OPINION

Kiço Blushi ishte një mik i veçantë dhe një shkrimtar i madh

07:50 - 11.02.19 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jemi mësuar, por jo me ikjen e njerëzve të tillë, të dashur. Ikja e papritur e mikut tim të rinisë, Kiço Blushit ishte për mua jo vetëm e beftë, por edhe tepër e dhimbshme. Kemi qenë miq të mirë dhe të vërtetë. Miqësia jonë u lidh qysh në vitet studentore. Kiço Blushi hyri në letërsi si një poet i vërtet dhe shumë premtues. E kam dashur dhe e kam vlerësuar gjithmonë jo vetëm për thjeshtësinë e tij të veçantë dhe jo vetëm për vlerat njerëzore, por edhe për vlerat e veçanta krijuese. Qysh në leximin e poezive të tij të para, unë kam parë tek Blushi që kisha të bëja me një poet të vërtetë. Vitet që do pasonin do ma përforconin edhe më tepër këtë ide.




Unë kam pasur shumë miq, poetë dhe shkrimtarë që kanë ikur nga kjo botë, por ikja e Blushit ishte tronditëse, pasi ka ca krijues si Kiço Blushi, ku pasqyroheshim më së miri të gjitha ato cilësi që e dallojnë një njeri dhe një shkrimtar të vërtetë nga grumbulli i shkrimtarëve të tjerë. Ka qenë një rastësi e këndshme që unë, para se të njihesha me poetin Kiço Blushi, në ca rrethana të çuditshme, jam njohur me të atin e tij. Ishte shofer. Njeri i thjeshtë. Atëherë isha student dhe ma kishte dhënë truri të shkoja në Korçë për t’u takuar me një vajzë, me të cilën kishim vetëm shkëmbim letrash. I zgjata dorën makinës së parë me targë Kr. Siç do ta merrja vesh atë mbrëmje, shoferi ishte babai i Kiço Blushit. Ai më tha të hipja në karroceri, pasi dy vendet e kabinës i kishte të zëna me dy pasagjerë që do të zbrisnin në Prrenjas. Më pas unë zura vend në kabinë, pranë shoferit. Nata dhe bora na zuri në Qafë-Thanë… I ati i Kiços ishte fjalëpak. Zbritëm të dy dhe ndezëm një zjarr në dëborë… Atje ai më tregoi që kishte një djalë në moshën time që shkruante vjersha. …Në atë shtator Kiço Blushi erdhi në fakultetin tonë dhe u regjistrua në degën e rusishtes. Qysh kur e pashë, më la një mbresë të mirë. I qetë, i mençur, biond, sykaltër… I ngjante Sergei Eseninit, të cilin në ato vite ne e donim aq shumë. Unë, Musai, Ruzhdiu, Vathi ishim në vit të katërt, por Kiçon e futëm në miqësinë tonë… Ai shkruante shumë. Shkruante poezi me vargje të lira. Tematika e disa poezive të tij më kanë mbetur në mend. Qysh në njohjen e parë unë kam menduar që Kiço Blushi do bëhej një poet i madh. Vërtet nuk u bë poet i madh, por, them se me romanet e tij dhe me tregimtarinë e tij u bë vërtet një shkrimtar i madh dhe i vërtetë… Për të gjithë ata që nuk e kanë njohur krijimtarinë e tij e që përmendin vetëm disa nga skenarët e tij, apo e njohin Blushin si publicist, unë dua t’u them se Kiço Blushi na ka lënë një krijimtari të bollshme dhe të pasur letrare. Për me tepër, ai na la një letërsi të një niveli të lartë cilësor. E cila renditet në krijimtarinë më të mirë të këtij pesëdhjetëvjeçari.

E veçanta e krijimtarisë së tij është krijimi i karaktereve të spikatura, jetësore. Personazhe të qëmtuara nga jeta. Kiço Blushi nuk ishe një shkrimtar qyteti, jeta e tij e gjatë si gazetar, por edhe si skenarist, e kishte kushtëzuar që ai në lëvizjet e shumta nëpër Shqipëri të mbushej me mbresa nga jeta… Ngjarje, tipa karaktere. Letërsia e Kiço Blushit mban aromën e një Shqipërie, të atyre viteve të vështira, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën tonë, në krijimtarinë e tij dhe tashmë janë bërë pronë e letërsisë shqipe… Nuk rri pa kujtuar morinë e personazheve të marra nga jeta e tij si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Të përshkruar aq bukur dhe me aq realizëm në romanin e tij. E tillë ishte dhe Lezja, shoferja malësore e dhënë mjeshtërisht tek drama “Lezja”, vënë në skenë nga trupa e Teatrit të Korçës. Mund të përmendje dhe shumë tregime të këtij autori, të cilat mund të futen denjësisht në një antologji të tregimit më të mirë të letërsisë shqiptare. I tillë është romani që nuk mund të harrohet “Koka e prerë e Ali Pashës”, por edhe romani tjetër edhe më i rëndësishëm, i cili u bë edhe film, “Beni ecën vetë”. Kiço ishte një shkrimtar vëzhgimtar dhe modest. Atij nuk i pëlqente buja, as titujt si “Artist i merituar” apo “Mjeshtër i madh”. Ai ishte i vetëdijshëm për talentin e vet dhe për krijimtarinë e vet… Të paharruar do të mbeten   më kujtesën e të gjithë shqiptarëve filmat “Beni ecën vetë” dhe “Në shtëpinë tonë”, me regji të Dh.Anagnostit. Shkrimtari Kiço Blushi ishte njohës i mirë i jetës dhe i personazheve që ka përshkruar në librat e veta. Mbi të gjitha, ai bënte një krijimtari realiste të vërtetë dhe afatgjatë. Ai i përkiste racës së shkrimtarëve si Turgenievi dhe Çehovi, Mopasani dhe Cvajku.

Mbi të gjitha, Blushi ishte edhe një mik i mirë. Mund ta quaje me plot gojën një mik i heshtur, një mik i mençur, një mik nga i cili  mund të përfitoje jo vetëm nga talenti i tij dhe eksperienca e vet jetësore, por nga batutat e tij plot humor, që shpërndante me kursim në shoqërinë e tij të ngushtë… Te Kiço Blushi mik e bashkëmoshatar unë shihja njeriun si duhet të jetë dhe shkrimtarin model,  krijuesin e thjeshtë, të mençur dhe me vizion, një shkrimtar i cili duhet të imitohet nga brezat që vijnë.

Vitet e fundit takimet tona kanë qenë të rralla. Ai fliste pak, por prekte gjëra esenciale. Shkruante pak, kryesisht publicistikë, por prekte probleme esenciale… Kur mora vesh sëmundjen e tij u trishtova shumë, mirëpo duke parë natyrën e tij të qetë, të përzemërt dhe optimiste, mendova se ikja e tij do të vinte në ditë të largët. Dita e ikjes së tij nuk ishte e largët, por të  tashmë na ngushëllon ideja se shkrimtarët e vërtetë si Kiço Blushi nuk ikin. Jeta e tyre mund të jetë e shkurtër, por arti i tyre do të jetë afatgjatë. Ditët që jetojmë janë antiart dhe antiletërsi. Në ditët që jetojmë populli ka probleme ekonomike. Letërsia dhe arti në këto tri dekada ka një rënie të madhe interesi. Mirëpo unë mendoj se do të vijë një ditë kur krijimtaria e Kiço Blushit për vetë vlerat e saj të veçanta do të vendoset në panteonin e letërsisë më të mirë shqiptare. Nuk iku shkrimtari i madh dhe Kiço Blushi shkrimtar, iku vetëm miku ynë i veçantë dhe i paharruar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.