AKTUALITET

“Luarasi”, konferencë ndërkombëtare për të moshuarit

08:32 - 10.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sipas raportit të OKB-së, Shqipëria renditet në grupin e dhjetë ven-deve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë. Mbi 650 mijë të moshuar në vendin tonë përveç pensioneve të ulëta, përjetojnë edhe diskriminim moshor aktiv. Në kuadër të sensibilizimit dhe ofrimit të zgjidhjeve, universiteti ‘Luarasi’ në bashkëpunim me Shoqërinë Shqiptare për të Gjitha Moshat (ASAG), organizuan konferencën ndërkombëtare me temë “Shëndeti, drejtësia sociale dhe ekonomike për të moshuarit në Shqipëri”. Të pranishëm në aktivitet ishin një sërë aktorësh si dhe deputetet Tatjana Nurçe, Nora Malaj e Grida Duma.




Problematikat
Drejtoresha ekzekutive e ASAG, Mira Pirdeni tregon disa nga problematikat e pensionistëve, ndër to dhe mungesën e një ligji për të moshuarit. “Të moshuarit vuajnë varfërinë e pensioneve të ulëta, e mungesës së eksesit në shërbime. Qendrat ditore në Shqipëri janë shumë të limituara dhe jashtë standardeve. Madje nuk ka as ligj për të moshuarit, i cili të ketë të saktësuara përfitimet e të moshuarve, burimet financiare dhe një këshill kombëtar që të orientojë politika, programe dhe donacione për të moshuarit”,-tha drejtoresha e ASAG.
Synimi
Rektori i universitetit, prof. dr. Ethem Ruka thotë se kjo konferencë ka si synim zgjidhjen e problematikave financiare të të moshuarve dhe ofrimin e një jete sa më dinjitoze për ta. “Ka një sërë problemesh të tjera që lidhen me plakjen e popullsisë në Shqipëri. Na bëjnë të mendojmë të gjithë për të gjetur zgjidhje jo vetëm për trajtimin financiar të moshës së tretë, por në radhë të parë për ta bërë jetën e tyre më dinjitoze. Detyra e universitetit është të shtrojë problemet për zgjidhje bashkë me shoqërinë civile dhe agjencitë e tjera. Ata që vendosin janë politikëbërësit”,-u shpreh Ruka.
Modeli francez
Monique Epstein, përfaqësuese e një prej organizatave më të fuqishme në Francë për mbrojtjen e të moshuarve, thekson se problemet e kësaj kategorie në Shqipëri janë më të rënda se në shtetin francez. “Konstatova që problemet e moshës së tretë në Shqipëri janë më të rënda se në Francë. Misioni im i ardhjes këtu është që të sjell modelin francez dhe mekanizmat e duhura për ta bërë jetën e të moshuarve më të mirë edhe në vendin tuaj. Në Shqipëri ka probleme të shumta me shtëpitë e të moshuarve, ndërsa modeli që përdorim ne në Francë është ai i vetmenaxhimit të azileve duke sjellë opsione për të rritur të ardhurat. Një problem tjetër është edhe komunikimi i të moshuarve me partnerët që u vijnë në ndihmë. Duhet të vendoset dialog me aktorët e tjerë në mënyrë që të moshuarit të mund të adresojnë problemet e tyre”- tha Monique Epstein. Nëpërmjet kësaj konference, u evidentuan shqetësimet kryesore të të moshuarve në Shqipëri dhe u dhanë zgjidhje alternative në mënyrë që pensionistët të minimizojnë problemet ekonomike e të jenë aktivë në komunitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.