Nostalgji

Nostalgji/ Teuta Kurti: Unë arsimtarja, që e kam ëndërr ta shoh veten me të bardha

16:00 - 17.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: në arsimtarja, që e kam ëndërr ta shoh veten me të bardha




Vjen sot në “Bluetooth” më energjike se kurrë ndonjëherë, këngëtarja e famshme kosovare, Teuta Kurti. Në këtë intervistë gjithëpërfshirëse Teuta tregon arsyet e rikthimit në festivalin “Kënga Magjike”, momentet më të bukura në karrierën e saj si këngëtare, ditët tejet të ngarkuara me punë, dashurinë e madhe që ndjen për Dardanin, si dhe detaje të tjera nga kjo marrëdhënie. Por veç këtyre, ajo na tregon edhe për shumë momente të tjera të rëndësishme gjithashtu në jetën e saj, andaj për të mos humbur më kohë, po japim urdhrin: “Le të fillojë leximi”…
Teuta, së fundmi të kemi parë pjesëmarrëse në festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “Mos pi mo”. Vjen në këtë festival pas një mungese në media. Pse kjo zgjedhje? Pse “Kënga Magjike”?
Është e vërtetë që kam munguar, por kjo mungesë ka ardhur si pasojë e studimeve për magjistraturë, si dhe për shkak të angazhimeve thuajse të përditshme në Filarmoninë e Kosovës, ku unë jam pjesë e korit. “Kënga Magjike” është sigurisht zgjedhja më e mirë pas pauzës së vogël që pata në muzikë. Kjo është hera e tretë që marr pjesë dhe çdo herë që kalon, niveli i organizimit sa vjen e rritet, çdo gjë bëhet me rregull dhe kjo është ajo që më bën të ndihem mirë si pjesëmarrëse.


Cila është fabula që trajtohet në këngë dhe kush janë realizuesit e saj?
Kënga është me muzikë dhe orkestrim të Florent Boshnjakut dhe tekst të Aida Barakut. Titullohet “Mos pi mo” dhe në tekst trajtohet në mënyrë gazmore dialogu i një vajze, e cila i thotë të dashurit të saj ta lërë pijen, pasi nën efektin e alkoolit nuk jemi vetvetja dhe nuk e kontrollojmë dot veten.
Nga këngët që kemi dëgjuar deri më tani, cila të duket më cilësore? Kë ndjen si konkurrentin më të fortë?
Ka shumë këngë të bukura deri më tani, mirëpo unë nuk ndjej asnjëherë konkurrencë. Thjesht, çdo këngë ka cilësitë e veta dhe çdo këngëtar i ka cilësitë e veta.
Kohët e fundit duket sikur keni bërë një ‘divorc’ me ngjyrën e zezë…Si erdhi ky ndryshim tek ju dhe kush u kujdes për veshjen tuaj në këtë festival?
Po, ishte koha e ndryshimit, thjesht ka ardhur një moshë më madhore, mirëpo asesi nuk humbet Teuta që ka qenë gjithmonë, thjesht janë këto ngjyra të çelëta sepse kënga është ajo që më drejton drejt veshjes. Fustani është realizuar nga dizenjatorja Teuta Matoshi Duriqi, që përkujdeset tashmë prej një kohe të gjatë për mua dhe që e falenderoj shumë për kreativitetin e saj.
Për të mos u larguar nga festivalet, nga skena, cili është momenti më i bukur që ke kaluar mbi një skenë?
Më i miri është gjithmonë ai kur kam publikun e ngrohtë dhe publikun real afër vetes.


Po ai më i vështiri?
Ndihem gjithmonë keq kur nuk mund t’i jap të gjitha prej vetes, kur nuk jam në gjendje të mirë me vokalin.
Kaq vite karrierë të mbushura me kaq shumë suksese. A ka Teuta një çelës suksesi?
Thjesht punoj shumë, i kushtohem karrierës dhe shkollimi e ka bërë të vetën, natyrisht.
Plani më i afërt në muzikë, cili është?
Jam në fazën para përgatitore të një klipi dhe shpresoj që shumë shpejt të filloj me xhirimet.
Të lëmë tani për pak karrierën dhe të flasim për përditshmërinë e Teutës…Si nis dhe si përfundon një ditë e juaja?
Nis herët në mëngjes me një kafe dhe me vrap shkoj në akademi. Pastaj jap edhe lëndën e pianos, jam arsimtare me pak fjalë. Në mesditë shkoj në filarmoni, mirëpo jo gjithmonë është kështu e ngarkuar, i jap vetes edhe pushim me disa filma, ose me ndonjë darkë diku të qetë.
Me çfarë lëvizni zakonisht nëpër Prishtinë?
Kam ecur gjithmonë shuuuuumë, por për një farë kohë u pata bërë shumë dembele. Fatmirësisht rrugët janë prishur shumë në Prishtinë këto kohë, janë shkatërruar krejt, në të gjitha anët, dhe janë duke i rindërtuar, për këtë arsye kam filluar të ecë prapë në këmbë.
Ecja më këmbë është ndonjëherë e bezdisshme për ju, duke qenë se sytë kurreshtarë të njerëzve të ndjekin edhe atëherë kur nuk ke bërë diçka e jo më në rastin tuaj që tashmë keni krijuar një bagazh të konsiderueshëm muzikor?
Po, normal nuk është e lehtë, ndonjëherë është mjaft e bezdisshme, mirëpo ekziston gjithmonë një zgjidhje, vendos kufjet, dëgjoj muzikë dhe ja.
Ju jeni diplomuar për…
Jam diplomuar për kanto, jam mezzosoprano, ndërsa tanimë po ndjek vitin e dytë për master, po për kanto.
Të flasim tani për dashurinë! A është e dashuruar Teuta dhe nëse po, mund të na e zbulosh emrin e djalit që të ka vjedhur zemrën?
Po jam e dashuruar, tashmë 5 vite jam bashkë me Dardanin, dhe po bëjmë 3 vjet si të fejuar.


Si është ai në marrëdhënie me ju?
Shumë i mirë, mendoj që vërtet jam njeri me shumë fat që jam takuar me të, është shumë i veçantë.
Jeni xheloz për njëri-tjetrin?
Po, sigurisht jemi xhelozë në raste të veçanta, mirëpo jo të tepruara.
Ç’emër do t’i vije marrëdhënies suaj?
Pa definicion. Nuk them që është e përkryer, thjesht jemi të lumtur, dëgjojmë njëri-tjetrin, nuk lejojmë inatet të na udhëheqin, bisedojmë shumë. Ai është dizajner grafik, pra është artist, andaj dhe kuptohemi shumë mirë.
Ekziston në planet tuaja martesa?
Po sigurisht, mirëpo ende nuk kemi planifikuar diçka konkrete.
E keni përfytyruar veten tuaj nuse?
Sigurisht që po, është ëndërr e çdo vajze, dhe shpresoj shumë që do vijë ajo ditë.
Si do të donit të ishte dasma juaj?
Shumë intime, madje pa dasmë, thjesht me traditat tona, asgjë më tepër.
Dhe si përfundim do të donim një përkufizim të dashurisë nga Teuta…
Dashuria s’ka kufij, nuk harxhohet kurrë, andaj duhet të kemi dashuri në zemrat tona dhe të duam shumë.

Ky shkrim u botua më 16 Tetor 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.