KULTURË

Dorian Koçi: Demetrio Leça, Dhimitër Leka i Himarës

18:00 - 17.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studiuesi Dorian Koçi, thotë se në botimin e parë të librit De Rada vë si epigraf vargjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”. Epigrafi jepet në greqishten klasike, shënon Koçi duke shtuar se libri i kushtohet Demetrio Leça dhe ka këtë shënim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)”. Po kush ishte Demetrio Leça/Dhimitër Leka? Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare nga Dhërmiu i Himarës, të vendosur në Napoli në fund të shekullit të XVIII. Dhimitër Leka lindi në 24 prill 1779 në Dhërmi dhe vdiq në Napoli, më 21 prill 1862. Ai bëri një karrierë të shkëlqyer ushtarake, duke arritur gradën e gjeneral brigadierit në oborrin e Mbretit të Napolit. Dhimitër Leka u varros në Kishën Ortodokse të Napolit dhe aty gjendet varri sarkofag i tij së bashku me bustin e gdhendur në basoreliev, vepra të porositura nga i biri i tij Achille Leka. Mbishkrimi është në italisht: “Dhimitër Lekës, epirot, tenent gjeneral i ushtrisë napolitane, i urdhrit të Shën Gjergjit të bashkimit dhe Shën Salvadore të Greqisë Shën Anës së Rusisë dhe Shën Mikelit të Bavarisë Kalorës i Kryqit të Lartë, lindur në Drimadhes më 24 prill 1779 vdekur në Napoli më 21 prill 1862”.

Atit trim dhe të ndershëm, Akil Leka i ngre në kujtim. Në gurrën popullore shqiptare ai përkujtohet nga disa vargje që i ka botuar i ndjeri Llambro Ruci në librin e vet “Zera e Akrokeraunëve”.

Ç‘u hap mandati në drekë,

Hajmedet o Dhimitër Lekë,

Hajmedet se ç’të ka gjetë,

gjëndërali i Bregdetë,

kapetan i mirë me fletë,

në stere edhe ndë detë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.