AKTUALITET

“Kulti i krimit i trashëguar nga diktatura, të marrë fund”, Basha vizitë në ish-kampin e internimit

11:15 - 12.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vizituar ish-kampin e internimit të Tepelenës, një prej kampeve më të tmerrshëm të diktaturës komuniste.




Lideri i opozitës është shoqëruar nga disa prej të mbijetuarve të këtij kampi, të cilët i kanë treguar për kushtet e tmerrshme si edhe ato të shfarosjes.

“Kazanët e gjellës ishin fuçia që u kishin shërbyer italianëve për naftë. I prenë ato, i sharruan dhe i bënë kazanë. Ai spirilëngu, ajo gjella e famshme, e quajtur gjellë, se gjellë s’ishte, kur shkonin njerëzit për ta marrë me tasa a gaveta, ishte gjithë pisllëk e naftë. Këto shkaktuan epidemi, zgjebën, kolerën dhe sëmundje të ndryshme. Vdekjet filluan me 32 vetat e parë dhe vazhduan këtu me 300 fëmijë, mosha nga 6 muaj deri në 3-4 vjeç”, rrëfeu Simon Miraka, i mbijetuar i kampit të Tepelenës.

Kryetari Basha tha se kushtet e këtij kampi u ngritën sipas parimit të shfarosjes, i cili u zbatua më herët edhe nga nazistët: “Nga pikëpamja ligjore ky është krim kundër njerëzimit, sepse, në qoftë se 1 në 3 humbën jetën për shkak të kushteve qëllimisht shfarosëse, çnjerëzore, atëherë këtu bëhet fjalë për kamp shfarosjeje. Duke qenë se gjithçka u zhvillua edhe pa legjislacionin që diktatura e përdorte për të burgosur dhe për të ekzekutuar kundërshtarët e regjimit dhe u drejtua kryesisht kundër familjarëve të tyre, nuk ka asnjë diskutim se edhe motivi i xhelatëve që i sollën këtu, edhe mënyra e veprimit këtu kishte një qëllim, shfarosjen e tyre”.

“Majmunëria e udhëheqjes aktuale, që në poture e në gjuhë, në kuptimin e imitimit të Enver Hoxhës e të xhelatëve të tjerë, që i kanë zhytur duart në gjakun e foshnjeve e të fëmijëve, nuk është thjesht teatralizëm, është një investim i rrezikshëm për të rikthyer dramën, sepse historia tregon që një popull, i cili nuk kujton, e përsërit dramën e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës. Riqarkullohen emra xhelatësh në institucionet e drejtësisë e në institucionet e shtetit dhe vazhdojnë flasin ata për drejtësi të standardeve evropiane apo janë bashkëhartues të legjislacionit të Shqipërisë të vitit 2019”, theksoi Basha.

Lideri i opizitës u shprehu të mbijetuarve të kampit të Tepelenës gatishmërinë e PD-së për të ndërmarrë nisma të mëtejshme parlamentare dhe publike për dënimin e krimeve të komunizmit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.