SHËNDET

Gjinekologu Elton Peçi: Testet që duhet të kryeni gjatë shtatzënisë

17:30 - 11.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kujdesi shëndetësor prekoncepsional është kujdesi që një grua në moshën e duhur për të lindur fëmijë merr përpara shtatzënisë. Ky lloj kujdesi mbikëqyr faktorët biomjekësorë, të sjelljes dhe riskut social që mund të prekin shëndetin e gruas dhe të fetusit. Synimi është të ofrohet informacion dhe trajtim përpara shtatzënisë, që të mund të përmirësojë shëndetin e gruas dhe të ndihmojë në uljen e rreziqeve për fetusin. Analizat e tremujorit TQ parë janë: urine komplet/urokulturë, hemoleukograma dhe grupi i gjakut, testi Coombs indirekt, elektroforeza e hemoglobinës, glicemia, analizat e tiroides, provat hepatike, provat renale. toksoplazmoza (IgG, IgM), rubeola (IgG, IgM),
citomegalovirus (IgG, IGM), analizat për sëmundjet seksualisht të transmetueshme (sifilizi, HIV-AIDS), testet virale të hepatitit (HBsAG, HVC), Ultrascreening-u (Bitest + Translucenca nukale dhe Kocka nazale).




Ekografia obstetrikale e tremujorit I
Ekografia obstetrikale e tremujorit të parë ndër të tjera ekzaminon: pozicionin e shtatzënisë (pra brenda apo jashtë uterusit), numrin e embrioneve, praninë e rrahjeve të zemrës, mosha e shtatzënisë (nga dita e parë e ciklit menstrual) etj.

Depistimi prenatal i anomalive fetale
Çdo shtatzëni ka një probabilitet të jetë e prekur nga anomali të ndryshme të fetusit (kromozomiale, gjenetike etj). Përmes programeve të depistimit synojmë të veçojmë nga popullata e grave shtatzëna grupin që mbart riskun më të lartë për të qenë e prekur nga një anomali e caktuar. Këtyre shtatzënave screen pozitive u ofrohet informacioni i detajuar dhe mundësia e diagnozës me anë të procedurave invazive të diagnozës prenatale.

Diagnoza e anomalive fetale
Për diagnozën prenatale nevojitet ekzaminimi i indeve/ qelizave fetale. Kjo mund të arrihet përmes procedurave invazive nën drejtimin e ekografisë (amniocenteza, biopsia e vileve koriale, kordocenteza) të cilat duhen kryer nga një personel i specializuar në këtë drejtim.
Ekografia morfologjike është një standard që ofrohet edhe në Shqipëri. Për fat të keq një pjesë e shtatzënave janë më tepër kompliante ndaj përcaktimit të seksit përmes ekografisë se sa ndaj ekografisë morfologjike. Veç depistimit të sindromës Down (më e shpeshta kromozomopati), ajo mund të diagnostikojë edhe malformime të tjera fetale.
Analizat e tremujorit II (java 15 – 28)

Është mjeku obstetër që do të vendosë frekuencën dhe renditjen e analizave/ekzaminimeve të mëposhtme: Triple test (java 15-18). Triple testi është një alternativë e mirë për depistimin e anomalive fetale tek shtatzënat që nuk kanë përfituar nga depistimi biokimik (bi-test) në tremujorin I. Femrat që rezultojnë pozitive pas triple-test u ofrohet diagnoza invazive (amniocenteza). Nëse mosha e gruas është më e madhe se 36 vjeç këshillohet amniocenteza (java 16). Ekografitë 3-dimensionale (3D) dhe 4-dimensionale (4D) janë bërë gjithnjë e më shumë popullore dhe gjithnjë e më shumë në dispozicion të pacientëve. Me ekografinë 3D, një seri seksionesh 2D rindërtohen në mënyrë dixhitale për të dhënë një pamje sa më reale. Me ekon 4D, dimensioni i shtuar është koha, ndaj duket sikur pamjet 3D lëvizin në kohë reale. Pamjet 3D/4D shfaqen zakonisht në ngjyrë të artë në ekranin e ekografisë, duke qenë se kjo është një ngjyrë që shquhet lehtë nga pacientët dhe thekson tiparet e bebes. Në fund të ekzaminimit, çifti pajiset me një CD ku përmbahen fotot/videot e bebit të tyre. Duhet pasur parasysh se ekografia 3D/4D nuk është një ekografi emergjence dhe si e tillë duhet të kryhet gjithnjë me programim.
Analizat e tremujorit III (java 28 – 41)

Është mjeku obstetër që do të vendosë frekuencën dhe renditjen e analizave/ekzaminimeve të mëposhtme: hemoleukograma, urine komplet/ urokulturë, ekografi obstetrikale (biometri fetale, velocimetria doppler, likidi amniotik, placenta, paraqitja fetale), provat hepatike, provat renale, uricemia, Non-Stres Testi, koagulograma, tampon vaginal/rektal për depistimin e infeksionit me streptokok beta-hemolitik.

Ekografia obstetrikale e tremujorit III
Ekografia obstetrikale e tremujorit III ka për qëllim vlerësimin e mirëqenies fetale (rritja, likidi amniotik, velocimetria Doppler), studimin e placentës (ekostruktura, lokalizimi etj.), paraqitjen e fetusit. Gjithashtu ajo kryen edhe një studim anatomik të fetusit (kuptohet jo aq të detajuar sa ekografia morfologjike).

NST (Non Stress Test)
Non-Stress test është një test i thjeshtë, joinvaziv që kryhet në shtatzënitë mbi 28 javë. Testi quhet “pa stres” sepse gjatë tij nuk ushtrohet asnjë stres mbi fetusin. Testi kryhet duke vendosur një brez në barkun e nënës për të matur rrahjet e zemrës së fetusit dhe një tjetër brez për të matur kontraksionet e mitrës. Lëvizja, rrahjet e zemrës dhe “reagimi” i rrahjeve të zemrës ndaj lëvizjes apo kontraksioneve maten për 20-30 minuta. Një rezultat reaktiv në NST tregon se qarkullimi i gjakut (dhe oksigjenimi) në fetus është i mjaftueshëm. Një rezultat joreaktiv duhet interpretuar në kontekst me ekzaminimet e tjera dhe mund të ndihmojë në marrjen e vendimeve nga ana e mjekut obstetër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.