DOSSIER

Japonia e largët gjeografikisht, por e afërt me shqiptarët

13:58 - 11.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Genc Mlloja – Shpesh këto kohë më ka rënë rasti që në biseda me miq, nisur nga interesimi i tyre, t’u tregoj mbi çfarë kam parë, dëgjuar dhe mësova gjatë një vizite në Japoni në dhjetorin e vitit 2018. Reagimi i tyre ka qenë me të vërtetë tepër kureshtar, me shumë pyetje për atë vend aq të largët gjeografikisht nga Shqipëria, por i mirënjohur nga populli i saj. Veç admirimit për këtë “fat” timin, të bërë të mundur nga ambasada japoneze në Tiranë, që më mundësoi të vizitoja një botë tjetër të mbiquajtur “mrekullia japoneze”, pyetjet kanë qenë të pafundme dhe nga më të ndryshmet. Por, në fakt nuk ka njeri në Shqipëri që nuk di për atë vend, por është e natyrshme që rrëfimet e një vizitori bëhen më të besueshme e interesante. Këtë ndjenjë e kam pasur edhe unë gjithmonë kur më ka rastisur të takoja njerëz që kishin qenë atje derisa zbrita në Tokio pas një fluturimi prej gati 13 orësh nga Stambolli. Nisja ishte Tirana dhe i gjatë ishte si fluturim, por ma kishin lehtësuar autoritetet japoneze, duke më vendosur në “business class”, ku mosha ime e përballoi me sukses fluturimin Tiranë-Stamboll-Tokio në këtë vizitë, si pjesë e një grupi prej 6 gazetarësh nga vende të Ballkanit Perëndimor të ftuar nga Ministria e Jashtme e Japonisë. Pra, nga 3 deri më 13 dhjetor 2018 do të ishim bashkë përfaqësues të medias nga Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria në kuadër të iniciativës japoneze të bashkëpunimit ekonomik me Ballkanin Perëndimor.




Prezantimi i parë që në aeroport-perfeksioni dhe korrektesa në kohë. Çdo gjë ishte e kalkuluar si me kompjuter nga mbërritja, procedurat në aeroportin “Narita”, pritja dhe deri te mbërritja në hotelin “Grand Palace”, i cili ishte i vendosur në një zonë afër dikastereve qeveritare vendëse, gjë që ishte bërë për të lehtësuar lëvizjet tona në një metropol galaktik. Prej aeroportit rruga që zgjati gati dy orë për në hotel mu duk si vazhdim i fluturimit – yje në qiell, se natën udhëtuam drejt Tokios dhe po yje shumëngjyrëshe vezëllues po shikoja në tokën japoneze. Filloi magjia japoneze për të cilën kisha dëgjuar aq shumë.

Respekti japonez nuk është fasadë

Nëpër filma e kam parë atë përkuljen tradicionale japoneze në shenjë respekti në takime edhe të zakonshme, por kur e pash vetë, e kuptova se ishte plot sinqeritet dhe respekt, aspak e shtirur. Një ritual si me të huajt, por edhe me njëri-tjetrin. Tamam një shprehje e përzemërt respekti, çka më ngjason me atë përqafimin kokë më kokë të shqiptarëve në kohë të mëparshme. Ai ritual respekti na shoqëroi kudo në vizita në institucione qeveritare, shkencore, arsimore, kulturore deri në jetën e përditshme, ku ishim thjesht qytetarë europianë. Japonezët kishin shumë respekt për europianët dhe madje aq sa takova, dinin për Ballkanin, sikurse edhe për Shqipërinë, në ndryshim nga shumë vende të tjera në Europë apo SHBA. “Japonia mbështet Europën e bashkuar dhe të fortë, e cila ndan vlerat themelore të Japonisë: shteti ligjor, liria dhe tregu i lirë. Në këtë kuptim ne shpresojmë shumë dhe mendojmë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duan stabilitet dhe zhvillim si anëtarë të fortë të Europës. Nisur nga kjo pikëpamje, Japonia dëshiron shumë të mbështesë reformat ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit Perëndimor, me synimin që t’i bashkohen BE-së”, deklaroi në një takim ambasadori i ngarkuar për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Byrosë për Çështjet Europiane në Ministrinë e Jashtme, Jun Saito. Kryeministri japonez, Shinzo Abe, ka shpallur iniciativën japoneze për Ballkanin Perëndimor gjatë një turneu në disa vende të rajonit në janar të vitit 2018.

Unë e pyeta z. Saito se përse Japonia, ky vend i fuqishëm, është disi i vonuar sa i përket një iniciative të tillë në krahasim me fuqi të tjera dhe ai më tha se në fakt Japonia ndodhet në Azi dhe ndihmat i ka drejtuar kryesisht nga Afrika. “Europa është kujdesur për rajonin tuaj. Ne kemi shumë punë në rajonin tonë. Kështu që është dashur kohë për këtë iniciativë, por ja që ajo ndodhi kur ne pamë se Europa është disi e tronditur dhe ne menduam se na duhej të lëviznim. Ne duam një Europë të fortë dhe të bashkuar dhe në këtë kuptim mendojmë se mund të jemi në rajonin tuaj për të realizuar këtë Europë të fortë dhe të bashkuar”.

Gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme, zj. Eriko Nakano, zëvendësdrejtore e Degës së Shtypit Ndërkombëtar si dhe funksionarët që mbulonin vendet përkatëse të rajonit shpjeguan hollësisht dëshirën e Japonisë për të rritur bashkëpunimin me rajonin. Në atë rast unë mësova në tempullin e diplomacisë japoneze se niveli politik i marrëdhënieve midis Japonisë dhe Shqipërisë konsideroheshin shumë të mira dhe se Tokio dëshironte t’i zhvillonte më tej këto lidhje. Por, dukej qartë se rëndësi përparësore i kushtonin bashkëpunimit ekonomik. “Shqipëria shikohet nga Japonia si një ndër vendet kyçe në rajon dhe dëshiron të japë ndihmë në fusha të ndryshme si të ambientit, arsimit dhe shëndetësisë”, tha zj. Nakano. Sa u përket investimeve, u tha se biznesmenët japonezë donin të dinin më shumë detaje për mundësitë e investimeve në Shqipëri. Dhe në këtë kuadër gjatë kohës që ishim atje, u zhvillua një seminar me përfaqësues të biznesit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të atyre të Japonisë, ku përfaqësohej edhe Shqipëria. Drejtori i Departamentit për Europën Qendrore dhe Jugore, Kotaro Otsuki, tha në seminar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është në situatën e vet më të mirë, sepse të gjitha vendet e tij janë në rrugë e sipër drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai tha se kompani japoneze kanë hyrë tashmë në këtë treg që popullohet prej 18 milionë banorësh dhe seminari ishte hap i parë konkret për bashkëpunim midis Japonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sekretari i Përgjithshëm i Forumit të Dhomës së Investimeve të gjashtë Vendeve të Ballkanit Perëndimor, Safet Gerxhalliu deklaroi në fjalën e tij se, “ne kemi pasur një të kaluar, kemi një të tashme dhe një të ardhme sa i përket bashkëpunimit me Japoninë”. Por, një takim në selinë e Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) na dha mundësinë të mësonim konkretisht për projektet e realizuara dhe objektivat për të ardhmen të ndihmës japoneze për rajonin dhe Shqipërinë.

“Tregojani japonezëve mrekullinë shqiptare!”
“Unë vërej se marrëdhëniet japonezo-shqiptare janë gjallëruar që prej vendosjes së ambasadës sonë në Tiranë. Ambasadori ynë, Makoto Ito, po punon shumë për të forcuar urat e bashkëpunimit midis dy vendeve”, tha në një intervistë ekskluzive që pata me z. Kotaro Otsuki, drejtor i Departamentit të Europës Qendrore dhe Juglindore në Ministrinë e Jashtme. “Marrëdhëniet midis Japonisë dhe Shqipërisë janë shumë të mira, por ne duhet të bëjmë shumë përpjekje për t’i zhvilluar ato. Ju keni nevojë për bashkëpunimin tonë dhe ne kemi nevojë për bashkëpunimin tuaj. Kështu që duhet të punojmë së bashku për t’i nxitur lidhjet tona të dyanshme”. Shumë optimist ishte diplomati i lartë japonez për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit. “Tregojani mrekullinë shqiptare japonezëve”, ishte si thirrje nga ana e tij. Mu ngulit fort përshtypja jo vetëm nga kjo bisedë, por në përgjithësi se japonezët kërkonin projekte konkrete. Mesazhi ishte i sinqertë kur thoshin: “Hajdeni ju në Tokio ose vijmë ne në Tiranë, por me projekte konkrete, jo vizitë për vizitë”. Duke ju përgjigjur një pyetjeje lidhur me qëndrimin e Japonisë për idenë e “korrigjimit të kufijve” midis Kosovës dhe Serbisë, z. Otsuki tha se vendi i tij mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuar nga BE. “Ne do të mbështesim rezultatin e dialogut nëse mirëpritet nga komuniteti ndërkombëtar dhe të dyja palët bien dakord. Ky është qëndrimi zyrtar japonez mbi problemin e ‘korrigjimit të kufijve’ midis këtyre dy vendeve”. Z. Otsuki e kishte vizituar Shqipërinë dhe përshtypjet e tij i përmblodhi me këto fjalë: “Unë kam qenë në Shqipëri dhe kam vizituar Elbasanin, Pogradecin, Tiranën, Gjirokastrën, Butrintin dhe Sarandën. Kështu që ju duhet t’i prezantoni popullit japonez ato vende mrekullisht të bukura”.

Hiroshima: 6 gusht 1945-10 dhjetor 2018
Vizita në qytetin e Hiroshimës ishte etapa fundit e vizitës në Japoni, pasi kaluam dy ditë të mrekullueshme në qytetin historik të Kiotos, dikur kryeqytet i atij vendi. E kur po afroheshim në Hiroshima me trenin e shpejtësisë së lartë, i mbiquajtur “treni plumb”, një prej kolegëve ballkanas më konfesoi: “Se si ndjehem, shumë ligsht kur mendoj për ballafaqimin me ato që do të shikojmë në muzeumin kushtuar kësaj tragjedie të paparë njerëzore”. Bisedës iu bashkua shoqëruesi ynë në këtë turne, z. Atsushi Takahashi, një njeri që mund ta konsideroj perfeksionin e punonjësit publik japonez, i cili i tha kolegut tim boshnjak me shumë përkujdesje se mund të mos vinte në muze, çka gjeti kundërshtimin e menjëhershëm të tij. Mendova se Bosnja i ka më të freskëta krimet monstruoze të kryera në atë tokë kur po shpërbëhej Jugosllavia. Nga Kioto mbërritëm natën vonë në Hiroshima, i cili na u shfaq magjishëm me gratacielat që duket sikur donin të kapnin qiellin, i cili ishte fort i kthjellët në atë natë të ftohtë. Kishte ndryshuar moti, se ishte si pranverë kur mbërritëm në Tokio. E po mendoja duke shkuar në hotelin “Sunroute Hiroshima” se prej këtij qielli, në një mëngjes plot diell më 6 gusht 1945, në ora 8:16 bomba atomike (A-bomb) do ta rrafshonte këtë qytet. Muzeumi Përkujtimor i Paqes i Hiroshimës ishte fare pranë hotelit ku ishim vendosur dhe duke shkuar atje të nesërmen, askush nga grupi ynë nuk fliste, saqë na dukej sikur ajo bombë e mbiquajtur “Little Boy” na kishte përfshirë në mendime edhe ne. Në muzeum i pamë mostrat ose më mirë me thënë monstrat që u hodhën njëra pas tjetrës në Hiroshima dhe Nagasaki, e para me hidrogjen (Little Boy) dhe tjetra me plutoniumin (Fat Man). Të vogla në përmasa ishin, por pikërisht ato kishin shkaktuar katastrofën e paparë njerëzore. Krijesa të mendjeve të mençura për vepra mizore, gjakatare. “Hiroshima dhe Nagasaki shërbejnë për të treguar jo vetëm fuqinë e armëve bërthamore, por mbi të gjitha vuajtjet dhe shkatërrimin barbar të njerëzve të pafajshëm”, na tha zëvendësdrejtori i muzeumit, Shuichi Kato, në fillim të një parakalimi fotografik të apokalipsit vrastar me emrin “Hiroshima”. Bomba mbi qytetin e Nagasakit u hodh tri ditë më vonë, më 9 gusht 1945 dhe rreth 70.000 njerëz humbën jetën atje. Të gjithë kemi parë dokumentarë dhe filma për atë ngjarje në Hiroshima, por kur përballesh me çfarë kishte ndodhur atje, gati-gati tejkalohej çdo imagjinatë. Pamja e parë ishte një foto e madhe në datën 6 gusht 1945, ora 8:16 a.m. sipas orës japoneze dhe dukej sikur të paralajmëronte se po bëheshe dëshmitar i krimit më monstruoz të njeriut kundër njeriut, kur bombarduesi amerikan B-29, i mbiquajtur Enola Gay, hodhi bombën e parë atomike mbi Hiroshima. “Është momenti i fillimit të një prej tragjedive që mund të shkaktojnë armët bërthamore dhe Hiroshima ishte qyteti i parë në botë që pësoi këtë tmerr”, tha Z. Kato dhe pas atyre fjalëve, një foto tjetër gjigante tregonte një qytet të zhdukur, ku menjëherë vdiqën rreth 80.000 njerëz numër që shkoi në 140.000 nga fundi i vitit 1945. Një video e ashtuquajtur “Panorama e Bardhë” në një minutë e gjysmë tregonte se si bomba “Djali i Vogël” (Little Boy) binte si rrufe mbi një qytet paqësor në atë orë kur banorët po shkonin në punë dhe fëmijët në kopshte e shkolla duke shkrumbuar “zemrën e Hiroshimës”. E nuk ishte më prekëse kur zëvendësdrejtori i Muzeumit na ndaloi gjatë para një biçiklete me tri rrota të shkrumbuar. Biçikleta ishte e një djali trevjeçar, emri i të cilit ishte Shinichi Tetsutani. Ai po luante përballë shtëpisë së tij kur bomba shpërtheu dhe vala goditëse e shkrumboi atë. Atë natë ai ndërroi jetë. Babai i tij duke menduar se i biri do të ndjehesh i vetmuar në varrin e tij, vendosi bashkë me të edhe biçikletën në kopshtin pranë shtëpisë. Kur eshtrat e fëmijës u zhvarrosën që të preheshin në një varrezë publike, babai i fëmijës së ndjerë ia dhuroi biçikletën muzeumit. Para se të shkonim në takimin me të mbijetuarën e tragjedisë hiroshiane më është ngulitur në mendje një foto që tregonte një burrë gjysmë shtrirë në një rrugë në mes gërmadhave, i cili më 7 gusht, një ditë pas tragjedisë, përpiqej të valëviste këmishën e tij të bardhë si flamur që t’u jepte kurajë bashkëqytetarëve të mbijetonin për të rindërtuar Hiroshimën e rrënuar. Një ditë më pas, ai kishte vdekur me “flamurin e bardhë” fort në gjoks. “Hiroshima është puna e një njeriu, lufta është shkatërrim i jetës njerëzore, të kujtosh të kaluarën është dedikim ndaj së ardhmes, të kujtosh Hiroshimën është të urresh luftën bërthamore, të kujtosh Hiroshimën është të dedikosh veten ndaj paqes”. Këto ishin fjalët që Papa Gjon Pali II, polaku i ndjerë, Karol Jozef Wojty?a kishte shkruar në përkushtimin e tij për viktimat kur ai kishte vizituar Muzeumin e Hiroshimës më 25 shkurt të vitit 1981. Të gjithë emrat e viktimave tek ‘A-bomb’, që humbën jetën atë ditë dhe më pas, janë të gdhendur në monumentin e Parkut Përkujtimor të Paqes së Hiroshimës dhe numri ishte 340.118 në ditën që ishim ne. “Çdo vit zgjatet kjo listë se i shtohen emra të rinj në çdo përvjetor. ‘A-bomb’ vrau dhe gjymtoi një numër të madh njerëzish, por ajo gjithashtu ka lënduar brezat e mëvonshëm kur mësuan mbi viktimat, vuajtjet e të afërmve të tyre – të popullit japonez”, e përfundoi prezantimin e tij z. Kato.

Tregimet e një të mbijetuare
“Kur ndodhi shpërthimi, ne ishim në klasë dhe nuk ia kishim idenë çfarë po ndodhte, vetëm se dëgjuam një zhurmë të fuqishme dhe të gjithë u shtrimë në tokë”. Me këto fjalë e filloi tregimin e saj e mbijetuara e tragjedisë së Hiroshimës, Katsuko Kuëamoto, të cilën e takuam fill pas vizitës në muzeum. Kishte qenë 6 vjeç, në klasë të parë, kurse e motra dy vjet më e madhe, 8 vjeç. Ajo tregoi se të gjitha ndërtesat në të ashtuquajturën zonë e kuqe u shkatërruan, kurse ato në zonën e verdhë shpëtuan pa u djegur. Çdo gjë ajo e tregonte me hartë, duke mbajtur në dorë librin që kishte shkruar për kalvarin e saj, të popullit japonez. Dy motrat të ndihmuara nga të afërmit e tyre kërkonin nënën, se babai i tyre ishte ku ata nuk e dinin në atë kohë. Ja si e përshkruan përpjekjen e parë të kërkimit të nënës: “Ndërsa ecnim prej shtëpisë se xhaxhait, pas 500 metrash na doli përpara një fushë e mbushur me kufoma. Trupat ishin të mbuluara nga një fermer, por ne duhej t’i zbulonim në kërkim të nënës. Gushti është me mot të ngrohtë dhe mund ta imagjinoni… Nuk mundëm të vazhdonim më. Trupat ishin shpërfytyruar, të gjithë kishin bërë përpjekje të iknin nga “syri” i bombës, por pa fat se kishin humbur jetën pas pak momentesh. Para se të vdiste një studente, e cila punonte në qytet, u kishte thënë se kishte parë një top të bukur stërmadh prej zjarri, i cili binte mbi Hiroshima. Një tjetër viktimë u kishte thënë se nuk e përshkruante dot ngjyrën e flakës. Por tashmë dihet se temperatura në tokë kishte arritur 4000 gradë celsius”. E mbijetuara Kuwamoto tregonte se e kishin gjetur nënën, e cila kishte jetuar edhe 15 vite, por në një gjendje shëndetësore të rëndë të papërshkrueshme. Babai i saj ishte kthyer nga ushtria. Askush në Hiroshima nuk e dinin se ishin goditur nga radiacioni i ‘A-bomb’, gjë që është mësuar pas 50 vitesh. “Në spital e dinin lidhjen midis bombës atomike dhe sëmundjeve, por personeli nuk ua tregonte pacientëve këto gjëra”, konfesoi ajo. A ishte ajo e zemëruar me amerikanët që hodhën bombën? Përgjigja: “Unë nuk mendoj se amerikanët bënë gjënë e duhur, por duhet të pranoj se Perandori japonez e nisi luftën. Kështu që nuk jemi të mërzitur me vendet e tjera. Shumë amerikanë kanë dëgjuar konfesionet e mia. Por nuk tregojnë asnjë shenjë pendese. Edhe nipave e mbesave u tregoj nganjëherë për atë ngjarje. Por mund t’ju them se nuk e kuptoj çfarë ndjejnë”. Ne u larguam natën nga Hiroshima, më 10 dhjetor, me mbresa për çfarë pamë, dëgjuam dhe ndjemë, por të gjithëve na shoqëronte thirrja që dilte nga popullsia prej 1,196,274 banorësh e atij qyteti: “Kurrë më”!

Yasushi Akashi: “Unë jam gjykatësi i veprimeve të mia”!
Personalisht e konsideroj veten me fat që në programin e vizitës ishte përfshirë një takim me figurën e mirënjohur politike botërore Yasushi Akashi, ish-përfaqësues i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për ish-Jugosllavinë në kohën e luftës në Bosnjë. Aq më shumë më shtohej kënaqësia se diplomatin veteran japonez z. Akashi, i cili tash është 88 vjeç dhe ishte në një formë të mirë shëndetësore, kam pasur rastin ta ndjek në OKB si Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i OKB-së kur isha me punë atje si këshilltar pranë Misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nga 1987 deri në fund te vitit 1991. “Unë jam gjykatësi i veprimeve të mia”! Ky ishte mesazhi që z. Akashi na dha në konfesimet e tij lidhur me veprimtarinë e tij diplomatike si dhe për ngjarjet e përgjakshme në Srebrenicë të Bosnjës në vitet 1990 dhe shumë konflikte të tjera ku kishte qenë me mision i ngarkuar nga Kombet e Bashkuara. Diplomati veteran japonez u caktua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në janar të vitit 1994 si përfaqësues i posaçëm gati dy vjet pas shpërthimit të luftës në Bosnjë dhe qëndroi atje deri më 1995. Masakra e Srebrenicës ngjau në korrik të 1995, ku më shumë se 8000 boshnjakë, shumica burra dhe djem, u masakruan barbarisht nga serbo-boshnjakët. “Të gjithë palët kryen krime gjatë luftës së Bosnjës, por serbët janë përgjegjës për krimet më çnjerëzore në Srebrenicë nga serbët boshnjakë”, tha Z. Akashi, i cili e quajti atë si një nga ngjarjet më të trishtueshme që kishte përjetuar. Por, sipas tij, forcat e OKB-së ishin pak në numër, pa ushqim dhe madje pa karburant që të vinin në lëvizje tanket e mjetet e tjera. “Askush nuk e priste që serbët do të arrinin në atë pikë saqë të sulmonin Srebrenicën. E kujtoj kur komandanti im i OKB-së kërkoi për mbështetje ajrore nga NATO dhe e miratova brenda 10 minutash. Por më vonë u njoftova se bombardimet ishin afruar pranë trupave holandeze dhe pati një kërkesë për t’i ndaluar ata. Mu desh që kështu të veproja”. Duke folur për të ardhmen e Bosnjës, ai shpresonte se nuk do të kishte luftë tjetër dhe shpresonte shumë tek të brezi i ri. Diplomati japonez e kishte admiruar Titon, kurse për pasuesit e tjerë të ish-Jugosllavisë mendonte se kishte ndryshime ndërmjet tyre. Sipas tij, udhëheqësi serb, Sllobodan Millosheviç, ishte më inteligjent se të tjerët dhe kishte dëshirë të dëgjonte. “Por duket ai ka pasur vizionet dhe iluzionet e tij… Mënyra si zgjodhi njerëzit rreth tij ishte e gabuar. Ai nuk arriti të ndalonte histerinë e serbëve ndaj Kosovës”. Z.Akashi iu kërkua të shkonte në Hagë kur u gjykuan Karagjiç dhe Mladiç. “Shkova dhe dëshmova sikurse i kam përjetuar ngjarjet”, tha ai. Sa i përket çështjes së “korrigjimit të kufijve” midis Serbisë dhe Kosovës, ai dha një përgjigje evazive. “Çdo gjë më duket si harxhim kohe, mendimesh dhe nganjëherë gjak. Nuk ia vlen. Bisedimet janë rruga e vetme. Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë të dialogojnë”.

“Kina nuk është mishërimi i së keqes”
I pyetur mbi praninë ekonomike në rritje të Kinës në Ballkan, z. Akashi mendonte se iniciativa 16+1 vlen për zhvillimin e vendeve të rajonit dhe duhet shfrytëzuar avantazhi. “Unë mendoj se Kina nuk është mishërimi i së keqes. Unë kam qenë në Kinë shumë herë. Në Japoni ka njerëz që e ekzagjerojnë influencën e ardhshme të Kinës në vendin tonë… Meqenëse e kam parë Kinën me sytë e mi, ajo ka disa pika të forta, por edhe dobësi. Por populli kinez është shumë inteligjent”, tha ai duke vlerësuar rolin e atij vendi në Afrikë. Sipas tij, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk janë gjithnjë në një linjë me dëshirat e Kinës, por ai mendonte se ata janë nganjëherë arrogantë dhe të paarsyeshëm. “Unë mendoj se populli kinez është shumë inteligjent për të mos lejuar rikthimin e diktaturës”.

A mund të kishte marrë çmimin Nobel të Paqes për rolin e tij në Kamboxhia.
Ja përgjigja e z. Akashi: “Një mik nga Singapori më tha se mund të kisha marrë çmimin Nobel të Paqes për punën e bërë në Kamboxhia, por ju shkuat në Ballkan ku nuk ishit aq i suksesshëm. E përgjigja ime ishte se kur jeni zyrtar i OKB-së, nuk ka rrugë tjetër. Unë nuk mund ta kundërshtoja një detyrë të vështirë. Nuk kam asnjë pendesë që u angazhova në Ballkan. Ndoshta jam budalla. Por çmimi Nobel i Paqes çfarë është? Disa njerëz e marrin për meritat e tyre, disa të tjerë e marrin gabimisht. Por, unë jam gjykatësi i vetëm i veprimeve të mia”.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte shume e vertete qe Bota ka shume per te mesuar nga Filozofia e Jetes Japoneze produkt i se ciles eshte Zhvillimi ekonomike e social i asaj shoqerie.Ne marredheniet Shqiperi -Japoni kulmon nje marreveshje dy paleshe per nje kredi me terma reference “mbi investime per Rehabilitimin e Rrjetiti te Kanalizimeve per Qytetin e Tiranes.Viti 2006, Vlera rreth 800 milion dollare.Firma “JICA” caktuar nga Japonezet do kryente monitorimin,manaxhimin e fondeve te ketij projekti.Eshte per te ardhur keq por ky projekt e keto fonde jane shperdoruar si nga JICA ashtu dhe nga qeferria Shqiptare.E pra JICA firme Japoneze eshte.Kaq fort eshte kultivuar e keqja e abuzimi ne vendin tone sa qe dhe japonezet………!!!!

    Përgjigju ↓