo atë të kaosit, të korrupsionit, të demokraturës… Humbësi ynë i dashur, ti na le shijen e hidhur dhe të kripur të dhimbjes, atë të mikut, shokut, të njeriut “integre”. Megjithatë nesër ky humbës, do të kalojë portën e kësaj bote me petkun e njeriut të pastër dhe të kurajës! Lamtumirë Kiço Blushi!”, shkroi mbrëmë shkrimtari Luan Rama, teksa sillte në vëmendje një foto të bërë në vizitën e fundit në Paris të Blushit.
“U nda nga jeta duke lënë në dhimbje familjen, bashkësinë e shkrimtarëve dhe artistëve, krijuesit dhe lexuesit, shkrimtari, skenaristi, gazetari dhe botuesi Kiço Blushi. Me Blushin një brez shkrimtarësh e artistësh post-Kadare, letërsia u kthye tek ndjesitë e brendshme njerëzore dhe pamjet metafizike e shpirtërore.
Blushi do të kujtohet si përfaqësues brezi dhe si qytetar i denjë, duke përfshirë rolin e tij si anëtar i këshillit presidencial në vitin e ndryshimit të sistemit politik 1991.
Akademia e Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Blushi, miqve dhe kolegëve të Tij për këtë humbje të parakohshme.
I përjetshëm kujtimi”,-shkroi mbrëmë Akademia e Shkencave.

Më 23 gusht, kur Blushi festoi 75-vjetorin, presidenti Ilir Meta shprehej se ai është shkrimtar protagonist i brezit të ndryshimit modernizues në letërsinë shqipe, prozator përfaqësues, skenarist me rol të shquar në historinë e kinemasë shqiptare, me filmat e të cilit si “Beni ecën vetë”, “Nëntori i Dytë”, “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 36”, “Në shtëpinë tonë” e plot të tjerë me të cilët jemi rritur dhe edukuar.
“Por Kiço Blushi është edhe personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual, që mori dhe ushtroi me përkushtim e përgjegjësi publike në momente kyçe për fatet e vendit”,-vërente Meta.

BIO E SHKURTËR
Kiço Blushi ka lindur në qytetin e Korçës në 23 gusht të vitit 1943. Pas mbarimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të. Autor i dhjetëra romaneve, dramave dhe tregimeve, skenarist i rreth 14 filmave, Blushi vazhdonte të ishte një zë kritik në publicistikë me qindra e qindra artikuj dhe analiza kritike të botuara gjatë viteve të fundit në organe të ndryshme të medias. Kiço Blushi do të mbahet mend gjatë jo vetëm si autori e skenaristi i njërit prej librave dhe filmave më të dashur për shqiptarët “Beni ecën vetë”, por edhe për skenarët e filmave të tjerë lapidarë në kinematografinë shqiptare si “Nëntori i dytë”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Pylli i lirisë” apo komedia emblemë “Çifti i lumtur”. Pena e Kiço Blushit ka sjellë ndërkohë për lexuesit edhe dhjetëra tituj romanësh, novelash e tregimesh si dhe libra me poezi, si “Çatia e të gjithëve”, “Midis dy njerëzve”, “Pajtoni i fundit”, apo dhe romani i publikuar pak vite më parë “Gjuha e gjakut”. Më 20 shkurt të vitit 1991 thirret nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Nga viti 1991 deri në vitin 2006 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Partinë Socialiste.
Me dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u largua nga politika aktive. Shkrimtari mbante postin e kryetarit të bordit drejtues në Qendrën Kombëtare të Kulturës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.