MILOSAO

Për letërsinë që bën Namik Dokle

18:00 - 17.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Anna Kove – E si jetohet, kur të ndalojnë me dhunë të dashurosh? Çfarë ngjyrë ka qielli, dielli, yjet dhe lulet? Çfarë shije ka ajri, uji, puthja e mun
guar, përvëlimi i trupit në dëshirë? Ngjyrat dhe shijen e tërbimit – na thotë Namik Dokle me romanin e tij të fundit. Subjekti shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca, por nga ndalimi që u bëhet të rinjve të mos kenë mundësi të bëjnë dashuri. Në fshat mbizotëron shtetrrethimi i frikshëm mbi nevojat shpirtërore dhe fiziologjike të të rinjve. Personazhet kanë veshur petka prej fjalësh të frikura dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Në këtë roman, ashtu si edhe në dy paraardhësit e tij, autori ka lëmuar mjeshtërisht fjalorin e pasur të zonës; legjendat, mitet, realitetet magjike janë sërish pjesë domethënëse e rrëfenjës së autorit, i cili tashmë e ka të shtruar si kalldrëm me gurët e skalitur udhën e sigurt drejt lexuesit dhe letërsisë së bukur shqipe.
Përjetim mbi romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”
Ky është romani i tretë i autorit Namik Dokle, si pjesë e një triologjie mbi kompleksitetin jetësor të banorëve të Gorës.
Marrëdhënia ime me librat e autorit Namik Dokle është trefishe dhe në të tria dimensionet e kësaj marrëdhënieje unë marr më shumë se jap, edhe pse i kam redaktuar të tre romanet dhe kam folur në promovimet e librave në të tria herët, sërish kam emocionin si të isha vetë pjesë e aktit të krijimit. Hera e parë, në përballjen time si redaktore letrare, nga vetë kultura gjuhësore e shkrimtarit Namik Dokle dhe qëmtimi artizanal që i bën ai shqipes, unë mësoj si nxënësja para mësuesit.
Së dyti, në leximin që i bëj si krijuese, pasi vetë rrekem të shkruaj prozë, sërish mësoj nga stili, struktura, fjalët e rralla, apo shprehje e idioma krejtësisht unike e me valenca kuptimore goditëse, që autori përdor në romanet e tij, të cilat janë njëkohësisht një shkollë më vete e mënyrës se si një krijues duhet të sillet me tharmin fjalësor që do të përdorë për ngrehinën e tij letrare.
Dhe së treti, si lexuese. Këtu edhe do të ndalem paska më gjatë. Unë besoj se shkrimtari Namik Dokle e ka të siguruar tashmë lexuesin e tij. Në aktin e parë të përballjes me romanin e ri të autorit Dokle, ti e di se nuk do mund ta lëshosh nga dora, derisa të kesh mbaruar edhe faqen e fundit. Jo sepse janë më pak të bukur apo të vlerë romanet që kërkojnë një mënyrë tjetër më të ngadaltë dhe meditative gjatë leximit, por sepse ngjarjet që autori merr përsipër të trajtojë kanë së brendshmi një dinamikë dhe temporitëm letrar të tillë, që nxisin me shpejtësi fantazinë dhe kureshtjen e lexuesit nga faqja në faqe.
“Ditët e Lakuriqëve të Natës”, pjesë e një trilogjie
Edhe tek romani “Ditët e Lakuriqëve të natës”, në të njëjtin stil të shtrirë të rrëfimit ashtu si te “Vajzat e Mjegullës” dhe “Lulet e Skajbotës” vijon paraqitja shumëdimensionale e jetës së fshatit Gorë, dikur Skajbota, tani Bukojna dhe, përmes asaj gjeografie, edhe e fshatit shqiptar, në përgjithësi, në periudhën e diktaturës.
Fabula në dukje është e thjeshtë: Partia, që monitoron deri në qelizë jetën e gjithkujt, dërgon në fshatin e vogël kufitar të Bukojnës një profesor mikrobiolog, për të zbuluar rastet e vdekjeve dhe të ashtuquajturit “tërbim” te të rinjtë e rritur, ende të pamartuar. Mikrobiologu, që duhet të hulumtojë gjithçka, survejohet nga njerëz që raportojnë në Postën e Kufirit dhe te struktura drejtuese të Partisë në qendër.
Heshtja e frikshme mes banorëve për të artikuluar dyshime e pengon profesorin shkencëtar të njihet shpejt me të vërtetën. Laboratori i tij nuk është thjesht shkencor, por sidomos njerëzor. Dhe kur objekt i hulumtimit është qenia njerëzore, natyrisht asgjë nuk është e thjeshtë. Në roman shpalosen njerëzit me frikërat e tyre, me mundësinë dhe pamundësinë e tyre. E sidomos me këtë të fundit, e cila i çon shpesh në depersonalizim. Depersonalizimi më i madh është shndërrimi që i bëri ai sistem disa njerëzve, duke i kthyer në informatorë shpesh rastesh të hamendësuara apo të keqinterpretuara.
Në çdo hap që hedhin personazhet e romanit: Profesori, ndihmësmjekja, mjeku, apo edhe të tjerë, kudo ndeshen direkt apo indirekt me ushtarët e kufirit. Posta e Kufirit ka autoritetin suprem të kontrollit të jetës në fshat – madje edhe të dashurisë. Subjekti shtillet rreth një fabule mbresëlënëse: sëmundja që po merr jetën e të rinjve nuk është “tërbim” i ardhur nga shkaqe që mund t’i shpjegojë shkenca. Ajo vjen nga ndalimi që bëjnë ushtarët e kufirit (me urdhër nga lart), që të rinjtë të mos kenë asnjë mundësi të bëjnë dashuri me njëri-tjetrit. Në fshat mbizotëron një shtetrrethim i frikshëm mbi ndjesitë dhe nevojat shpirtërore dhe fiziologjike. I mbijetojnë “tërbimit” vetëm ata që mund t’u përvidhen ushtarëve të Postës përmes ndonjë skeme të mirëmenduar mashtrimi.
Në këtë roman, ashtu si edhe në dy paraardhësit e tij, autori Dokle përdor mjeshtërisht fjalorin e pasur të zonës; legjendat dhe mitet janë sërish pjesë domethënëse e rrëfenjës së autorit: mjekësia, profecitë, demagogjia, censura dhe kontrolli i egër ushtarak, izolimi i pashpirt që u bëhet njerëzve aty, e sidomos ndjesive më ekzistenciale, atyre të dashurisë, bashkëjetojnë në të gjitha faqet e romanit dhe lexuesi faqe mbas faqeje ngelet i ngërthyer në të papriturat që servir realiteti letrar, që duket se vjen nga një realitet jetësor, i përcaktuar në gjeografi dhe kohë. Mesazhi fundor i romanit është i qartë: “I vetmi tërbim në këtë fshat është ndalimi i dashurisë”.




Lokalja përtej saj
Historia e letërsisë botërore njeh shumë shkrimtarë të cilët përmes historive të thjeshta lokale kanë ditur të rrëfejnë historinë e njerëzimit. Në mënyrë stilistike autori e ka zgjidhur këtë mision letrar, sa përmes realizmit aq edhe elementëve të dukshëm të realizmit magjik.

Edhe pse se ky roman i takon gjinisë së realizmit, si te të dy paraardhësit gjenden elementë të dukshëm të realizmit magjik. Është fakt letrar tashmë se ajo zonë atje tutje në skajbotë e end jetën e saj edhe mes legjendave, miteve, zakoneve dhe riteve. Ashtu si te romani “Vajzat e Mjegullës”, te romani “Lulet e Skajbotës” edhe tek: “Ditët e lakuriqëve të natës” kuptohen lehtësisht ato elemente që në teorinë e letërsisë i kemi quajtur elemente të realizmit magjik.

Romani aspak i ngarkuar me element të absurdit, përkundrazi, duke qenë në thelb realist edhe në elementët e tij magjikë, është krejtësisht i kuptueshëm për lexuesin. Gjuha e gjallë dhe e pasur është një nga pikat e forta tashmë të shkrimtarit Namik Dokle. Ajo pasqyron jo vetëm koloritin jetësor të zonës, por identifikon dhjetëra e dhjetëra personazhe në mënyrë krejtësisht të dallueshme. Asnjëri nuk flet si tjetri… Personazhet kanë veshur të gjithë petkat e tyre prej fjalësh dhe luajnë para syve tanë dramën e tyre, që është njëkohësisht drama e gjithë shoqërisë shqiptare në kohën e persekucionit, spiunimit dhe kontrollit komunist mbi jetët e njerëzve.

Ka edhe shumë poezi brenda përshkrimeve. Elementët poetike nuk i mungojnë edhe romanit “Ditët e Lakuriqëve të Natës.” Titulli po ashtu është një metaforë e goditur letrare, i cili përmes vetë kontroversitetet brenda tij në përdorimin edhe të ditës edhe të natës, rrit më shumë përfytyrimin e lexuesve, sapo përballet me të.
Së fundi, duke i uruar shumë suksese autorit, them se “Ditët e Lakuriqëve të Natës” është një roman që nuk duhet t’i mungojë bibliotekës së askujt që interesohet të lexojë letërsinë e bukur bashkëkohore shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.