Homo Albanicus

“Nano Ik”, “Berisha Ik, “Rama Ik”, cili do të qëndrojë?!

18:52 - 15.02.19 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Nëse Shqipëria do të ishte në hartën e protestave kontinentale, atëherë duhej të konsiderohej si një ogur i mirë. Kjo do të thoshte se ne ishim në një grup të njëjtë problemesh dhe më shumë akoma ndanim shqetësime të njëjta në Evropë. Por, duhet thënë se po kalojnë kohët dhe ne mbetemi robër të harxhimit të energjive tona për të hequr ata, për të cilët kemi besuar më shumë. Rasti i Fatos Nanos, Sali Berishës dhe së fundi i Edi Ramës është shembulli më i bukur sesa energji të shumtë kemi humbur me besimet tona politike dhe kemi mbetur në një qerthull, ku nuk dalim dot.




Në rastin e fundit, me togfjalëshin që ka ndërruar vetëm emrin e përveçëm “Rama Ik”, ne plotësojmë zhgënjimin e ri më të madh dhe ndoshta të radhës.

Projekti i Shqipërisë Demokratike po rezulton një zhgënjim i madh dhe ky dështim, në një farë mënyre, është edhe fundi i besimit për një sistem ekonomiko-shoqëror, që shqiptarët ‘90 besonin se i takonin plotësisht pas humbjes krejtësisht të një investimi moral gati gjysmë shekullor në sistemin socialist.

Njerëzit që nxorëm për të na përfaqësuar në erën demokratike nuk e zgjidhën kurrsesi problemin e pronës, themelin, ku mbështet kapitalizmi; tregu i lirë rezultoi i favorshëm vetëm për të pasurit dhe me rregulla loje, që ndërrohen shpesh nga të fortët; kurse meritokracia përfundoi në një nepotizëm dhe klientelizëm të frikshëm. Shqipëria Demokratike nuk ishte asesi kështu në ëndrrat e bukura të vitit ’90 të shqiptarëve, ashtu si askush nuk besonte se Shqipëria nuk do kishte logjikën, që të bënte disa rregulla loje dhe do të endej për gati tre dekada në kaos.

Shkaktarët e parë ishin po ata që morën përsipër të drejtonin projektin e madh të Demokratizimit të vendit, të zgjedhurit tanë, duke filluar me Sali Berishën, Fatos Nanon, dhe tashmë me Edi Ramën. Në fund të viteve të tyre, të dy të parët u përzunë me togfjalëshin popullor “…Ik”. Dhe, nuk është habi që të kthehen sërish për të riikur sërish.

***

E gjithë Evropa zien në protesta, që kanë mbushur jo vetëm kryeqytetet e Evropës, por edhe më gjerë. Zhgënjimi i madh është për politikat e liderave në vende të ndryshme të Evropës dhe mërzia e thellë është se ngado ëndrra evropiane është një e tillë që ka dëmtuar jo vetëm mirëqenien, por edhe dinjitetin e shumë qytetarëve. Tashmë, tronditja e bazës ekonomike dhe reformat që dëmtojnë xhepat e evropianëve kanë bërë që këta të fundit të shikojnë se projekti evropian po kthehet në një zhgënjim të përbashkët në Itali, Francë, Spanjë e ngado, që ka si kryefjalë vetëm Brukselin burokratik. Aty ku janë të përqendruar të gjitha fuqitë e zyrtarëve që gjithnjë e më shumë nuk e njohin Evropën e vërtetë, atë që i ka dhënë aq shumë qytetërimit, por edhe ëndrrës së shumë njerëzve, që tani ndjehen të tradhëtuar. Me një mal burokratësh pa gati nocione themelore, me mungesë empatie dhe mbi të gjitha të pavetëdijshëm për projektin e Evropës me stabilitet dhe demokratike, bash atë që është bërë vetë burim jo stabiliteti dhe jo vetëm.

Dhe, ne shqiptarët e kosovarët po e ndjejmë në kurrizin tonë këtë kakofoni, sesi derdhen kërkesa pas kërkesash dhe sesa i vështirë po bëhet ngado procesi i integrimit, ku fuqinë e bëjnë politikanët ekstremistë.

Një analist i huaj, Luke Coffey do të shprehej te A.N. se pasojat politike të krizës ekonomike është arsyeja e ngritjes së partive politike të së Majtës dhe të Djathtës ekstreme, bash ato që e kanë ulur zërin e partive të moderuara politike në një pikë ku zëri i tyre nuk dëgjohet fare ose është kaq i përvuajtur saqë ka filluar të flirtojë deri me lëvizjet ekstreme.

Shqipëria është një nga rastet, kur politika për shkak të kësaj kakofonie ka humbur busullën, por më keq akoma politika i është nënshtruar populizmit për të mbijetuar si rezultat i mosafrimit të alternativave, kurse me parullat ekstreme ka plotësuar vakumin e forcave, që synojnë pushtetin me çdo kusht, duke penguar zhvillimet reale normale, që tashmë janë degraduar nga vetë politika. Dhe, pasojat, mbesin njerëzit e çoroditur që bërtasin të njëjtën parullë, thjesht duke zëvendësuar emrin e përveçëm…”Ik…”. Po cili duhet të qëndrojë vallë?! Ne, me sa duket, nuk e zgjidhim dot. (Homo Albanicus)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.