Homo Albanicus

“Shën Puna” apo “Shën Politika”

18:52 - 09.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Ka teori të tëra, sot, sesi vendet e varfra drejtohen, sundohen, ka akoma më shumë se pse një numër jo i vogël prej tyre nuk e gjejnë dot vendin e duhur në komunitetin e vendeve të begata. Po ashtu, ka teori pa fund, realitete, shembuj, shkallëzime, koeficientë sesi një vend mund të begatojë, por në masë duket se para shteteve të varfra, në ato që e kanë GDP e ulët, ekziston një mur i pakalueshëm. Mu bash në këto vende të etura për punë dhe me mungesë mundësish pune duket se lulëzon e plotë politika, ajo që bllokon gjithçka.

Shqipëria është një nga vendet, ku politika është më shumë se çdo gjë tjetër, ajo është religjion. Dhe, ndërsa kësaj të fundit shqiptarët i kanë bërë karshillëk të vazhdueshëm ndër shekuj, partive u janë falur dhe madje kanë derdhur gjak në shekullin e fundit. Sikur të mos mjaftonte përvoja e 45 viteve socializëm, ku shumë shqiptarë ngrinin dolli dhe vdisnin me emrin e saj, duket se në një masë gati të barabartë, shqiptarët e treguan betimin ndaj politikës me angazhimin total në vitet e demokracisë. Mund të konsiderohet qesharake, por ndodhi krejt njësoj. Vendin e organizatave bazë të dikurshme të partisë, në çdo qelizë të jetës së vendit, qysh prej viteve ‘90 e zunë celulat respektive të dy partive kryesore, duke bërë të njëjtën gjë, si paraardhësit.

Sot, politika e ka pushtuar çdo segment të jetës sonë dhe nuk është habi, që një diskurs politik, qoftë edhe krejt i rëndomtë, e mbyt çdo debat tjetër në vend, sado jetik të jetë ai për ekzistencën tonë.

Politika është më shumë se çdo gjë tjetër, është mënyra e ekzistencës së homo albanicus, kudo që ai ndodhet në arealin tonë. Politika është kthyer gati në një institucion okult, që ka manipuluar gjërat dhe i ka të qartësuara gjërat thjesht në interesin  e vet. Çdo diskurs politik është kthyer në një histeri kombëtare, që zëvendëson punën e njerëzve, pasi shqiptarët e kanë harruar krejt punën e tyre për hir të politikës.

Në pak raste, kur ka vend për politologët, atëherë argumentet që zbërthehen prej tyre janë të frikshme, sepse mbetet shumë i frikshëm penetrimi i nivelit të politikës, kurse më e frikshme është rrjeta e saj që mbulon gjithçka dhe ka ngërthyer fatet e njerëzve.

Megjithatë problemi më i madh i vendit është diferenca kulturore e aktorëve të ndryshëm. Kur themi kulturore, brenda fusim dhe aspektin etik dhe moral, elementë që shoqërisë tonë i mungojnë krejtësisht. Ka të ngjarë që kjo e justifikon deridiku edhe përfshirjen e njerëzve të kulturës në politikë, por që në fund zhgënjimi mbetet i arsyeshëm pse kultura pothuaj nuk respektohet ose më saktë kjo vërtetohet nga postulati që shprehej dikur Ernest Koliqit: çdo nismë politike nuk është asgjë pa përkrahjen e kulturës. Një qytetar mund ta kuptojë të gjithën këtë në mënyrën sesi funksionon parlamenti ynë me atë nivel kulturor të mangët për të institucionalizuar një klasë që e katandisur vendin në këtë batak.

Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe paraardhësi i tyre Fatos Nano do të kujtohen gjatë për mungesën e parimeve më të thjeshta etike dhe mbi të gjitha prishjes së çdo rregulli të komunikimit kulturor, që ka ndikuar në të gjithë sferën normale të jetës së vendit.

Në këto tre dekada, mbushur me kohë krizash, zhgënjimesh dhe mbi të gjitha mungesën e një modeli pune, politika është kthyer e plotfuqishme, thjesht falë mungesës së kulturës të duhur.

Situata shqiptare ka treguar realisht një mungesë shprese dhe perspektive, ku intriga politika tashmë është gjithçka. Duket se mungesa e alternativave vjen edhe si një refleksion ndaj moszgjedhjes së shumë problemeve reale dhe sidomos pasigurisë ë njerëzve, që mungesën e alternativave të punës e mbush me politikë.

Për të mos thënë edhe se humbja e ideve dhe përcjellja e tyre i ka bërë njerëzit t’i kushtohen politikës. Mënyra sesi janë të përfshirë të gjithë aty duhet llogaritur si një kompleks masiv i humbjes së respektit dhe mungesës së punës.

Ndaj, shqiptarët nuk i falen dot ose nuk i afron askush te “Shën Puna”, të gjithë e kanë derën e hapur vetëm tek “Shën Politika”, bekuesi i vetëm i jetëve tona. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.