EKONOMI

Për vitin 2018, shpenzimet buxhetore për pagat në raport me PBB-në, më të ulëtat që nga 1993

10:30 - 09.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fondi i pagave për punonjësit në sektorin publik ka ardhur me rritje vit pas viti, por vlera e tyre në raport me PBB ka pësuar rënie të vazhdueshme gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2018, shpenzimet për pagat në shtet ishin sa 3.8 për qind e PBB-së, duke shënuar kështu nivelin më të ulët historik së paku nga viti 1993. Shpenzimet për paga në raport me PBB-në kanë shënuar luhatje nga viti në vit. Por që nga 2009-ta, në vitin 2018 ato kanë pësuar ulje sistematike, duke shkuar nga 4.7% e PBB-së në 3.8% për qind të PBB-së.




Paga mesatare në sektorin shtetëror arriti 61,600 lekë në fund të vitit 2017 me një rritje 11.5%, në raport me vitin 2016. Kjo është rritja më e madhe e shënuar që nga viti 2007 kur qeveria “Berisha” aplikoi një rritje agresive të pagave gjatë periudhës 2005-2008. Sipas të dhënave të INSTAT, paga reale në shtet në vitin 2017 u rrit me 7.8 për qind pas një qëndrimi në vendnumëro për 3 vitet paraardhëse. Të dhënat e azhurnuara për pagën reale në sektorin shtetëror tregojnë se ritmet e larta të rritjes u panë përgjatë viteve 2000-2009, ku ritmet e rritjes ishin në intervalet 8-17%. Por, pas vitit 2013, qeveria ndërmori masa kursimi për shkak se borxhi publik kishte kaluar 70%, teksa të ardhurat buxhetore nuk po rriteshin.

Për rrjedhojë, Shqipëria ofron shpenzimet më të ulëta në rajon për paga si në vlera në to, si në raport e me PBB-në. Matur me paritetin e fuqisë blerëse (PPP), të cilat llogariten për dallimet e nivelit të çmimeve midis vendeve në nivelet më të larta të pagave u gjetën në Malin e Zi dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Shqipëria mbetet shumë prapa dhe ishte në fundin më të ulët të shkallës së pagave, thuhet në raportin periodik rajonal të Bankës Botërore. Për krahasim, të gjitha vendet perëndimore të Ballkanit (përveç Shqipërisë) kanë raportuar nivele më të larta pagash sesa Bullgaria. Pagat në Mal të Zi gjithashtu tejkaluan nivelin e Hungarisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.