AKTUALITET

KQZ “zgjidh qesen”, sa lekë marrin PS, PD, LSI dhe partitë e vogla

12:10 - 12.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjashtë partitë kryesore politike në vend kanë ndarë mes tyre 1.9 miliardë lekë të vjetra nga fondi vjetor i përcaktuar nga Buxheti i Shtetit për partitë politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme ka miratuar vendimin me anë të të cilit bën shpërndarjen e lekëve që përfitojnë partitë politike, që në zgjedhjet e shkuara politike kanë marrë 10 mijë vota, si dhe kanë përfaqësim në Kuvend. Nga përllogaritja që KQZ i ka bërë zbatimit të formulës që përcakton ligji “Për partitë politike”, Partia Socialiste ka marrë edhe pjesën e “luanit”, duke përfituar plotë 860 milionë lekë, ndërkohë që PD ka përfituar 520 milionë lekë dhe LSI 270 milionë.




Formula
Ligji “Për partitë politike” përcakton rregullat sipas së cilave bëhet shpërndarja e fondeve vjetore për partitë politike. Sipas këtij ligji, 70 për qind ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndërkohë që 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe partive politike që kanë përfituar mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi. Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.

Shpërndarja
Shuma totale që përfiton secila parti politike si mbështetje financiare për vitin 2019 është shumatorja e të gjitha shumave që rezulton nga llogaritjet e mësipërme. Sipas këtyre përllogaritjeve, rezulton se partia që do të përfitojë më shumë është Partia Socialiste e Shqipërisë. Ajo ka siguruar 860 milionë lekë të vjetra, duke marrë edhe më shumë se sa kanë marrë dy forcat kryesore opozitare në vend, PD dhe LSI. Kjo, pasi Partia Demokratike ka mundur të sigurojë vetëm 520 milionë lekë, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 271 milionë lekë. Përveç 3 partive kryesore, nga zbatimi i kësaj formule që përcakton ligji kanë marrë lekë nga Buxheti i Shtetit për vitin 2019 edhe 3 parti të tjera, respektivisht Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka marrë 100 milionë lekë, Partia Socialdemokrate e Shqipërisë 72 milionë lekë dhe Lista e Barabartë e Ben Blushit 65 milionë lekë, ndonëse nuk është parti parlamentare. Krahasuar me një vit më parë, partitë politike kanë përfituar më shumë lekë, kjo pasi fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për këtë vit është më i madh, nisur kjo ndoshta edhe nga fakti që ky është një vit zgjedhor. Gjithsesi, përveç këtij fondi, për përballimin e fushatës zgjedhore KQZ do miratojë edhe një vendim tjetër me anë të të cilit do ndajë lekët për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

Vendimi, sa do t’u kushtojnë shqiptarëve zgjedhjet vendore

Gjatë mbledhjes së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi edhe strukturën e shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore, të datës 30 qershor 2019. Në total KQZ-ja parashikon që të harxhojë rreth 1.2 mld lekë, çka në fakt do jetë edhe kostoja e asaj që do t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit vetëm organizimi i zgjedhjeve lokale, pa përfshirë këtu lekët që përfitojnë vetë partitë politike. Sipas buxhetit të parashikuar të KQZ-së, do të shpenzohet një fond i konsiderueshëm për 400 trajnuesit e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe të Grupit të Numërimit të Votave. Më konkretisht, parashikohen 296 milionë lekë për shpërblimin e anëtarëve të komisioneve, 248 milionë për zërin mallra, 274 milionë për zërin shërbime, 221 milionë për zërin shërbim transporti dhe 115 milionë për dieta e udhëtime. Në këto zgjedhje parashikohen dy fletë votimi, një për kandidat për kryetar bashkie dhe tjetra për këshillin bashkiak. Për secilën fletë, KQZ-ja parashikon prodhimin e mbi 3,6 milionë fletëve të votimit, në total 7,235, 482 fletë votimi në një kosto rreth 90 milionë lekë.

Kostoja e zgjedhjeve

Shpërblimi i anëtarëve të komisioneve – 296,032,371 lekë.

Mallra – 248,881, 320 lekë.
Shërbime – 274, 968, 336 lekë.
Shërbime transporti – 221,700,000 lekë.
Shërbime udhëtime e dieta – 11,568,000 lekë.

Shuma që ka përfituar secila parti

1) Partia Socialiste e Shqipërisë – 86.065.992 lekë.
2) Partia Demokratike e Shqipërisë – 52.808.975 lekë.
3) Lëvizja Socialiste për Integrim – 27.160.224 lekë.
4) Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet – 10.107.290 lekë.
5) Partia Socialdemokrate e Shqipërisë – 7.286.685 lekë.
6) Lista e Barabartë – 6.570.833 lekë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.