OPINION

Një nikoqir shteti po duket… gërmadhash

07:20 - 11.02.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me nikoqire zakonisht kuptojmë një amvisë shtëpie që terezit si duhet llogaritë e shtëpisë, por ia vlen që këtë cilësim ta përdorim edhe për përgjegjësin, terezitësin e parasë publike, ndryshe ministrin e Jinancave. Pak ose aspak njihen ministrat e Financave shqiptare të viteve 1912-1939. Disa syresh kishin kulturë perëndimore për kohën dhe provuan të bënin mirë, me gjithë kushtet tejet të vështira të mungesës së informacionit dhe disiplinës financiare. Një ministër i qeverisë shqiptare në kohën e nazizmit gjerman (1943-1944), Sokrat Dodbiba njihet akoma edhe më pak. Megjithatë, e tregoi veten një nikoqir të mirë të shtetit të zaptuar shqiptar. Kundërshtoi dhe ia arriti të mos futej në tregun shqiptar marka e zhvlerësuar gjermane (gjë që ndodhi rëndom në shumë shtete të tjera të okupuara të Evropës), duke mos e përmbytur kështu sistemin e pagesave me franga ari, që kishte deri atëherë vendi ynë. Gjermanët i kërkuan qeverisë shqiptare 30 mijë franga ari kontribut për qëndrimin e ushtrisë gjermane tek ne në vit. Ende nuk dihet se si zoti Dodbiba arriti, ndoshta duke rrezikuar edhe kokën e tij, t’u jepte gjermanëve vetëm 5-6 mijë franga ari në vit. Një përkushtim të tillë ndaj interesave të shtetit shqiptar e shohim rrallë ose asfare në ministrat e financave ose në kryetarët e komisionit të planit të shtetit të kohës së diktaturës komuniste, edhe pse nga kjo kohë kemi sërish shumë pak informacion objektiv.




Spikat vetëm në nëntor 1996 kuraja e një ministri të Partisë Demokratike, Ridvan Bode, që ishte i vetmi që paralajmëroi për efektin shkatërrues të skemave piramidale. Një gjë të tillë nuk e bëri as edhe misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar që ishte në Tiranë po në nëntor 1996! Më vonë, i njëjti ministër ishte ndër arkitektët e drejtimit të shtetit me duar të pastra në vitet 2005-2007, kur u kursyen 2 miliardë dollarë nga miradministrimi i taksave dhe kontrollet doganore kundër futjes së mallrave pa akcizë. Në vitet e mëvonshme ky ministër la shumë nga përkushtimi për paranë e të gjithëve, në këmbim të kapitalit vetjak në parti. Megjithatë, arriti të tereziste buxhetin e shtetit në vitet e krizës së fortë botërore financiare dhe ekonomike 2009-2012, ndërsa e lëshoi përfundimisht dorën në kataklizmën financiare të periudhës janar-gusht 2013. Mori në vitin 2009 edhe një kredi sindikale (nga dy banka ndërkombëtare njëherësh) prej 250 milionë eurosh. Kredi për të cilën e kallëzoi në Prokurori 5 vite më vonë një tjetër nikoqir i shtetit shqiptar, ish-bankieri më i mirë qendror që kishim, për t’u bërë në shtator 2013 ministër i Financave.

Ky ministër mendonte se shtetit nga kredia sindikale e marrë shumë shtrenjtë i ishte shkaktuar një humbje prej 60 milionë euro, edhe pse kredia u mor në periudhën më të vështirë për kredidhënien në tregjet ndërkombëtare. Ishte ministri që ndërtoi marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar për huan e butë trevjeçare prej 330 milionë euro, që arnoi dhe mbushi xhepat e shpuar të buxhetit të shtetit dhe disiplinoi financat tona publike të dala nga binarët. Ishte mendja pas një projektligji për procedurat tona tatimore që do të përmirësonte ndjeshëm administrimin tonë të taksave, por që fatkeqësisht mbeti vetëm një projekt, pse të tjerë pas tij menduan vetëm si e si të kënaqin kompanitë vendëse mbizotëruese në disa tregje. Ishte drejtuesi që arriti që çmendurinë e koncesionit PPP të skanimit të kontenierëve në dogana ta ulte me 44 për qind, nga 39 euro në 22 euro për kamion, në pamundësi për ta anuluar. Ishte ai që, edhe pse në publik foli fjalë mbështetjeje, duhet të ketë qenë së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, varrmihësi i idesë tjetër të çmendur, që kishte kapluar kësaj radhe qeverinë ku bënte pjesë, të dhënies me koncesion PPP të mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Ku me një ofertë të pakërkuar, kompania e huaj private nga Hong-Kongu zotohej të mblidhte për vitin 2016 11 për qind TVSH më shumë, në një kohë kur vetë buxheti i shtetit kishte mbledhur për vitin 2015 13.7 për qind më shumë! Nikoqiri u largua, duke lënë… gërmadha.

Pas tij, në tri vitet e fundit ka ndodhur kapja më e përbindshme e shtetit nga interesat e kompanive vendëse mbizotëruese në disa tregje. Koncesionet e dhëna me formulën e Partneritetit Publik-Privat (PPP-janë mbi 2.2. miliardë euro) dhe që kanë hyrë në xhepin tonë si qytetarë pagues taksash edhe për 10-15 vitet e ardhshëm, u shitën si alternativa të fuqishme dhe të guximshme investimi të privatit, për të balancuar përfundimin e dy koncesioneve TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por ndërsa këto 1.7 miliardë euro investime vinin nga jashtë, kapital tërësisht i huaj që i hynte vendit, këto 2.2 miliardë euro ne shqiptarët do i marrim këtu, nga brenda, nga bankat tona dhe do të na kushtojnë sa frëngu pulën! 360 milionë eurot e një prej këtyre çmendurive të reja u kthyen mbrapsht pak javë më parë. Dhe jo vetëm ekonomistët e ndershëm të këtij vendi, por edhe shumë qytetarë të thjeshtë e mendojnë se prapa kësaj sbrapseje qëndron dora e nikoqirit të ri të shtetit, i thirrur në një mision gati të pamundur në fund të dhjetorit 2018. Edhe pse nuk ka veshur kostumin e ministrit, si të tjerë përpara tij. Dhe shpresa ka nisur e po ngrihet se pas kiametit që na ndodhi, mund të kemi disi rimëkëmbje, rikuperim të interesit të lënduar rëndë publik, me kurajën dhe dijet e nikoqirit të ri.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Po permendi emrat i nderuar Fatos. Pse nuk e thua hapur per cilin njeri e ke fjalen qe do te beje keto gjera te mira qe mund te ndodhin, kur flet ne fund te shkrimit per te. As Ahmetajn nuk e permende me emer, por per ate edhe nenkuptohet. Por per kete te fundit, qe nuk do te jete minister, askush nuk e merr me mend se kush eshte.

    Përgjigju ↓