Kulturë

Tirana bardh e zi kur ndërtohej me plan

13:00 - 13.02.19 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Tirana e vjetër shfaqet me bandën mbretërore, me Urën e Tabakëve, me gra e burra me veshje popullore, por edhe allafrënga. Përkrah bandës mbretërore, janë karnavalet si festoheshin atëkohë (1922), me kukulla që interpretojnë para publikut e qytetarë që mbathin opinga. Matanë, pesë burra pozojnë me qeleshe në kokë e jelek të veshur, këmbë mbi këmbë e mustaqet dredhur. Në gjashtë imazhe Tirana e fillimit të 1900-ës të shfaqet në thjeshtësinë e magjinë e vet. Kjo është vetëm njëra prej stendave të ekspozuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pranë rruginës se Toptanëve dhe kalasë së qytetit. Shkas për ekspozitën u bë 99-vjetori i shpalljes kryeqytet, për çka dokumente e vendime të njohura rishfaqen për të kujtuar rrugëtimin 99-vjeçar të një qyteti që nga shtëpitë e qerpiçta e rruginat me kalldrëm është mbushur me qiellgërvishtëse; të një vendi që kishte kinematë “Savoja”, “Rozafat”, “Tomori”, “Imperial”, “Rex” (ose ish 17-Nëntori) dhe Teatrin Kombëtar siç e njohim ne sot, që është edhe i vetmi që qëndron në këmbë, ende. E varfër dhe e magjishme, me hijeshinë e bardhësisë që dëshmon kohën, minimaliste e njëherësh estetike, kryeqyteti kur mori titullin e kryeqendrës së shtetit kishte e përfaqësonte një unicitet në ndërtim, stil e kulturë. Doemos do ketë pasur edhe baltë, kanale, e ujëra që derdheshin rrugëve, por zhvillimi nuk i ka eliminuar as sot. Ka mes stendave një vendim ku shënohet “Vendim i Katundarisë Tiranë mbi sjelljen e një inxhinieri nga jashtë për të kryer planimetrinë e qytetit”. Vendimi është i vitit 1922 dhe është firmosur nga kryetari.



kisha e xhami Stenda 8 KInema e teater Tirana e vjeter, burra, gra, karnavale Katrundaria vednos per qytetin lagjet e Tiranes me shkrim dore
<
>

Të krekosur shfaqen zengjinët e kohës, anëtarë të Bashkisë së Tiranës më 1923: Myhtar Agolli, Jashar Erebara, Alo Begeja, Ali Ndroqi e Sadi Pashollari. Por në atë krekosje prej zotnije, përtej kostumeve, kravatave e këpucëve lustrafin gjen parinë e kohës që përcjell me imazhin e lënë një farë kaste që përfaqësonte diçka përtej vetes.

Një memorandum për ndërtimin e Tiranës (1924) shoqërohet me një hartë të lagjeve të Tiranës në dukje të vizatuara me dorë. Po me dorë shënohet: “Lagje e re”, “Ismail Efendi”, “Abudlla bej”, “Quartier poshte”, “Quarter de Tabak”, “Quartier de Sulejman Pasha”,etj.
Në fund, në vend të logos, lexohet “Plan de ville de Tirana”.

Kishat dhe xhamitë zinin pozicione të rëndësishme në qytet. Një kolazh bardhezi i tyre vjen në një stendë të veçantë, ku mund të shquhen kisha katolike e Tiranës që është sot në Rrugën e Kavajës, ndërtimi i kishës së Shën Prokopit dhe xhamia e Ethem Beut në qendër. Përreth saj nuk shquhet asgjë. Ajo duket të jetë në mes të një fushe sikundër edhe Xhamia e Karapicëve. Në stenda të tjera shihen ndërtime private ndër vite: që janë kryesisht vila, me një stil tërheqës, kafe “Kursalit”, hoteleve në zë të kohës “Continental” dhe “Donika”, derisa mbërrijmë te ndërtimi i kompleksit të ministrive, Kryeministrisë, konvikte, shtëpi shëndeti, instituti “Kyrias” në Kamëz. Të dokumentuara janë edhe statuti i Sport Klub “Tiranës”, statuti i klubit të tenisit dhe njoftimi mbi zhvillimin e kampionatit të parë kombëtar të atletikës më 1929.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *