Shëndet

Virozat e gripit, ja pse duhet të vaksinoheni

10:56 - 09.02.19 Gazeta Shqiptare

Instituti i Shëndetit Publik jep informacion të detajuar lidhur me të mirat e vaksinimit nga gripi. Bëhet me dije se naksinimi ndaj gripit ju mbron nga gripi. Duke mbrojtur veten ndaj gripit ju mbroni dhe njerëzit që ju rrethojnë, të cilët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve të shkaktuara nga gripi.



Vaksinimi ndaj gripit mund të ndihmojë në mbrojtjen e individëve të cilët janë në një risk më të lartë për t’u sëmurur rëndë nga gripi si; të moshuarit, gratë shtatzëna, individët me sëmundje kronike, fëmijët dhe sidomos foshnjat deri në 6 muaj, të cilët janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar.

Vaksina ndaj gripit nuk mund të shkaktojë gripin pasi ajo nuk përmban asnjë virus të gjallë. Vaksinat ndaj gripit janë të sigurta. Ajo është e mirë testuar dhe ka rezultate të shkëlqyera mbrojtëse. Probleme serioze nga vaksina e gripit janë shumë të rralla.

Efektet anësore më të zakonshme nga vaksina e gripit janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit e cila kalon pas 1 ose 2 ditësh, temperaturë të lehtë dhe kruarje.

Vaksinimi ndaj gripit mund të reduktojë rrezikun për gjendjet e rënda shëndetësore që lidhen me gripin si: shtrimet në spital dhe deri vdekjet. Vaksina funksionon. Në 10 vitet e fundit, vaksina ka dhënë mbrojtje ndaj gripit dhe ajo është akoma mënyra më e mirë për të luftuar gripin këtë dimër.

Vaksinimi ndaj gripit ju ndihmon që t’a kaloni më lehtë atë, nëse sëmureni prej tij.

Pavarësisht se mund të mos jeni sëmurur më parë nga gripi, viruset e gripit pësojnë mutacione, prandaj duhet të vaksinohemi çdo vit për të pasur mbrojtje.

Pse duhet të vaksinoheni?

Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu.

Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë.

Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjëndje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.

Çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë me grip, duke përfshirë edhe njerëzit të cilët janë të shëndetshëm.

Nëse jeni punonjës i kujdesit shëndetësor, mund ta merrni dhe transmetoni gripin nga pacientët apo kolegët, tuaj të cilët janë të sëmurë nga gripi.

Nëse ju sëmureni me grip ju mund t’ia transmetoni edhe të tjerëve edhe pse ju mund të mos ndiheni të sëmurë.

Duke u vaksinuar ju ndihmoni të mbroni vetveten, familjen tuaj dhe njerëzit rreth jush.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *