KULTURË

“Gërmimet ilegale nga thesarkërkuesit kanë dëmtuar sitet”

15:45 - 19.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Kemi evidentuar që ka pasur gërmime ilegale. Janë gërmime nga thesarkërkues që kanë dëmtuar të dhënat gjatë ndërhyrjeve klandestine. Ndërhyrje të tilla ka në të gjitha territoret tona, kjo është një nga shqetësimet tona edhe të drejtorive rajonale. Janë individë që kërkojnë thesare me qëllim përfitimi. Si në jug dhe në veri, në lindje kemi parë se kanë vënë dorë në monumente të prehistorisë, ka ndërhyrje që kanë vënë dorë”. Kështu është shprehur dje Ilir Gjipali, shef i Departamentit të Prehistorisë në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë. Po në këtë kuadër, arkeologu Neritan Ceka nga ana e tij shprehu shqetësim sa u takon zbulimeve nënujore. “Kemi dy ekspedita. Një prej tyre është ekspeditë njohëse në Kepin e Rodonit edhe të Ohrit dhe ajo merret me identifikimin e anijeve të mbytura. Ekspedita tjetër ka nisur prej 10 vitesh identifikimin e reliteve nënujore, që nga kufiri me Greqinë, deri në ishullin e Sazanit. Deri tani janë zbuluar mbi 20 anije me pasuri arkeologjike, kryesisht amfora që tregojnë lëvizjen e transportit. Ne ende nuk i kemi identifikuar. I lëmë nën ujë, sepse rrezikohen nga banditizmi dhe pirateria”. Deklaratat u bënë para mediave në kuadër të konferencës shkencore “Viti arkeologjik 2018”, ku specialistët e Institutit të Arkeologjisë folën për zbulimet e vitit të kaluar dhe projektet e këtij viti. Gjipali vlerësoi si risi të vitit të kaluar zbulimet në pellgun e Shqipërisë Veri-Perëndimore, ku janë gjetur varreza tumurale.




“Kërkimet prehistorike vitet e fundit janë përqendruar në një rishikim të territoreve. Tanimë me teknika dhe metodologji të reja është bërë e mundur të thellohet njohja në fushën e prehistorisë. Këto kërkime i kemi kryer në territorin e Shqipërisë së Veri-Perëndimore, pellgu i Shkodrës me Mbishkodrën, për varrezat tumurale, në pellgun e Shqipërisë Juglindore, në Shqipërinë Jugperëndimore edhe në territore të brendshme, që hedhin dritë mbi procese edhe fonemone, në përgjithësi për ilirët”. Sipas tij, risi është gjetja në zonën mbi Shkodër e varrezave tumurale të reja që tashmë janë pjesë e hartës digjitale.

PROBLEMET E ARKEOLOGJISË
Më në përgjithësi foli dje drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita. Ai bëri me dije se kanë qenë 22 projekte që janë zhvilluar gjatë vitit që lamë pas, falë edhe bashkëpunimeve me universitetet e huaja, duke nënkuptuar fonde të pamjaftueshme pasi qeveria jonë për fushën e arkeologjisë, akordon vetëm 60 mijë euro në vit për kërkime. Si zonë me potenciale arkeologjike të rëndësishme Përzhita veçoi Durrësin, për të cilin tashmë kemi edhe një hartë topografike, që e mbron këtë qytet nga zhvillimi urban. “Arkeologjia këtë të mirë ka se pas çdo gërmimi ka zbulime dhe mistere të reja, që duhet që t’i zgjidhësh në të ardhmen, por besoj se disa janë zonat e suksesshme të këtij viti, si Apolonia, Bylisi, Hadrianopoli, Butrinti, qendrat tradicionale që janë vazhdimisht në kërkime”, tha Përzhita. Ai preku dhe problemin e ndërtimebe në Durrës, kur tha se, “është gjetur pak hapësirë për shkak të ndërtimeve moderne, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me 7 Durrës antikë, që ndodhen poshtë Durrësit modern që shohim sot. Sot ne kemi aktualisht një hartë të të gjithë potencialit arkeologjik që ndodhet në qytetin e Durrësit, duke përfshirë në të edhe objekte, që janë zbuluar më parë, por edhe ato që janë të pazbuluara.

Ne vazhdojmë herë pas here gërmimet, për të sqaruar shumë çështje që kanë të bëjnë me muret rrethuese, me godina antike, me zhvillimin social-ekonomik, e shumë të tjera. Por, krijimi i kësaj harte topografike të të gjitha siteve arkeologjike që ndodhen tashmë në qytetin e Durrësit është një mbrojtje paraprake që do t’i bëhet dhe zhvillimit urban që do të ketë Durrësi në mënyrë sistematike në kohët tona moderne. Kufiri nuk ka ndryshuar, por me vendim të Këshillit të Ministrave, zonat A dhe zona B, janë më të mirëkufizuara”. Por, pas zbulimeve, arkeologët janë përballur me problemin e konservimit. Përzhita foli shumë hapur për këtë çështje kur tha se, “me gjithë mend jemi në një situatë, që nuk mban më ujë. Ne po specializojmë tre studentë që kur të hapim laboratorin e ri, të jenë të diplomuar për këtë çështje. Falë edhe kësaj, me projekte të tjera do të dërgojmë edhe pesë studentë për specializim për objektet metalike”. Sipas Përzhitës, ata kanë nisur punën për vendosjen e laboratorit. “Kemi hapur një pjesë të godinës sonë në pjesën e fondeve arkeologjike. Është miratuar plani i ndërhyrjes dhe besoj se në fund të muajit prill do të vijë laboratori nga Italia”, tha drejtori i Institutit të Arkeologjisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.